“Paralelja shqipe”, Darko Kostovski drejtuar BDI-së: Buteli nuk do të jetë poligon për politika etnike

“Paralelja shqipe”, Darko Kostovski drejtuar BDI-së: Buteli nuk do të jetë poligon për politika etnike

Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka reaguar ndaj, siç shprehet ai, kritikave të shumta nga drejtuesit e BDI-së gjatë ditëve të fundit lidhur me regjistrimin e nxënësve në shkollat fillore të komunës.

Kostovski, në një postim në rrjetet sociale, thekson se, në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor dhe rajonizimin e përcaktuar, nxënësit regjistrohen sipas zonës së shkollës fillore.

Sipas tij, nga Komuna e Butelit kërkohet që të veprojë në kundërshtim me këto rregulla, përkatësisht që në shkollat e komunës të pranohen fëmijë nga komuna të tjera.

“Buteli nuk është dhe nuk do të jetë terren për politika etnike!”, ka deklaruar Kostovski, duke akuzuar BDI-në se një çështje administrative dhe ligjore po përpiqet ta shndërrojë në çështje etnike.

Kryetari thotë se është veçanërisht e papranueshme që në përplasjet politike të përdoren fëmijët dhe të krijohen tensione etnike.

Kostovski shton se i kupton prindërit që dëshirojnë që fëmijët e tyre të ndjekin shkolla cilësore, por thekson se institucionet duhet t’i respektojnë rregullat ligjore në mënyrë të barabartë për të gjithë.

“Në Butel nuk ka ‘fëmijë tanë’ dhe ‘fëmijë tuaj’. Ka fëmijë që meritojnë trajtim të barabartë, arsim cilësor dhe institucione që punojnë sipas ligjit dhe rregullave të njëjta për të gjithë”, ka deklaruar kryetari.

Në postimin e tij, ai është ndalur edhe te, siç pretendon, interesat e “mafias urbane”, duke theksuar se pas ndarjeve politike sheh edhe interesa që lidhen me sektorin e ndërtimit dhe hapësirat e lira në komunë.

Kostovski thotë se vizioni i tij për Butelin është zhvillimi i planifikuar, më shumë hapësira të gjelbra, shkolla, kopshte dhe terrene sportive, në vend të, siç shprehet ai, “kaosit urbanistik”.

Në fund, ai thekson se Buteli nuk do të ndahet mbi baza etnike dhe as nuk do të zhvillohet sipas interesave të biznesit të dikujt, por “sipas ligjit dhe në interes të të gjithë qytetarëve të tij”.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.