Bashkimi i shqiptarëve në zgjedhjet lokale trondit kryeministrin Mickoski, krisje në koalicionin qeverisës VMRO-VLEN
Pak ditë para se qytetarët të ju drejtohen kutive të votimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, koalicioni qeverisës VMRO-VLEN po kalon në një periudhë krisjesh. Kjo për shkak të thirrjeve për bashkim të votës shqiptare, në mënyrë që kandidatët shqiptarë në Kërçovë dhe Bërvenicë të dalin fitues përballë atyre të VMRO-DPMNE-së. Një gjë […]

Pak ditë para se qytetarët të ju drejtohen kutive të votimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, koalicioni qeverisës VMRO-VLEN po kalon në një periudhë krisjesh. Kjo për shkak të thirrjeve për bashkim të votës shqiptare, në mënyrë që kandidatët shqiptarë në Kërçovë dhe Bërvenicë të dalin fitues përballë atyre të VMRO-DPMNE-së. Një gjë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga kryeministri dhe kryetari i DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ai madje ka përdorur edhe tone kërcënuese kundrejt protagonistëve të VLEN-it, shkruan Portalb.mk.
Nisi me Kërçovën
Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, njëherit edhe kandidat për mandatin e dytë si kryetar i Komunës së Tetovës, më 20 tetor në Syri TV në Shqipëri kur u pyet nëse do e përkrahin kandidatin shqiptar, atë të AKI-së (BDI) në Kërçovë, ai e konfirmoi një gjë të tillë pasi kandidati i VLEN-it, nuk kaloi në rrethin e dytë.
“Po sigurisht, ne si në Kërçovë, se nuk kaloi kandidati jonë, edhe si në vendet tjera”, tha Kasami.
Por kjo nuk u prit aspak mirë nga kryeministri dhe kryetari i VMRO–DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Ai tha se Kasami duhet të pranojë se u bë kryetar komune me vullnetin dhe mbështetjen e maqedonasve. Ai theksoi se çdo reagim ka kundër-reagim.
“Të gjithë ata që shpresojnë se temat etnocentrike do të fitojnë diçka në politikë, le ta shohin dhe të mësojnë nga shembulli dhe rënia e BDI-së dhe do ta kuptojnë se çfarë do të thotë ai. Dhe ky është një mësim i mirë për disa politikanë të tjerë në skenën politike maqedonase të cilët duhet ta kuptojnë se për të qenë partnerë koalicioni, duhet të jemi të gatshëm të bashkohemi dhe të mbështesim vlerat, dhe jo të përçahemi në tema dhe çështje etnike përmes prizmit të shovinizmit dhe dallimeve të ngjashme procedurale etnike. Nëse është kështu, atëherë absolutisht nuk shoh ndryshimin midis tyre dhe Aliut nga Zajazi, të cilin duan ta zëvendësojnë”, tha Mickoski.
Kur u pyet për këto qëndrime të kryeministrit, Kasami tha se ai do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve dhe se në mandatin e tij nuk ka bërë diskriminime.
“Unë si kryetar i Tetovës i përfaqësoj të gjithë qytetarët e qytetit. Në asnjë moment nuk kam bërë asnjë diskriminim fetar, etnik apo tjetër. Për mua qytetarët janë në rend të parë dhe me këtë politik do të vazhdoj t’i shërbejë qytetit. Vazhdoj të jem i fokusuar në garën për Tetovën dhe në këtë periudhë do të trokas edhe në ato derë që nuk kam trokitur”, tha Kasami.
Në ndërkohë, kandidati i VLEN-it për Kërçovën, Fatmir Limani nga Lëvizja Besa, i cili nuk kaloi në rrethin e dytë, në të njëjtën ditë më 20 tetor, tha se e ka të vështirë të bëjë thirrje që të votohet Fatmir Dehari nga AKI (BDI), pas publikimit të përgjimeve.
- LEXO: Pergjimet me përmbajtje seksuale dhe korruptive Fatmir Dehari thote se i’a montuan
- LEXO: Materiale të përgjuara që aludojnë në skandalet e Fatmir Deharit në Komunën e Kërçovës: Përmbajtje seksuale dhe korruptive
VLEN u distancua nga mbështetja ndaj Deharit.
“Pas publikimit të materialeve komprometuese, koalicioni VLEN kërkoi tërheqjen e kandidatit të AKI-së nga gara për të mbrojtur dinjitetin e procesit. Por ai zgjodhi të vazhdojë, duke e vendosur Kërçovën në pozitë të padrejtë dhe duke dëshmuar se për këtë kastë politike pushteti është oksigjeni i fundit politik. Për koalicionin VLEN, siç kemi thënë, morali publik nuk negociohet. Ndaj, tani gjykimin duhet ta bëjnë vetë kërçovarët”, thanë nga VLEN.
Vazhdoi me Bërvenicën
Në një nga tubimet në diasporë, Haqim Ramadani, kandidat i VLEN-it, tha se Komuna e Bërvenicës duhet të fitohet nga një shqiptar, pasi ky komunitet është shumicë në këtë komunë.
“Haqim Ramadani bashkë me ekipin e AKI-së po shkojnë në diasporë për të kërkuar vota, unë i them po, ata janë vëllezërit tanë. Për arsye se këto vëllezërit që janë këtu e plotësojnë buxhetin me miliona euro. Komuna e Kërçovës dhe të gjitha komunat tjera ku janë shumicë shqiptare gjithmonë do udhëheqin shqiptarët. Nuk kemi asgjë ndaj popujve tjerë, nuk kemi asgjë ndaj popullit maqedonas, por duhet ta dinë të gjithë se kush është zot në vend të vet… Komuna e Bëvenicës duhet të udhëhiqet nga shumica se kjo është e drejtë demokratike… Kur do jem kryetar e them se do të jem për të gjithë qytetarët e Bërvenicës”, tha mes tjerash Ramadani.
Megjithatë, këtë deklaratë kryeministri dhe kryetari i VMRO–DPMNE-së Hristijan Mickoski e ka cilësuar si gabim të madh i cili do të sjellë pasoja edhe për Ramadanin si drejtor i Inspektoratit të Vetëqeverisjes Lokale, por edhe për koalicionin VLEN.
“Mendoj se bëri një gabim të madh. Bëri një gabim veçanërisht për kandidatët për kryetarë komuna nga i njëjti koalicion nga i cili po kandidon. Imagjinoni se çfarë do të ndodhë tani me Tetovën, Dibrën, Strugën dhe disa komuna të tjera. Një veprim kaq egoist nga një politikan, nuk është pare në historinë e afërt të Maqedonisë. Është vërtetë për të ardhur keq. Mund të theksoj gjithashtu se ditët e fundit një numër i madh përfaqësuesish në skenën ndërkombëtare dhe njerëz me shumë ndikim, sepse ajo ka arritur edhe tek ata, në mënyrë që edhe ata të shohin me keqardhje të madhe dhe thjesht me mosbesim atë që dëgjuan. Ajo që tha ky kandidat për kryetar komune, ndikon në pozicionin e tij në të ardhmen, pasi t’i humbë zgjedhjet në Bërvenicë, do të shkarkohet nga pozita që ka në qeveri”, tha Mickoski.
Në ndërkohë, Ramadani përms një reagimi tha se nderi, morali dhe dinjiteti vlejnë më shumë se çdo post publik.
“Nuk e jap komunën time për asnjë çmim dhe do ta mbroj çdo banorë të komunës time qofshin shqiptar, maqedon dhe popujt tjerë që jetojnë në Komunën e Bërvenicës”, shkroi Ramadani.
Kasami humb mbështetjen e VMRO-së?
Një zyrtar i lartë nga VMRO-DPMNE për Slloboden Peçat ka thënë se partneri qeveritar Bilall Kasami nga VLEN e humbi mbështetjen e VMRO-DPMNE-së për mandatin e dytë si kryetar i Tetovës dhe pritjet janë që votuesit e VMRO-DPMNE-së nuk do të votojnë për të në raundin e dytë vendimtar të zgjedhjeve.
Mickoski: Jemi marrë vesh me Kasamin
Në ndërkohë, dje kryeministri Mickoski tha se është takuar me kreun e Lëvizjes Besa dhe të Tetovës, Bilall Kasamin dhe se janë marrë vesh.
“Po, unë jam takuar me Bilall Kasamin, kemi biseduar. Dhe mendoj që ai tashmë ka filluar t’i dërgojë ata deklarata të vërteta që duhet t’i plotësojë një kryetar i një Tetove multientike”, tha mes tjerash Mickoski.
Dalja e mundshme e Besës nga Qeveria?
Në ndërkohë në opinion ka filluar të aludohet se pas zgjedhjeve lokale Lëvizja Besa do të del nga Qeveria dhe do të zëvendësohet nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës e cila thuhet të jetë regjistruar si parti e re.
Megjithatë, këto lëvizje politike mbeten të pakonfirmuara.
Nga ekipi i Kasamit të pyetur nga Portalb.mk për këto çështje, thanë se nuk i komentojnë spekulimet.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Selës nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk për hyrjen e mundshme të tyre në qeveri pas zgjedhjeve.
Ndryshe, rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 2 nëntor.
