KSHZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare për zgjedhjen e kryetarëve në 29 komuna dhe Qytetin e Shkupit
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e 155-të sot shpalli rezultatet zyrtare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale 2025 për zgjedhjen e kryetarëve në 29 komuna dhe qytetin e Shkupit, ndërsa ka kundërshtime për tre komuna – Bërvenicë, Karposh dhe Shuto Orizare, të cilat do të shqyrtohen sot në seancë publike të KSHZ-së në […]

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e 155-të sot shpalli rezultatet zyrtare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale 2025 për zgjedhjen e kryetarëve në 29 komuna dhe qytetin e Shkupit, ndërsa ka kundërshtime për tre komuna – Bërvenicë, Karposh dhe Shuto Orizare, të cilat do të shqyrtohen sot në seancë publike të KSHZ-së në orën 14:00, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, shpalli rezultatet zyrtare të raundit të dytë të Zgjedhjeve Lokale, ku Orce Gjorgjievski u zgjodh kryetar i Qytetit të Shkupit nga koalicioni “Maqedonia Juaj” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE.
Ai njoftoi se në KSHZ janë paraqitur 16 ankesa në lidhje me votimin për zgjedhjen e kryetarëve të komunave në komunat Bërvenicë, Karposh dhe Shuto Orizarë.
“Lidhur me këto ankesa, Komisioni Shtetëror Zgjedhor informon publikun se do të veprojë në një seancë publike brenda afatit ligjor sot duke filluar nga ora 14:00”, tha Kondarko.
Ai shtoi se në KSHZ janë paraqitur edhe tre ankesa në lidhje me votimin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit në Komunën Shuto Orizarë, ku më 2 nëntor 2025 u zhvillua rizgjedhje në tre vendvotimet.
“Prandaj, shpallja e rezultateve përfundimtare të votimit për Këshillin e Komunës Shuto Orizarë nuk do të shpallet sot, do të pritet derisa ankesat të përpunohen në seancën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, ndërsa pastaj pasi të vendoset për çdo padi para Gjykatës Administrative”, tha Kondarko.
Anëtarët e KSHZ-së gjithashtu konstatuan se Komisionet Komunale Zgjedhore në 29 komuna dhe Qytetin e Shkupit, për të cilat rezultatet përfundimtare për zgjedhjen e kryetarit u shpallën zyrtarisht sot, duhet të shpallin rezultatet përfundimtare të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Më 2 nëntor u zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa më 19 tetor u zhvillua rrethi i parë. Votimi në të dy raundet kaloi pa ndonjë incident serioz.
