BERZH: Gratë janë më të shqetësuara për klimën, por kanë më pak qasje në kreditë e gjelbra

Në Maqedoninë e Veriut, gratë kanë llogari bankare dhe karta krediti në të njëjtin nivel si burrat, por kanë përfituar vetëm 28 për qind të kredive të ofruara përmes Programit për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (Green Economy Financing Facility – GEFF). Këtë e tregon studimi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), shkruan […]

BERZH: Gratë janë më të shqetësuara për klimën, por kanë më pak qasje në kreditë e gjelbra
Gjelbëri, ndryshime klimatike, moti

Në Maqedoninë e Veriut, gratë kanë llogari bankare dhe karta krediti në të njëjtin nivel si burrat, por kanë përfituar vetëm 28 për qind të kredive të ofruara përmes Programit për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër (Green Economy Financing Facility – GEFF). Këtë e tregon studimi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), shkruan Radio Evropa e Lirë. 

Rezultatet tregojnë një hendek prej pothuajse 10 milionë eurosh më pak financim të gjelbër për gratë. Sipas studimit, gratë tregojnë më shumë shqetësim për ndryshimet klimatike dhe shpesh investojnë më shumë në zgjidhje të qëndrueshme, megjithatë kanë më pak mundësi për të marrë kredi të gjelbra. Veçanërisht gratë e reja përballen me barriera shtesë në qasjen ndaj kredive për shkak të kontratave të përkohshme të punës, lejes së lindjes apo kujdesit të papaguar për familjarët, të cilat kufizojnë pjesëmarrjen e tyre në tregun formal të punës. Këta faktorë strukturalë ndikojnë që gratë të kenë më pak përfshirje financiare dhe më pak mundësi për të investuar në ekonomi të gjelbër. 

Sipas të dhënave të BERZH-it, gratë që arrijnë të përfitojnë kredi nga programi GEFF marrin shuma më të mëdha sesa mesatarja e përgjithshme e kredive.
Kështu, shuma mesatare e një kredie për gratë është 8.529 euro, ndërsa mesatarja e përgjithshme e programit është 5.605 euro.
Sipas BERZH-it, kjo tregon se gratë bëjnë investime të rëndësishme kur u krijohet mundësia. 

Studimi thekson edhe aspektin ekonomik dhe afarist të zgjerimit të financimit të gjelbër për gratë. Gratë shfaqin ndërgjegjësim më të madh klimatik, 74 për qind e tyre shprehin shqetësim për rreziqet klimatike, krahasuar me 61 për qind të burrave. Megjithatë, ato mbeten më pak të përfaqësuara në financimin e gjelbër.
Këto rezultate, sipas BERZH-it, tregojnë një mundësi të rëndësishme për institucionet financiare që të zgjerojnë tregun e tyre, duke krijuar produkte të përshtatura për nevojat e grave dhe duke adresuar barrierat gjinore në sistemin financiar. 

“Ky studim është i rëndësishëm sepse, përmes përmirësimit të mbledhjes së të dhënave dhe evidentimit të pabarazive gjinore, mund të ndihmojmë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së grave në ekonominë e gjelbër,” – deklaroi Fatih Turkmenoglu, përfaqësues i BERZH-it në Maqedoninë e Veriut. 

Përfaqësuesja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Marie Madeleine Kanellopoulou, theksoi se barazia gjinore është komponentë thelbësore e të gjitha politikave të BE-së që zbatohen në Maqedoninë e Veriut.
Sipas saj, përputhja e objektivave të barazisë gjinore me neutralitetin klimatik kontribuon në zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. 

“Këto të dhëna na ndihmojnë të kuptojmë më mirë nevojat e tregut, pengesat që përballin gratë sipërmarrëse dhe mënyrën se si mund të ndërtojmë kapacitete për veprime klimatike të ndjeshme ndaj gjinisë në të ardhmen,” shtoi ajo. 

Programi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër i BERZH-it vepron në Maqedoninë e Veriut që nga viti 2017, duke ofruar mbështetje financiare për pronarët e shtëpive që investojnë në teknologji për kursim energjie, në bashkëpunim me bankat lokale. 

Deri më tani, programi ka mbështetur gati 5.000 pronarë banesash për investime në përmirësimin energjetik të shtëpive të tyre. 

Studimi ofron edhe rekomandime për institucionet financiare që duan të përmirësojnë qasjen e grave në financimin klimatik, përfshirë: përdorimin e marketingut të përshtatur për gra, kanale më të mira informimi dhe rritjen e ndërgjegjësimit për mundësitë e financimit të personalizuara sipas nevojave të tyre. 

Programi GEFF në Ballkanin Perëndimor është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.