Në prezantimin e Paketës së Zgjerimit të BE-së, Maqedonia u përmend e fundit vetëm me një porosi: bëni ndryshimet kushtetuese

Maqedonia e Veriut u përmend shumë shkurtimisht nga Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit të vitit 2025 të Bashkimit Evropian sot në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, njofton Portalb.mk. Pasi e lavdëroi Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën për përparimin e bërë në […]

Në prezantimin e Paketës së Zgjerimit të BE-së, Maqedonia u përmend e fundit vetëm me një porosi: bëni ndryshimet kushtetuese
Marta Kos, foto nga video e Parlamentit Evropian

Maqedonia e Veriut u përmend shumë shkurtimisht nga Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos gjatë prezantimitPaketës së Zgjerimit të vitit 2025 të Bashkimit Evropian sot në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, njofton Portalb.mk.

Pasi e lavdëroi Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën për përparimin e bërë në rrugën euro-integruese, si, në fund, në pjesën e vendeve që kanë ngecur i erdhi radha të përmendet Maqedonia, pas Serbisë dhe Bosnjës.

“Vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtare për të përparuar në negociata brenda këtij viti, Duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të ecur përpara në rrugën e saj eurointegruese” tha shkurt Kos.

Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia u përmendën disa herë nga ajo si vende që kanë arritur të kryejnë me sukses të madh detyrimet brenda një viti dhe madje përmendi data konkrete për mbarimin e negciatave dhe atë Mali i Zi deri në fund të 2026, Shqipëria deri në fund të 2027 kurse Ukraina dhe Moldavia në 2028.

“Shqipëria ka bërë përparim të paparë. Ky rezultat i jashtëzakonshëm është një njohje e qartë e angazhimit të fortë politik të Shqipërisë dhe aspiratave të shoqërisë së saj për në BE” tha ajo.

“Rezultatet e këtyre vendeve duhet të jenë shembull për vendet tjera kandidate” tha Kos.

Sipas Paketës së Zgjerimit të vitit 2025, Maqedonia duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese me qëllim që të përfshijë në Kushtetutë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët, siç theksohet në Konkluzionet e Këshillit të korrikut 2022, për të cilat vendi u zotua t’i nisë dhe t’i arrijë.

Gjithashtu, siç thuhet në paketë, Maqedonia e Veriut duhet të intensifikojë përpjekjet për të mbështetur sundimin e ligjit, duke mbrojtur pavarësinë dhe integritetin gjyqësor dhe duke forcuar luftën kundër korrupsionit.

“Vendi vazhdoi punën e saj për udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe për planin e veprimit për mbrojtjen e pakicave. Nevojitet veprim i mëtejshëm i shpejtë dhe vendimtar për standardet hapëse, në përputhje me kornizën negociuese, me qëllim që të hapet grupi i parë (klasteri) sa më shpejt të jetë e mundur dhe kur të plotësohen kushtet përkatëse” thuhet në Paketë.

Sa i përket Raportit të ri të progresit 2025, në të thuhet se ndonëse ka pasur progres të kufizuar në përafrimin teknik me Aquis-në e BE-së në disa fusha, vërehet pak ose aspak lëvizje në çështjet themelore dhe politikisht të ndjeshme. Vlerësimi i përgjithshëm tregon se reformat thelbësore të lidhura me BE-në ende duhet të zbatohen.

Grupi 1, i njohur si “Themeloret”, ka përjetuar ngecje në fushat e tij më kritike:

  • Demokracia dhe Ndryshimet Kushtetuese: Nuk është bërë asnjë progres në ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të përfshirë në Kushtetutë qytetarët që janë pjesë e popujve të tjerë (p.sh., bullgarët), një zotim thelbësor nga Konkluzionet e Këshillit të vitit 2022. Polarizimi politik në Parlament vazhdoi të pengonte miratimin e reformave të rëndësishme.
  • Sundimi i Ligjit dhe Gjyqësori: Vendi shënoi zero progres dhe mbetet midis një niveli të caktuar dhe të moderuar përgatitjeje. Korrupsioni mbetet një shqetësim i përhapur dhe serioz, me raste të profilit të lartë që shpesh përballen me vonesa, arrijnë afatin e parashkrimit, ose rezultojnë me dënime minimale.
  • Të Drejtat Themelore: Progresi ishte i kufizuar. Veçanërisht shqetësuese është çështja e kushteve të tmerrshme të jetesës në burgje.
  • Ekonomia: Ndërsa Maqedonia e Veriut është në një nivel të mirë përgatitjeje për një ekonomi funksionale të tregut, ajo bëri progres të kufizuar për shkak të vonesës në planet e konsolidimit fiskal dhe tejkalimit të objektivit fillestar të deficitit fiskal për vitin 2024.
  • Kushti Kryesor: Negociatat për hapjen e grupit të parë, Themeloret, do të nisin vetëm pasi të miratohen ndryshimet specifike kushtetuese

Progresi ishte i ndryshëm në pesë grupet (klasterët) e tjerë të anëtarësimit:

  • Grupi 2: Tregu i Brendshëm: Regjistroi progres të mirë në Lëvizjen e Lirë të Kapitalit, me Maqedoninë e Veriut që iu bashkua fushës gjeografike të skemave të Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA) në mars 2025. Megjithatë, fusha kryesore si Lëvizja e Lirë e Mallrave, Liria e Lëvizjes për Punëtorët, E Drejta e Kompanive dhe Politika e Konkurrencës shënuan zero progres.
  • Grupi 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse: Raportoi progres të mirë në Bashkimin Doganor, veçanërisht përmes përmirësimit të sistemeve të TI-së dhe lansimit të suksesshëm të Fazës 5 të Sistemit të Ri të Tranzitit të Kompjuterizuar (NCTS) në janar 2025. Gjithashtu bëri progres të mirë në Shkencë dhe Kërkim duke zhvilluar Strategjinë e Specializimit të Mençur.
  • Grupi 4: Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme: Arriti progres të caktuar në Energji me miratimin e një plani zbatimi për Tranzicion të Drejtë dhe një ligj të ri për energjinë. Në të kundërt, sektori thelbësor i Mjedisit dhe Ndryshimeve Klimatike është në një nivel të caktuar përgatitjeje dhe bëri progres të kufizuar, pasi zbatimi dhe zbatimi i ligjeve vazhdimisht mbeten prapa.
  • Grupi 5: Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni: Vuri në dukje progres të caktuar në Sigurinë e Ushqimit, Politikën Veterinare dhe Fitosanitare, por paralajmëroi se Dispozitat Financiare dhe Buxhetore mbeten në një fazë të hershme dhe dobësitë në kapacitetin administrativ rrisin rrezikun e çangazhimeve të mëtejshme të fondeve të BE-së.
  • Grupi 6: Marrëdhëniet e Jashtme: Dëshmoi progres të mirë në Politikën e Jashtme, të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke ruajtur përafrimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.