Nga heshtja drejt shërimit: Arjeta Musliu për betejat e padukshme të të rinjve
Në një kohë kur të rinjtë përballen me pasiguri, ankth dhe presione të shumta, shëndeti mendor po bëhet një ndër sfidat më të mëdha të brezit të ri. Por, në një shoqëri ku stigma ende i mban shumë prej tyre në heshtje, specialistja e shëndetit mendor Arjeta Musliu përpiqet të ndryshojë këtë realitet. Përmes punës […]

Në një kohë kur të rinjtë përballen me pasiguri, ankth dhe presione të shumta, shëndeti mendor po bëhet një ndër sfidat më të mëdha të brezit të ri. Por, në një shoqëri ku stigma ende i mban shumë prej tyre në heshtje, specialistja e shëndetit mendor Arjeta Musliu përpiqet të ndryshojë këtë realitet. Përmes punës së saj me të rinj dhe qendrës rehabilituese “Ri-Jeta”, ajo i jep zë temave që shpesh shmangen, varësitë, depresioni, mungesa e hapësirave të sigurta dhe nevoja për mbështetje emocionale. Në një intervistë për Portalb.mk, Musliu foli hapur për gjendjen psikologjike të të rinjve, boshllëqet në sistemin arsimor, rolin e prindërve dhe domosdoshmërinë për të trajtuar shëndetin mendor si pjesë thelbësore të mirëqenies njerëzore.
Portalb.mk: Cilat janë problemet psikologjike më të shpeshta që përballen të rinjtë sot?
Arjeta Musliu: Të rinjtë sot përballen me shumë sfida psikologjike që lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet në shoqëri, presionin akademik dhe pasigurinë për të ardhmen. Ndër më të shpeshtat janë ankthi, depresioni, stresi kronik, si dhe problemet e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit. Gjithashtu, vërehet rritje numrit të çrregullimeve të varësisë ndaj substancave, ndaj teknologjisë dhe rrjeteve sociale si dhe ndaj lojërave të fatit. Të rinjtë shpesh ndihen të mbingarkuar emocionalisht, me ndjesinë se nuk kanë kontroll mbi jetën e tyre, ndërkohë që mungesa e mbështetjes psikologjike në shkolla apo komunitete i bën këto probleme të mbeten të pa shprehura dhe shpesh të pa trajtuara.
Portalb.mk: Si ndikon stigma rreth shëndetit mendor që ende ekziston në shoqërinë tonë te të rinjtë që kanë nevojë për ndihmë?
Arjeta Musliu: Stigma mbetet një ndër pengesat kryesore për trajtimin e hershëm të çrregullimeve psikologjike. Të rinjtë shpesh kanë frikë se do të paragjykohen, se do të quhen “të çrregullt” apo “të dobët”, andaj shmangin kërkimin e ndihmës profesionale. Si pasojë, shumë të rinj e përballojnë dhimbjen në heshtje dhe arrijnë të kërkojnë ndihmë vetëm kur simptomat janë përkeqësuar. Lufta ndaj stigmatizimit kërkon edukim të vazhdueshëm të shoqërisë sonë duke përfshirë shembuj pozitivë që tregojnë se kujdesi për shëndetin mendor është po aq i rëndësishëm sa shëndeti fizik.

Portalb.mk: A ka dallime në mënyrën si e përjetojnë problemet psikologjike vajzat dhe djemtë e rinj në vend?
Arjeta Musliu: Po, dallimet janë të qarta si në mënyrën e përjetimit, ashtu edhe në shprehjen e emocioneve. Vajzat kanë tendencë të shprehen më hapur, të kërkojnë ndihmë dhe priren të përfshihen më lehtë në biseda për ndjenja. Djemtë, përkundrazi, shpesh janë të ndikuar nga stereotipi se duhet të jenë “të fortë” dhe “të përmbajtur”. Kjo i shtyn të fshehin ndjenjat dhe t’i shprehin ato përmes sjelljeve impulsive, agresive apo varësive. Prandaj, edukimi emocional që nga moshat e hershme mund të ndihmojë në balancimin e këtyre diferencave.
Portalb.mk: Sa të gatshëm janë prindërit të pranojnë dhe të mbështesin fëmijët e tyre kur ata përballen me varësi apo probleme emocionale?
Arjeta Musliu: Ka ndryshime të mëdha. Shumë prindër duan të ndihmojnë, por shpesh nuk dinë si. Disa e interpretojnë problemin si mungesë disipline ose “faj personal”, duke e vështirësuar komunikimin. Disa prindër mohojnë ose minimizojnë problemet, nga frika se do të paragjykohen nga familjarët e shoqëria. Prandaj, puna me prindërit dhe psiko-edukimi i tyre është thelbësore për t’i ndihmuar të kuptojnë se çrregullimet e shëndetit mendor dhe sëmundjet e varësisë nuk janë dështime prindërore, por situata që kërkojnë mbështetje, bashkëpunim dhe ndërhyrje profesionale.
Portalb.mk: Cilat boshllëqe shihni në sistemin arsimor lidhur me edukimin dhe ndërgjegjësimin për shëndetin mendor?
Arjeta Musliu: Sistemi arsimor aktual ende nuk e trajton shëndetin mendor si pjesë të domosdoshme të edukimit. Shumica e shkollave nuk kanë psikologë të cilët ofrojnë shërbime psikologjike direkte dhe mungojnë programet sistematike për edukimin emocional, parandalimin e bullizmit, apo menaxhimin e stresit. Nxënësit mësojnë shumë për biologjinë e trurit, por jo për mënyrën si ndihen, si të shprehin emocionet apo si të përballojnë humbjet, stresin apo frustrimet. Sipas mendimit tim, në sistemin arsimor duhet të bëhen reforma që integrojnë shëndetin mendor në kurrikulat mësimore.

Portalb.mk: Si ndikon mungesa e hapësirave të sigurta sociale dhe kulturore në gjendjen emocionale të të rinjve?
Arjeta Musliu: Mungesa e ambienteve të sigurta ku të rinjtë mund të shprehen lirshëm dhe të ndihen të pranuar, ndikon direkt në vetëbesimin dhe përfshirjen e tyre sociale. Shumë të rinj kalojnë kohën në ambiente virtuale, pasi realiteti fizik nuk u ofron hapësira të sigurta për komunikim, shprehje mendimesh apo debat. Kjo ndjenjë izolimi e bën më të lehtë zhvillimin e ndjenjave të boshllëkut dhe depresionit. Krijimi i qendrave rinore, hapësirave kulturore dhe klubeve të zhvillimit personal e profesional do të ndihmonte ndjeshëm në mirëqenien emocionale të të rinjve tanë.
Portalb.mk: A ekziston një lidhje mes varësisë nga droga, depresionit dhe mungesës së perspektivës te rinia në vend?
Arjeta Musliu: Po, ekziston një lidhje e fortë mes këtyre dukurive. Të rinjtë që përballen me mungesë shprese e motivi, vështirësi ekonomike, probleme familjare apo probleme akademike, shpesh kërkojnë mënyra të shpejta për të lehtësuar dhimbjen emocionale dhe përdorimi i substancave narkotike shpesh duket si “zgjidhje e përkohshme”. Por, këto çojnë drejt një cikli të rrezikshëm ku depresioni përkeqësohet dhe varësia bëhet mjet i përditshëm për t’u përballur me realitetin. Ndihma e hershme, përkrahja nga komuniteti dhe qasja terapeutike afatgjatë janë thelbësore për të ndryshuar këtë fenomen.
Portalb.mk: Sa është i dukshëm problemi i ankthit dhe depresionit te studentët dhe si manifestohet ai?
Arjeta Musliu: Ankthi dhe depresioni janë dukuri shumë të përhapura në mjediset universitare. Studentët përballen me stres të vazhdueshëm, mungesë stabiliteti financiar dhe pasiguri për profesionin në të ardhmen. Këto ndjenja shpesh shfaqen në formë të pagjumësisë, lodhjes, humbjes së interesit, vështirësive në përqendrim apo izolimit social. Shumë prej këtyre të rinjve e fshehin vuajtjen pas një buzëqeshjeje, duke besuar se “duhet të jenë të fortë” dhe duhet shijuar jetën studentore. Universitetet duhet të ofrojnë më shumë shërbime këshillimi dhe psikoterapie për studentët.

Portalb.mk: Si i ndihmoni të rinjtë të thyejnë barrierën e turpit për të kërkuar ndihmë profesionale?
Arjeta Musliu: Për t’i ndihmuar të rinjtë që të kenë guxim ti shprehin lirshëm ndjenjat e tyre, fokusohem në krijimin e besimit dhe ndjenjës së sigurisë. I sqaroj se terapia nuk është vend gjykimi, por një hapësirë për të kuptuar veten. Përmes bisedave të hapura, grupeve mbështetëse dhe shembujve pozitivë, përpiqem t’i bëj të kuptojnë se të kërkosh ndihmë nuk është shenjë dobësie, por një akt i vetëdijes, guximit dhe forcës. Normalizimi i emocioneve dhe trajtimi i tyre si pjesë e jetës është çelësi për të ulur stigmën dhe turpin.
Portalb.mk: Cilat janë sfidat kryesore të qendrave rehabilituese si “Ri-Jeta” për të ofruar mbështetje të qëndrueshme?
Arjeta Musliu: Sfidat janë të shumta. Duke filluar nga mungesa e fondeve, nevoja për staf të trajnuar profesionalisht dhe mungesa e mbështetjes afatgjatë nga institucionet shtetërore. Puna me persona me çrregullime të shëndetit mendor dhe varësive kërkon përkushtim, durim dhe një strukturë terapeutike të qëndrueshme. Përveç kësaj, mungesa e integrimit të plotë pas rehabilitimit, në arsim, punë apo jetën shoqërore e bën rikthimin në shoqëri më të vështirë për këta individë. Qendrat si “Ri-Jeta” kanë nevojë për partneritete afatgjata dhe përkrahje konkrete e stabile multidisiplinare për të ruajtur efektin pozitiv të punës sonë.
Portalb.mk: Si e vlerësoni bashkëpunimin e institucioneve publike dhe OJQ-ve në adresimin e problemeve psikologjike të të rinjve?
Arjeta Musliu: Bashkëpunimi ekziston, por shpesh është i kufizuar dhe jo i koordinuar. Fatkeqësisht, disa nga institucionet shtetërore reagojnë vetëm pas shfaqjes së problemeve, duke mos vepruar në mënyrë parandaluese. Nga ana tjetër, OJQ-të bëjnë punë shumë të rëndësishme për mirëqenien e shoqërisë, por pa mbështetje të mjaftueshme financiare e logjistike. Një bashkëpunim efektiv kërkon strategji të përbashkëta, plane afatgjata dhe besim reciprok ndërmjet sektorit publik dhe atij joqeveritar.
Portalb.mk: Nëse do t’u drejtoheshit vetë të rinjve që hezitojnë të flasin për problemet e tyre, cili do të ishte mesazhi juaj?
Arjeta Musliu: Mesazhi im drejtuar secilit dhe secilës që heziton të shpreh ndjenjat, është ky: Nuk je vetëm. Të kërkosh ndihmë është akt guximi, jo dobësie. Zëri yt ka rëndësi, dhe ka njerëz që duan të të dëgjojnë. Mos i mbaj ndjenjat dhe emocionet vetëm brenda vetes… fol, shprehu, sepse jeta jote ka vlerë. Jo gjithmonë shqetësimet e problemet mund t’i zgjidhim vetë! Andaj mos hezito të kërkosh ndihmë profesionale.

