Çashka përballë KSHZ-së: Të mos manipulohet me vullnetin e qytetarëve
Ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) po shqyrton pesë ankesa për votimet në komunën e Çashkës, dhjetëra banorë të kësaj komune protestojnë para selisë së KSHZ-së në Shkup. Protestuesit kërkojnë: “të mos manipulohet me vullnetin e qytetarëve dhe vendimi i komisionit të jetë i drejtë e transparent”, shkruan Portalb.mk. Në rend dite të mbledhjes së […]


Ndërsa Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) po shqyrton pesë ankesa për votimet në komunën e Çashkës, dhjetëra banorë të kësaj komune protestojnë para selisë së KSHZ-së në Shkup. Protestuesit kërkojnë: “të mos manipulohet me vullnetin e qytetarëve dhe vendimi i komisionit të jetë i drejtë e transparent”, shkruan Portalb.mk.
Në rend dite të mbledhjes së KSHZ-së është shqyrtimi i pesë ankesave të parashtruara nga VMRO-DPMNE dhe LSDM, që kanë të bëjnë me parregullsi të supozuara në procesin e votimit në disa vendbanime të Çashkës. Sipas njoftimeve, dy ankesa janë për qendrën e votimit në Jabollçishtë të Epërme, një në Jabollçishtë të Poshtme dhe një tjetër në fshatin Mellnicë.
Ankesat lidhen kryesisht me pajisjet biometrike të identifikimit të votuesve, ndonëse, siç thuhet në raport, të gjithë votuesit ishin të regjistruar në listat e printuara të votimit.
Kandidati i AKI-së, Suat Shaqiri, i cili ka fituar garën në rrethin e parë, shprehet se ka dyshime se ankesat janë bërë mbi baza etnike. Në një prononcim për TV21, ai tha se gjatë ditës së votimit nuk është paraqitur asnjë ankesë nga anëtarët e komisioneve zgjedhore komunale dhe as nga vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it.
“Është për t’u habitur që në të gjitha vendbanimet me shumicë maqedonase gjithçka paska qenë në rregull, ndërsa vetëm në ato shqiptare paskan ndodhur manipulime! Kjo është një gënjeshtër e pastër, një mashtrim institucional,” deklaroi Shaqiri.
Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente dhe anëtarëve të KSHZ-së që ta trajtojnë çështjen me profesionalizëm dhe paanshmëri, duke e cilësuar si “rast që kërkon vëmendje të veçantë dhe mbikëqyrje serioze”.
Sipas rezultateve paraprake, AKI ka fituar shumicën në Çashkë që në rrethin e parë të zgjedhjeve, ndërsa qytetarët kanë votuar gjithsej gjashtë këshilltarë shqiptarë nga njëmbëdhjetë sa ka këshilli komunal.
“Protesta vjen pas një procesi të rregullt, transparent dhe demokratik të zgjedhjeve lokale, ku qytetarët e Çashkës shprehën qartë vullnetin e tyre për ndryshim dhe përfaqësim të drejtë. Nuk do të lejojnë që vullneti i lirë i qytetarëve të manipulohet apo të bëhet peng i interesave politike, dhe kërkojnë nga institucionet që të mbrojnë ligjshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e një grupi të banorëve të Komunës së Çashkës.
Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Raundi i dytë do të mbahet më 2 nëntor.