27 MILIARDË EURO TRANSAKSIONE NË KOSOVË! Shifrat e BQK-së zbulojnë një ndryshim të madh në mënyrën si paguajnë qytetarët!

Përdorimi i kartelave bankare dhe shërbimeve elektronike po rritet në Kosovë. Në vitin 2025, numri i terminaleve POS u rrit për afro 45 për qind, ndërsa vlera totale e pagesave ndërbankare arriti në mbi 27 miliardë euro.
Kosova po shënon progres në zhvillimin e infrastrukturës së pagesave elektronike, duke dëshmuar një rritje të konsiderueshme të përdorimit të instrumenteve bankare dhe shërbimeve digjitale.
Të dhënat e raportit vjetor të Departamentit të Sistemeve të Pagesave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), për vitin 2025, tregojnë zgjerim të dukshëm të rrjetit të terminaleve POS, rritje të numrit të kartelave bankare dhe shtim të transaksioneve ndërbankare.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme është rritja e numrit të terminaleve POS, të cilat mundësojnë pagesat me kartela në biznese. Sipas raportit, Kosova kishte 30 mijë e 259 terminale POS në vitin 2025, krahasuar me 20 mijë e 882 një vit më parë. Kjo paraqet një rritje prej rreth 45 për qind brenda një viti.
Edhe numri i bankomatëve (ATM) ka shënuar rritje. Nga 635 ATM sa ishin në vitin 2024, numri i tyre arriti në 686 gjatë vitit 2025, shkruan ORAinfo.
Mbi 1.5 milionë kartela debiti në Kosovë
Të dhënat e BQK-së tregojnë se në vitin 2025 në Kosovë ishin aktive 1 milion e 546 mijë e 633 kartela debiti, ndërsa numri i kartelave të kreditit arriti në 218 mijë e 232.
Krahasuar me vitin 2020, numri i kartelave të debitit është rritur nga rreth 1.2 milionë në mbi 1.54 milionë, ndërsa kartelat e kreditit nga 175 mijë në mbi 218 mijë.
Një tjetër tregues i rëndësishëm është zgjerimi i shërbimeve bankare elektronike. Numri i llogarive E-Banking në Kosovë ka arritur në 1 milion e 225 mijë e 962 në vitin 2025, nga 411 mijë e 346 sa ishin në vitin 2020.
Pagesat ndërbankare kalojnë 21 milionë transaksione
Rritje është evidentuar edhe në numrin e pagesave ndërbankare. Sipas raportit, në vitin 2025 në Kosovë janë realizuar gjithsej 21 milionë e 989 mijë e 756 pagesa ndërbankare, kundrejt 12 milionë e 972 mijë e 235 pagesave në vitin 2020.
Po ashtu, vlera totale e këtyre pagesave ka arritur në 27 miliardë e 154 milionë euro gjatë vitit 2025.
Prej tyre, rreth 9.89 miliardë euro përbëjnë pagesat me vlera të vogla, ndërsa mbi 17.26 miliardë euro janë pagesa me vlera të mëdha.
Kosova në raport me vendet e rajonit
Në krahasimin me vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore, Kosova paraqitet me 19 mijë e 174 terminale POS për një milion banorë, duke qëndruar mbi Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën në këtë tregues.
Megjithatë, sa i përket numrit të bankomatëve për një milion banorë, Kosova ka 434 ATM, shifër më e ulët se në disa vende të përfshira në raport.
Të dhënat e raportit të BQK-së tregojnë se infrastruktura e pagesave elektronike në Kosovë ka shënuar zgjerim të ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit. Rritja e terminaleve POS, kartelave bankare, llogarive elektronike dhe transaksioneve ndërbankare dëshmon për një përdorim gjithnjë e më të madh të shërbimeve financiare digjitale në vend. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



