Gjykimi për zjarrin në “Puls” që do të nisë më 19 nëntor do ta përfaqësojnë 15 prokurorë, Komiteti i Helsinkit kërkon transparencë
Komiteti i Helsinkit do të monitorojë procesin gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 të rinj dhe u plagosën mbi 200. Seanca e parë gjyqësore është caktuar për 19 nëntor, ndërsa në aktakuzë përfshihen 34 persona fizikë dhe tre juridikë, përfshirë ish-zyrtarë publikë. Komiteti kërkon proces të drejtë, transparent […]

Komiteti i Helsinkit do të monitorojë procesin gjyqësor për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 të rinj dhe u plagosën mbi 200. Seanca e parë gjyqësore është caktuar për 19 nëntor, ndërsa në aktakuzë përfshihen 34 persona fizikë dhe tre juridikë, përfshirë ish-zyrtarë publikë. Komiteti kërkon proces të drejtë, transparent dhe pa vonesa, duke theksuar rëndësinë e respektimit të viktimave dhe familjeve të tyre. Familjet paralajmërojnë marsh për drejtësi më 15 nëntor në Shkup. Prokurori Publik Ljupço Kocevski njofton se hetimet ndaj zyrtarëve të policisë dhe DAP-it janë në faza të avancuara, ndërsa rreth 15 prokurorë do të angazhohen për të siguruar ecuri pa vonesa të gjykimit, transmeton Portalb.mk.
Hetimi ndaj zyrtarëve të policisë në lidhje me zjarrin në diskotekën Pulse në Koçani ishte planifikuar të përfundonte deri në fund të shtatorit të këtij viti, megjithatë, kishte rrethana objektive rreth marrjes në pyetje të dëshmitarëve të caktuar, me atë që me shumë gjasa në fillim të muajit të ardhshëm do të merret edhe vendim i prokurorit publik, tha prokurori publik i Republikës Ljupço Kocevski, i pyetur për ecurinë e hetimeve të tjera dhe hetimeve paraprake për zjarrin në diskotekën Pulse në Koçan.
Lidhur me hetimin paraprak ndaj zyrtarëve të DAP-it, Kocevski tha se po zhvillohet një procedurë hetimore paraprake në Prokurorinë Publike në Koçan dhe prokurori publik kompetent ka dhënë udhëzime dhe urdhra të caktuara që autoritetet kompetente të ndërmarrin veprime të caktuara procedurale.
“Për atë ditë nuk mund të themi ende asgjë më shumë”, tha Kocevski.
Gjyqi në rastin e zjarrit në diskotekën Pulse në Koçani fillon javën e ardhshme dhe, siç tha Kocevski, Prokuroria Publike është plotësisht e pajisur dhe tashmë është dakorduar për mënyrën se si prokurorët do ta përfaqësojnë çështjen, duke shprehur besim se Prokuroria Publike nuk do të ketë probleme me gjykimin.
“Prokurorët e njëjtë që kanë qenë atje deri më tani do ta përfaqësojnë prokurorinë në sallën e gjyqit, por duhet të theksoj se dje patëm takim dhe ndoshta do të angazhojmë edhe disa prokurorë të tjerë, duke marrë parasysh që kjo nuk do ta vështirësojë ose prishë procedurën e prokurorëve të tjerë që kanë raste të tjera, që do të thotë se jo të gjithë prokurorët do të jenë gjithmonë të pranishëm, por gjithmonë do të ketë prokurorë në mënyrë që procedura të mos zvarritet ose shtyhet për shkak, le të mos themi, për faj të prokurorisë”, tha Kocevski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske para seancës së sotme të Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Numri i prokurorëve që do të veprojnë për rastin, siç shpjegoi Kocevski, së bashku me ata të punësuar shtesë, mund të jetë 15 prokurorë publikë.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut nga ana tjetër tha se do të monitorojë procedurat gjyqësore në lidhje me zjarrin tragjik në diskotekën e improvizuar “Puls” në Koçan.
“Aktakuza përfshin 34 persona fizikë dhe tre persona juridikë, përfshirë ish-ministra, kryetarë komunash, drejtorë, inspektorë dhe persona përgjegjës në kompani të lidhura me klubin e natës. Komiteti i Helsinkit kujton se kohëzgjatja e procedurave për vepra të rënda penale përbën shkelje të së drejtës për gjykim efektiv, dhe çdo vonesë thellon dhimbjen e familjeve dhe minon besimin e qytetarëve në institucione. Komiteti i bën thirrje gjyqësorit të sigurojë ngjykim publik, të drejtë dhe të paanshëm, llogaridhënie të plotë për të gjithë ata, veprimet ose mosveprimet e të cilëve kontribuan në tragjedi, dhe mbrojtje të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre gjatë gjithë procesit. Komiteti shpreh mbështetje për familjet e viktimave të cilat kanë njoftuar marsh për drejtësi në Shkup më 15 nëntor (e shtunë), i cili do të fillojë në Sheshin Maqedonia dhe më pas përmes Parlamentit për të përfunduar në Gjykatën Themelore Penale. Aktivizmi qytetar dhe protesta paqësore janë forma legjitime të shprehjes së pakënaqësisë dhe kujtesë se drejtësia nuk duhet të vonohet. Ajo duhet të jetë e disponueshme për të gjithë, pavarësisht nga pozicioni dhe ndikimi i të akuzuarve”, tha Komiteti i Helsinkit.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë. Prokuroria ka ngritur akuza kundër 34 personave të cilët, nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve të tyre brenda sistemit, shkaktuan katastrofën. Aktakuza përfshin gjithashtu tre kompanitë e pronarit të diskotekës, i cili është i pandehuri kryesor.
- LEXO: Gjykimi për zjarrin në diskotekën e Koçanit me 63 viktima do të fillojë më 19 nëntor, ndërsa aktakuza u ngrit më 2 korrik
- LEXO: 34 persona fizikë dhe tre personash juridikë janë akuzuar për zjarrin në Koçan, procedura për dy ish-ministra është ndërprerë
- LEXO: Tragjedi në Koçan: 63 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj
