Mucunski thotë se detyra e anëtarëve të Komisionit të përbashkët me Bullgarinë është të debatojë dhe të nxjerrë përfundime bazuar në metoda shkencore
Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi sot se politika nuk ka të drejtë të ndërhyjë në lirinë akademike të Komisionit të ekspertëve maqedono-bullgar për çështje historike. Mucunski theksoi se detyrimi i anëtarëve është ekskluzivisht të debatojnë dhe të nxjerrin përfundime bazuar në metoda shkencore, pa presion ose caktim afatesh kohore, transmeton Portalb.mk. “Politika […]

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi sot se politika nuk ka të drejtë të ndërhyjë në lirinë akademike të Komisionit të ekspertëve maqedono-bullgar për çështje historike. Mucunski theksoi se detyrimi i anëtarëve është ekskluzivisht të debatojnë dhe të nxjerrin përfundime bazuar në metoda shkencore, pa presion ose caktim afatesh kohore, transmeton Portalb.mk.
“Politika nuk ka të drejtë të ndërhyjë në lirinë akademike. Detyrimi i anëtarëve të atij komisioni është të diskutojnë, të debatojnë dhe nëse arrijnë të nxjerrin disa përfundime bazuar në njohuritë e tyre shkencore. Pra, politika i ka hequr duart, meqenëse Qeveria drejtohet nga kryeministri Mickoski dhe meqenëse unë jam Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme”, tha Mucunski.
Lidhur me deklaratën e bashkëkryetarit bullgar, Angel Dimitrov, se Komisioni po ngec, Mucunski theksoi:
“Nëse do të komentoja për atë që tha zotri Dimitrov, dhe më besoni, kam një mendim personal si person, gjegjësisht shumë gjëra që ai ka thënë në periudhën e fundit, atëherë ndoshta do të arrija qëllimin që edhe ai e dëshiron, ta politizojë atë proces. E vetmja gjë që mund ta përsëris dhe e them shpesh këtë si individ që vjen nga mjedisi akademik është se ata duhet të punojnë si shkencëtarë brenda atij Komisioni”, shtoi Mucunski.
Mucunski shtoi se nuk do të komentonte për të mos e politizuar procesin, diçka që, sipas tij, ka ndodhur në të kaluarën.
Komisioni mbajti së fundmi takimin e tij të 38-të të rregullt në Shkup. Në takim u dorëzuan tekstet e reja shkollore për Historinë dhe Shoqërinë për klasat V dhe VI, dhe diskutimi mbi këtë temë do të vazhdojë në takimin e ardhshëm, i cili është planifikuar për gjysmën e parë të dhjetorit në Sofje.
Komisioni i përbashkët multidisiplinar i ekspertëve për çështje historike dhe arsimore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u krijua si rezultat i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të nënshkruar më 1 gusht 2017.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
