Kupola e Artë: Trump shpalos konceptin miliarda dollarësh për sistemin e ri kundërajror
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpalosur konceptin për programin e ardhshëm të mbrojtjes ajrore: Kupola e Artë. Ky kundërajror shumështresor, në vlerë 175 miliardë dollarë, nënkupton se Amerika do të vendosë armë në hapësirë për herë të parë. Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se pret që sistemi ta nisë punën [...]Read More...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpalosur konceptin për programin e ardhshëm të mbrojtjes ajrore: Kupola e Artë. Ky kundërajror shumështresor, në vlerë 175 miliardë dollarë, nënkupton se Amerika do të vendosë armë në hapësirë për herë të parë.
Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se pret që sistemi ta nisë punën plotësisht para përfundimit të mandatit të tij, i cili mbaron në vitin 2029 e të ketë aftësinë për t’i ndalur raketat, madje edhe nëse lëshohen nga hapësira.
Një zyrtar amerikan deklaroi se ka më shumë gjasa që ky sistem kompleks të ketë kapacitet fillestar deri atëherë. Trump gjithashtu njoftoi se gjenerali Michael Guetlein, i cili aktualisht shërben si zëvendësshef i operacioneve hapësinore do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e përparimit të Kupolës së Artë.
Kupola e Artë parashikohet të përfshijë kapacitete, nga toka dhe nga hapësira, të cilat janë në gjendje të zbulojnë dhe ndalojnë raketat në katër fazat kryesore të një sulmi të mundshëm: zbulimi e shkatërrimi para lëshimit, ndalimi në fazën më të hershme të fluturimit, ndalimi gjatë rrugëtimit të tyre në ajër ose ndalimi në minutat e fundit gjatë rënies së tyre mbi objektiv.
Në muajt e fundit, planifikuesit e Pentagonit kanë zhvilluar opsione, të cilat zyrtari amerikan i përshkroi si të mesme, të larta e “jashtëzakonisht të larta” bazuar në kostot e tyre që përfshijnë raketa kundërajrore në hapësirë. Zyrtari foli në kushte anonimiteti, pasi këto plane nuk janë bërë ende publike.
Dallimi mes tri versioneve qëndron kryesisht në numrin e satelitëve dhe sensorëve e për herë të parë, raketave kundërajrore nga hapësira që do të bliheshin.
Zyra e Buxhetit të Kongresit vlerësoi këtë muaj se vetëm komponentët e Kupolës së Artë, të vendosur në hapësirë, mund të kushtojnë deri në 542 miliardë dollarë gjatë 20 viteve të ardhshme. Trump ka kërkuar një financim fillestar prej 25 miliardë dollarësh për programin në projektligjin e tij për uljen e taksave, i cili është duke kaluar në Kongres.
Pentagoni ka paralajmëruar prej vitesh se raketat më të reja të zhvilluara nga Kina dhe Rusia janë aq të avancuara saqë nevojiten masa të përditësuara mbrojtjeje. Satelitët dhe raketat shtesë kundërajrore të Kupolës së Artë që përbëjnë pjesën më të madhe të kostos së programit do të përqendrohen në ndalimin e raketave të avancuara në fazat e hershme apo gjatë fluturimit.
Armët hapësinore të parashikuara për Kupolën e Artë përfaqësojnë kërkesa të reja dhe në zhvillim për misione që nuk janë realizuar kurrë më parë nga organizatat ushtarake hapësinore, deklaroi gjenerali Chance Saltzman, shefi i Forcës Hapësinore të SHBA-ve, para ligjvënësve, në një seancë dëgjimore.
Kina dhe Rusia kanë vendosur armë sulmuese në hapësirë, si satelitë me aftësi për t’i çaktivizuar satelitë e rëndësishëm amerikanë, duke i bërë SHBA-të të cënueshme ndaj sulmeve. /abcnews.al