Edhe mbeturinat e Kumanovës do të deponohen në Drislla të Shkupit

Mbeturinat nga Kumanova, duke filluar nga sot, do të transportohen përkohësisht dhe do të deponohen në deponinë e Drisllës në Shkup, njoftuan nga Ndërmarrja Publike „Pastrim dhe Gjelbërim“ dhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Dimitrievski falënderoi kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Shkupit, Orce Gjorgjievski, si dhe ekipin drejtues të deponisë së Drisllës për mbështetjen në zgjidhjen e përkohshme të problemit me transportimin dhe deponimin e mbeturinave.
Ai bëri të ditur se paralelisht do të vazhdojnë aktivitetet për sanimin e deponisë „Krasta“ dhe zgjidhjen e problemit.
„Në emrin tim personal dhe në emër të ekipit drejtues të Ndërmarrjes Publike ‘Pastërti dhe Gjelbërim’ – Kumanovë, u kërkoj falje bashkëqytetarëve të mi, të cilët për shkak të bllokimit të deponisë sonë po përballen me një problem serioz. Ai do të tejkalohet në afatin më të shkurtër të mundshëm“, deklaroi Dimitrievski përmes një postimi në Facebook.
Ndërkohë, Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Kumanovë, në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë, kërkoi veprim të koordinuar të institucioneve kompetente për zhbllokimin e rrugës drejt deponisë „Krasta“. Shtabi kërkon që mbeturinat e qytetit të vazhdojnë të deponohen në këtë lokacion.
Por, banorët e fshatit Pçinjë dhe të vendbanimeve përreth kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë bllokadën derisa të shuhet zjarri në deponi dhe të zgjidhet plotësisht problemi, i cili ka disa muaj që po zgjat. (INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



