KSHZ: Votimi në dy vendvotime në Kumanovë dhe në Shtip po zhvillohet pa pajisje për identifikim biometrik për shkak të problemeve teknike

Votimi në dy vendvotime, një në Kumanovë dhe një në Shtip, po zhvillohet pa përdorimin e pajisjeve për identifikim biometrik për arsye objektive dhe teknike, njoftoi kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Boris Kondarko, në konferencën për media, transmeton Portalb.mk. Në Kumanovë, në vendvotimin numër 1133 me 12 votues të regjistruar, votimi ka vazhduar me […]

KSHZ: Votimi në dy vendvotime në Kumanovë dhe në Shtip po zhvillohet pa pajisje për identifikim biometrik për shkak të problemeve teknike
Zgjedhje lokale 2025. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Votimi në dy vendvotime, një në Kumanovë dhe një në Shtip, po zhvillohet pa përdorimin e pajisjeve për identifikim biometrik për arsye objektive dhe teknike, njoftoi kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Boris Kondarko, në konferencën për media, transmeton Portalb.mk.

Në Kumanovë, në vendvotimin numër 1133 me 12 votues të regjistruar, votimi ka vazhduar me sprej UV dhe llambë UV, pasi ekipet e EVN-së konstatuan se ndërhyrja për rikthimin e energjisë elektrike do të zgjaste të paktën një orë e gjysmë.

Një vendim i ngjashëm është marrë edhe për vendvotimin 2271 në Shtip, ku ka 507 votues. Edhe pse u provua me dy pajisje dhe karta rezervë, personeli i TI-së nuk arriti ta aktivizojë pajisjen për identifikim biometrik.

“Kjo do të thotë se në të gjithë vendin, nga gjithsej 3.474 vendvotime që janë hapur në kohë dhe funksionojnë rregullisht, votimi pa pajisje për identifikim biometrik po zhvillohet vetëm në dy vendvotime. Këto janë faktorë objektivë teknikë, një përqindje e papërfillshme,” tha Kondarko.

Kryetari i KSHZ-së kujtoi se vitin e kaluar, në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ishte marrë një vendim i ngjashëm për gjashtë vendvotime. Ai shtoi se deri në këtë moment, votimi po zhvillohet pa asnjë vështirësi apo problem.