Pse ka kaq shumë sulme me thikë në Britani?

Një sulm i rëndë me thikë në një tren që udhëtonte drejt Londrës fundjavën e kaluar ka tronditur opinionin publik britanik dhe ka rikthyer debatin mbi përhapjen e krimeve me armë të ftohta në vend. Nëntë persona mbetën të plagosur rëndë, ndërsa një 32-vjeçar britanik është akuzuar për dhjetë raste tentativë vrasjeje, shkruan CNN. Ministrja […] The post Pse ka kaq shumë sulme me thikë në Britani? appeared first on Ditar.al.

Pse ka kaq shumë sulme me thikë në Britani?

Një sulm i rëndë me thikë në një tren që udhëtonte drejt Londrës fundjavën e kaluar ka tronditur opinionin publik britanik dhe ka rikthyer debatin mbi përhapjen e krimeve me armë të ftohta në vend. Nëntë persona mbetën të plagosur rëndë, ndërsa një 32-vjeçar britanik është akuzuar për dhjetë raste tentativë vrasjeje, shkruan CNN.

Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, dënoi ngjarjen në Parlament, duke theksuar se krimet me thika “u marrin jetën shumë njerëzve në vendin tonë”. Edhe pse qeveritë britanike ndër vite kanë premtuar masa të ashpra për ta frenuar këtë fenomen, krimi me thika mbetet një nga sfidat më serioze sociale në një vend ku përdorimi i armëve të zjarrit është shumë i kufizuar.

Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare të Statistikave (ONS), në Angli dhe Uells janë regjistruar 51,527 krime me thika në 12 muajt deri në qershor 2025 (pa përfshirë rajonin e Mançesterit). Nga këto raste, 196 ishin vrasje, ndërsa pjesa më e madhe përfshinte agresione dhe sulme fizike. Megjithëse shifrat janë 5% më të ulëta se një vit më parë, numri mbetet shqetësues.

Në periudhën deri në mars 2024, 262 nga 570 vrasje në Angli dhe Uells u kryen me thikë ose objekte të mprehta – shumica me thika kuzhine. Viktimat janë kryesisht meshkuj të rinj; nga 64 adoleshentë të vrarë në atë periudhë, 83% humbën jetën nga goditjet me thikë. Të dhënat spitalore tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024-2025, 3,494 persona u shtruan në spitale pas sulmeve me armë të mprehta, ku rreth 90% ishin meshkuj dhe 16% nën 18 vjeç.

Ekspertët theksojnë se krimi me thika ka shkaqe të ndërlikuara, që nuk lidhen më vetëm me bandat. “Sot shumë të rinj mbajnë thika jo për të sulmuar, por nga frika për sigurinë e tyre personale,” thotë James Alexander nga Universiteti Metropolitan i Londrës. Shkaktarë të tjerë përfshijnë varfërinë, problemet mendore, përjashtimin nga shkolla dhe mungesën e mbështetjes familjare.

Qeveria laburiste, që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2024, ka premtuar ta gjysmojë krimin me thika brenda një dekade. Deri tani, janë konfiskuar afro 60 mijë thika përmes fushatave të dorëzimit vullnetar dhe operacioneve policore. Po ashtu, janë ndaluar armë si “zombie knives” dhe “ninja swords”, ndërsa janë forcuar kontrollet për shitjet online të armëve të mprehta.

Megjithatë, organizatat e sigurisë dhe ekspertët theksojnë se reagimi nuk duhet të jetë vetëm policor. Iain Overton nga organizata “Action on Armed Violence” paralajmëron se shkurtimet në shërbimet rinore dhe ato të shëndetit mendor, si dhe varfëria e përjashtimi social, kanë krijuar terrenin për rritjen e dhunës. “Zgjidhja qëndron te parandalimi, edukimi dhe investimi në komunitet, jo vetëm te dënimi,” thekson ai.

Një shembull i mirë është programi Operation Divan në North Yorkshire, ku policia bashkëpunon me shërbimet lokale për të biseduar me të rinjtë që dyshohet se mbajnë thika. Kjo nismë u jep mundësi institucioneve të kuptojnë më mirë arsyet që shtyjnë të rinjtë drejt dhunës dhe t’i ndihmojnë ata të shmangin përfshirjen në krime.

“Shumë nga këta të rinj janë të lënduar, jo të këqij,” thotë Alexander. “Ata kanë nevojë për mbështetje dhe për hapësira ku të ndihen të sigurt – ku mund të jenë fëmijë, pa pasur nevojë të mbajnë një thikë.”/CNN

The post Pse ka kaq shumë sulme me thikë në Britani? appeared first on Ditar.al.