Presion politik dhe mungesë resursesh, gjyqësori në RMV ende shumë larg standardeve të BE-së
Funksionimi i gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga sfidat kryesore të vendit në procesin e integrimit evropian. Raporti i BE-së për vitin 2025 thekson se pavarësia dhe efikasiteti i sistemit vazhdojnë të minohen nga ndërhyrjet politike, presioni institucional dhe mungesa e burimeve njerëzore e financiare. Edhe pse vendi ka nisur zbatimin e Strategjisë […]

Funksionimi i gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut mbetet një nga sfidat kryesore të vendit në procesin e integrimit evropian. Raporti i BE-së për vitin 2025 thekson se pavarësia dhe efikasiteti i sistemit vazhdojnë të minohen nga ndërhyrjet politike, presioni institucional dhe mungesa e burimeve njerëzore e financiare. Edhe pse vendi ka nisur zbatimin e Strategjisë për Reformën Gjyqësore 2024-2028 dhe ka ndërmarrë hapa në drejtim të rritjes së transparencës, progresi mbetet i kufizuar. Rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht, duke lënë të hapura çështjet më të ndjeshme që kërkojnë vullnet të fortë politik dhe kapacitete të fuqizuara institucionale, raporton Portalb.mk.
Një ndër problemet më të theksuara në raport është ndërhyrja e degëve të tjera të pushtetit në punën e gjyqësorit. Përpjekjet e Parlamentit për të ushtruar presion ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, duke kërkuar dorëheqjet e tyre, shihet si shkelje e drejtpërdrejtë e pavarësisë së këtij institucioni. Kjo cenon jo vetëm funksionimin e Këshillit, por edhe besimin e publikut në drejtësi, i cili prej vitesh mbetet i ulët.
“Sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut është midis një niveli të caktuar dhe një niveli të moderuar përgatitjeje dhe nuk ka bërë asnjë përparim. Vendi filloi zbatimin e Strategjisë për Reformën Gjyqësore (2024-2028) dhe vazhdoi të zbatojë rekomandimet e misionit vëzhgues nga kolegët e BE-së të vitit 2023 mbi Këshillin Gjyqësor. Pavarësia e përgjithshme dhe autonomia financiare e gjyqësorit minohet nga ndërhyrja dhe presioni nga degët e tjera shtetërore, duke përfshirë përpjekjet e Parlamentit për të ushtruar presion mbi anëtarët e Këshillit Gjyqësor që të japin dorëheqjen, dhe burimet e ndara të kufizuara financiare”, thuhet në raport.
Një dimension tjetër shqetësues është mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore. Gjyqësori përballet me deficit të gjyqtarëve, nëpunësve dhe kapaciteteve teknike, duke ndikuar në efikasitetin e trajtimit të lëndëve, rritjen e vonesave dhe uljen e cilësisë së vendimmarrjes gjyqësore. Këto mangësi vështirësojnë zbatimin e reformave dhe realizimin e standardeve evropiane që kërkohen në procesin e anëtarësimit.
“Mungesa e personelit në gjyqësor është shqetësuese pasi ndikon në cilësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë”, thuhet në raport.
Raporti thekson domosdoshmërinë për të rishikuar kuadrin ligjor të Këshillit Gjyqësor, në përputhje me rekomandimet e ekspertëve të BE-së dhe të Komisionit të Venedikut, duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie të vazhdueshme.
Një nga prioritetet mbetet funksionalizimi i plotë i sistemit AKMIS, një mekanizëm thelbësor për shpërndarjen e drejtë dhe automatike të lëndëve gjyqësore. Raporti kërkon që ky sistem të jetë i unifikuar, i besueshëm dhe i lidhur ngushtë me metodologjitë e vlerësimit të gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave. Pa një AKMIS tërësisht operativ, rrezikohet vazhdimi i praktikave të ndërhyrjes dhe manipulimit me rastet gjyqësore.
Në përgjithësi, raporti i këtij viti rikujton se reformat në gjyqësor mbeten një proces i ndërlikuar dhe afatgjatë, i cili kërkon angazhim të qëndrueshëm politik, rritje të kapaciteteve dhe zbatim të vendosur të rekomandimeve evropiane. Pa garantuar pavarësi të vërtetë gjyqësore, asnjë përparim i qëndrueshëm në rrugën drejt BE-së nuk mund të realizohet.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar u zbatuan vetëm në një masë të kufizuar dhe për këtë arsye mbeten kryesisht të vlefshme.
Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:
- Të miratojë një Ligj të ri për procedurën civile, në përputhje me standardet evropiane, dhe të përshpejtojë zbatimin e Strategjisë për Reformën Gjyqësore;
- Të forcojë Këshillin Gjyqësor duke miratuar një kuadër legjislativ të rishikuar dhe të vazhdojë të rrisë transparencën dhe pavarësinë e tij, në përputhje me rekomandimet e misionit të rishikimit nga kolegët të vitit 2023 dhe mendimin e Komisionit të Venedikut, dhe të përshpejtojë zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe shërbimin e prokurorisë publike;
- Të sigurojë që Sistemi i Automatizuar i Informacionit për Menaxhimin e Çështjeve Gjyqësore (AKMIS) të jetë plotësisht funksional dhe i pajtueshëm me nivelin e kompleksitetit të çështjeve gjyqësore dhe metodën për vlerësimin e gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave.
Përndryshe, më 4 nëntor u publikua Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në. Sipas raportit, Maqedonia e Veriut mbetet vetëm pjesërisht e përgatitur në luftën kundër korrupsionit dhe nuk ka shënuar progres, ndërsa korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur dhe shqetësues. Prokuroria dhe njësitë hetimore vuajnë nga mungesa e stafit dhe burimeve, ndërsa rastet e korrupsionit të nivelit të lartë shpesh vonohen, parashkruhen ose përfundojnë me dënime minimale. Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të paadresuara. Vendit i kërkohet të miratojë Kodin e ri Penal, të zbatojë strategjitë antikorrupsion dhe të sigurojë burime të mjaftueshme për institucionet kyçe.
