FNA: Universiteti i Tetovës shpenzoi afër 40 mijë euro për dreka e darka, ndërsa studentët nuk kanë laboratorë e bibliotekë të denjë
Universitet i Tetovës ka shpenzuar 38.038 euro për ushqime nëpër restorante nga janari në shtator, edhe pse të njëjtit i mungojnë laboratorë dhe bibliotekë e denjë ku studentët mund të mësojnë, akuzojnë nga Forumi për Ndryshime Arsimore – FECH, transmeton Portalb.mk. “Universitetit të Tetovës i mungojnë laboratorët dhe një bibliotekë e denjë ku studentët mund […]


Universitet i Tetovës ka shpenzuar 38.038 euro për ushqime nëpër restorante nga janari në shtator, edhe pse të njëjtit i mungojnë laboratorë dhe bibliotekë e denjë ku studentët mund të mësojnë, akuzojnë nga Forumi për Ndryshime Arsimore – FECH, transmeton Portalb.mk.
“Universitetit të Tetovës i mungojnë laboratorët dhe një bibliotekë e denjë ku studentët mund të mësojnë, por jo aroma e biftekut që del nga “takimet akademike”. Afërsisht 40 mijë euro janë harxhuar për dreka e darka, sepse kur mungon dija, gjithmonë ka vend për pjata me mish e peshk. Studentët marrin nga 2,30 euro për një vakt ushqimor ndërkohë që UT-ja, vetëm për një darkë, në një nga qebaptoret në qendër të Tetovës, ka shpenzuar 995 euro, mjaftueshëm sa për t’i ushqyer 430 studentë”, thuhet në reagim.
Ata shtojnë se Universiteti i Tetovës ka regres në çdo matje ndërkombëtare, përveç te faturat e mishit, të cilat vetëm shënojnë rritje.
“FNA-ja kërkon që Rektori Jusuf Zejneli të tregojë publikisht, si është e mundur që çdo muaj të harxhohen afërsisht 4.500 euro nëpër restorante? FNA-ja ka hulumtuar edhe harxhimet e universiteteve tjera publike në Maqedoninë e Veriut dhe rezulton se asnjë prej tyre nuk shpenzon as sa çereku i UT-së. Për fund, çdo harxhim i dyshimtë duhet hetuar, sepse Universiteti i Tetovës nuk mund të ndërtojë reputacion me fatura restorantesh, por me transparencë, dije dhe dinjitet akademik”, thuhet në fund të reagimit.
Kujtojmë se në gusht, Forumi për Ndryshim Arsimor informoi për projektet-hulumtuese që Ministria e Arsimit dhe Shkencës kishte zgjedhur të i financojë. Prej gjithsej 40 projekteve, nga FNA thanë se 29 i janë ndarë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” ndërsa prej 3 universiteteve shqiptare, vetëm 1 projekt i është ndarë Universitetit të Tetovës.