Haxhiu me kërkesë ndaj ambasadorëve: Partnerët tanë duhet ta dinë se edhe sot po gjenden dëshmi të krimeve të luftës

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje ambasadorëve të Kosovës që në vendet ku shërbejnë të ngrenë çështjet që lidhen me Serbinë, krimet e luftës dhe zhvillimet që, sipas saj, paraqesin kërcënim për sigurinë e Kosovës.
Në Konferencën e nëntë të Ambasadorëve të Kosovës, Haxhiu tha se raportet me Serbinë mbeten një prej sfidave kryesore të politikës së jashtme.
Ajo kërkoi që në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë të vazhdojë të adresohet përgjegjësia e Serbisë për sulmin terrorist në Banjskë, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, si dhe çështja e personave të zhdukur gjatë luftës.
“Raportet me Serbinë mbeten një nga sfidat kryesore të politikës së jashtme të Kosovës. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve, qytetarëve të tjerë dhe dorëzimin e kryeterroristit Milan Radoiçiq dhe të tjerëve. Po ashtu, zbardhjen e fatit të mbi 1500 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Adresimi i këtyre çështjeve është pjesë e domosdoshme e çdo procesi që synon normalizim të vërtetë dhe të qëndrueshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e ndjeshme në dritën e zhvillimeve të fundit, ku në Zubin Potok janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se iu përkasin viktimave të luftës, ndërkaq institucionet tona po punojnë edhe për një lokacion të tretë të dyshuar për varrezë masive. Për diplomatët tanë kjo duhet të jetë një çështje e vazhdueshme e komunikimit me qeveritë dhe institucionet e vendeve ku shërbejnë. Partnerët tanë duhet ta dinë se edhe sot po gjenden dëshmi të reja të krimeve të luftës. Prandaj duhet t’i bëhet presion Serbisë që t’i hapë arkivat”, tha ajo.
Haxhiu e konsideroi shqetësuese deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
Ajo tha se diplomatët kosovarë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata te partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar rëndësinë e Ibër-Lepencit dhe liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, energjinë dhe bujqësinë.
“Një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohet me partnerët tanë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e sistemit jetik për furnizim me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore do të kishte pasoja shumë më tej përtej çështjeve teknike. Do të prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Kosovës. Diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në vendet ku shërbejnë”, shtoi ajo.
Në adresimin e saj, Haxhiu foli edhe për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo e cilësoi raportin me SHBA-në si vendimtar për Kosovën, por tha se ndryshimi i gjeneratave në politikën amerikane paraqet nevojë për një angazhim të vazhdueshëm për ruajtjen e mbështetjes dhe lidhjeve me Kosovën.
Sipas Haxhiut, në këtë drejtim një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.
“Marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë vendimtare për Kosovën dhe historia jonë e përbashkët mbetet një lidhje e fortë. Megjithatë, duhet ta themi që brezi i politikanëve amerikanë që e kanë jetuar drejtpërdrejt Kosovën e viteve të 90-ta po tkurret, pasi breza të rinj po hyjnë në Kongres, administratë dhe media. Shumë prej tyre nuk e kanë Kosovën pjesë të kujtesës së politikës personale. Në këtë punë mund të mbështetemi shumë më tepër te diaspora, ku shqiptarët në SHBA dhe Evropë kanë luajtur prej kohësh rol të rëndësishëm për Kosovën”, përfundoi ajo.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



