Kurti: Zgjerimi ushtarak i Serbisë lidhet me synimet e saj hegjemoniste

Kurti: Zgjerimi ushtarak i Serbisë lidhet me synimet e saj hegjemoniste

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë përbën pjesë të një strategjie më të gjerë politike dhe diplomatike, e cila, sipas tij, lidhet me synimet hegjemoniste të Beogradit në rajon dhe veçanërisht ndaj Kosovës.

“Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë, përfshirë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon. Zgjërimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanërisht Kosovës”, ka theksuar Kurti në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila po mbahet në Prishtinë me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”.

Në fjalën e tij, Kurti tha se mjedisi ndërkombëtar është bërë më kompleks dhe se roli i ambasadorëve nuk kufizohet më vetëm në marrëdhëniet tradicionale ndërmjet shteteve.

“Angazhimi përtej marrëdhënieve tradicionale shtet me shtet imponon më shumë se sa përfaqësim formal. Ai kërkon punë të vazhdueshme për të krijuar kontakte, për të ndërtuar partneritete dhe për të hapur mundësi të reja për vendin”, tha Kurti.

Ai foli edhe për ndryshimet në sigurinë globale, duke përmendur tensionet gjeopolitike, konkurrencën ndërmjet fuqive të mëdha, si dhe zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe informatikës kuantike.

Sipas Kurtit, agresioni rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar perceptimet për paqen dhe stabilitetin në Evropë.

“Që nga koha e agresionit rus kundër Ukrainës, supozimet e dikurshme mbi paqen dhe stabilitetin, të ndërtuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, nuk qëndrojnë më. Përdorimi i forcës ushtarake, kapaciteteve kibernetike, fushatave dezinformuese dhe ndikimit politik të Rusisë te vendet e tjera kanë nxjerrë në sipërfaqe natyrën në zhvillim e sipër të konflikteve moderne. Përmes veprimeve të saj, Rusia ka demonstruar se këto konflikte zhvillohen përtej fushëbetejave, duke uzurpuar hapësirën digjitale dhe duke prodhuar forma të reja të kërcënimeve hibride”, deklaroi ai.

Kryeministri në detyrë theksoi gjithashtu rrezikun që paraqesin fushatat e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit.

“Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion ndryshon edhe mënyrën e të bërit diplomaci. Diplomatët e ditëve të sotme duhet të merren edhe me menaxhimin e informacionit, edhe me luftimin e dezinformimit, e edhe me ruajtjen e besimit nga publiku. Është tejet e rëndësishme që të identifikoni dhe t’i kundërshtoni narrativat e rreme. Kjo mund të bëhet më së miri duke u ofruar informacion të mbështetur në fakte për arritjet tona dhe duke u angazhuar me akterë të ndryshëm joshtetëror edhe në platformat digjitale në kohë reale”, tha Kurti. /RTK

The post Kurti: Zgjerimi ushtarak i Serbisë lidhet me synimet e saj hegjemoniste appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.