Kori i Grave të Tetovës magjepsi ‘Albania’s Got Talent’, Tetova jehoi në skenën kombëtare të talentëve

Kori i Grave të Tetovës ka ndezur skenën e spektaklit “Albania’s Got Talent” me një paraqitje plot energji, elegancë dhe harmoni vokale që rrallë shihet në skenat televizive. Performanca e tyre magjepsi jurinë dhe publikun, duke sjellë një frymë të veçantë nga Tetova dhe duke dëshmuar se arti dhe pasioni nuk njohin kufij. Ky moment […]

Kori i Grave të Tetovës magjepsi ‘Albania’s Got Talent’, Tetova jehoi në skenën kombëtare të talentëve
Fotografi nga prezantimi i Korit të Grave të Tetovës në ‘Albania’s Got Talent’. Foto: Anita Aziri

Kori i Grave të Tetovës ka ndezur skenën e spektaklit “Albania’s Got Talent” me një paraqitje plot energji, elegancë dhe harmoni vokale që rrallë shihet në skenat televizive. Performanca e tyre magjepsi jurinë dhe publikun, duke sjellë një frymë të veçantë nga Tetova dhe duke dëshmuar se arti dhe pasioni nuk njohin kufij. Ky moment shënon një sukses të madh për ansamblin tetovar, që me vokalin e pastër dhe interpretimin mbresëlënës, bëri që emri i Tetovës të jehojë fuqishëm në skenën kombëtare të talentëve, shkruan Portalb.mk.

Këngëtarja Anita Aziri për Portalb.mk tha se në këtë spektakël u paraqitën me një program të këngës qytetare të rajoneve të ndryshme me një përgatitje intensive.

“Në ketë event u paraqitëm me një program të pasur me këngë qytetare shqiptare të rajoneve të ndryshme. Zgjodhëm këngë që tregojnë kulturën dhe emocionet e popullit tonë. Përgatitjet ishte intensive dhe shumë emocionuese. Shumicën e punës e bëmë vetë si kor, duke u stërvitur për pjesët përbërëse të këngëve si artikulimi melodik, ritmik, intonacioni, interpretimi artistik, teknika e të kënduarit, dinamika etj. Në përgatitjen e pjesëve të këndimit na ndihmuan edhe profesionistë të muzikës profesori dhe dirigjenti Jeton Pustina dhe unë Anita Aziri”, tha Aziri.

Ajo shtoi se paraqitja në këtë spektakël është një mënyrë për ta promovuar muzikën tradicionale të Tetovës dhe Pollogut, dhe është një përgjegjësi e madhe që si gra nga Tetova ta përfaqësojnë qytetin dhe gjithë rajonin në një garë të tillë.

“Po, padyshim! Pjesëmarrja jonë është një mundësi unike për të treguar bukurinë e muzikës tradicionale të këtij rajoni. Duam që publiku të njohë këngët e vjetra qytetare dhe emocionet që ato bartin, dhe të ndjejë lidhjen me kulturën tonë të pasur. Është një nder i madh dhe një përgjegjësi e madhe. Ndjejmë krenari që mund të përfaqësojmë jo vetëm Tetovën, por edhe gjithë Pollogun, duke treguar me zërin tonë traditën dhe kulturën tonë. Për ne, kjo është një mundësi për të ndarë historinë dhe identitetin tonë me të gjithë Shqipërinë”, tha Aziri.

Fotografi nga prezantimi i Korit të Grave të Tetovës në ‘Albania’s Got Talent’. Foto: Anita Aziri
Fotografi nga prezantimi i Korit të Grave të Tetovës në ‘Albania’s Got Talent’. Foto: Anita Aziri

Ajo shtoi se për ta, muzika qytetare nuk është vetëm këngë, është kujtesë, pasion dhe dashuri “për rrënjët tona”.

“Nëse fitojmë, këtë sukses do ta kthejmë në frymëzim për të rinjtë që të ruajnë e kultivojnë traditën tonë. Sigurisht, do të ishte një ëndërr të fitonim, por më e rëndësishme për ne është të përcjellim mesazhin tonë: pasioni për muzikën qytetare, bukuria e traditës dhe lidhja me rrënjët tona. Çdo reagim pozitiv nga publiku dhe juria është një shpërblim i madh për ne. Nëse fitojmë, do të përdorim këtë sukses për të nxitur më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, që të kujdesen për muzikën dhe traditën tonë. Do të organizojmë aktivitete dhe performanca që të ruajnë këngët qytetare dhe t’i bëjnë ato pjesë të jetës së përditshme të komunitetit tone”, tha Aziri.