Berisha: Qytetarët presin 16 vite për një proces gjyqësor, ka pasojë vetëgjyqësinë

Gjatë debatit në Kuvend për raportin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit, kreu demokrat Sali Berisha denoncoi mungesën e drejtësisë dhe shkeljen masive të të drejtave themelore të qytetarëve në Shqipëri. “Sot, në një vend ku Kushtetuta është kthyer në një letër të vdekur, të drejtat më themelore të njeriut janë inekzistente. Paraburgimet masive janë […]

Berisha: Qytetarët presin 16 vite për një proces gjyqësor, ka pasojë vetëgjyqësinë

Gjatë debatit në Kuvend për raportin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit, kreu demokrat Sali Berisha denoncoi mungesën e drejtësisë dhe shkeljen masive të të drejtave themelore të qytetarëve në Shqipëri.

“Sot, në një vend ku Kushtetuta është kthyer në një letër të vdekur, të drejtat më themelore të njeriut janë inekzistente. Paraburgimet masive janë dëshmi e falimentimit të drejtësisë dhe e mohimit të lirisë së qytetarëve”,  deklaroi Berisha.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare, ai theksoi se shqiptarët presin deri në 16 vite për një proces gjyqësor, një situatë që, sipas tij, nuk ekziston as në diktaturat më të ashpra.

“Kur qytetarët presin 16 vite për drejtësi, kjo drejtësi nuk ekziston më dhe pasojë e saj është vetëgjyqësia. Kur mendoj se ky mohim i kësaj të drejte ka sjellë 643 raste të regjistruara vetëgjyqësie, ka sjellë 180 vrasje, ka sjellë 220 plagosje, ka sjellë qindra vepra të tjera penale. Drejtësia 16 vjet në pritje, është drejtësi që mungon, drejtësi që krijon ato shpërthime që ne pamë nga ekzekutimi publik në sallën e gjyqit të gjykatësit, që kurrë nuk pranohet sigurisht”.

Berisha  akuzoi institucionet e drejtësisë për paaftësi dhe mungesë vullneti për reformë reale, duke përmendur edhe faktin se afati mesatar i shqyrtimit të çështjeve është shkurtuar vetëm me 16 ditë në një vit.

“Kur mendoj unë se kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklaron me përgjegjësi të plotë se nga një vit në vitin tjetër, afati 16 vjetor, është shkurtuar vetëm me 16 ditë ju garantoj se shqiptarët dhe qytetarët e botës në çdo vend, qoftë dhe në diktaturë, janë më të përfillur nga drejtësia e tyre se sa në Shqipëri. Drejtësi e munguar. Drejtësia 16 vjet në pritje, është drejtësi që mungon, drejtësi që krijon ato shpërthime që ne pamë nga ekzekutimi publik në sallën e gjyqit të gjykatësit, që kurrë nuk pranohet sigurisht”, nënvizoi ai.

Sipas tij, shqiptarët sot janë të privuar nga një e drejtë që e kanë gëzuar edhe në periudhat më të errëta të historisë.

“Kemi të bëjmë me mohimin e një të drejte që shqiptarët e kanë gëzuar që nga koha kur janë ndarë nga shoqëria para shtetërore. As në kohën e perandorisë osmane, as gjatë diktaturës, qytetarët nuk kanë pritur kaq gjatë për drejtësi”.