Qeveria cakton përgjegjësitë e Arbi Maznikut dhe Delina Ibrahimaj: Ja çfarë do të kenë në dorë ministrat e rinj
Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë VKM-të e reja për Ministrinë e Pushtetit Vendore, një ministri e re që do të drejtohet nga Arbi Mazniku, dhe Ministrinë e reformuar të Sipërmarrjes që drejtohet nga Delina Ibrahimaj. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor ndjek hartimin dhe realizimin e zbatimit të politikës së përgjithshme shtetërore […] The post Qeveria cakton përgjegjësitë e Arbi Maznikut dhe Delina Ibrahimaj: Ja çfarë do të kenë në dorë ministrat e rinj appeared first on Newsbomb Albania.

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë VKM-të e reja për Ministrinë e Pushtetit Vendore, një ministri e re që do të drejtohet nga Arbi Mazniku, dhe Ministrinë e reformuar të Sipërmarrjes që drejtohet nga Delina Ibrahimaj.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor ndjek hartimin dhe realizimin e zbatimit të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore, si dhe bashkërendon punën për propozimin, përmirësimin dhe hartimin e projektakteve ligjore e nënligjore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor bashkërendon punën për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore, të lidhura me veprimtarinë e njësive të vetëqeverisjes vendore. Ministri, në kuadër të fushës së përgjegjësisë së tij, ushtron këto kompetenca:
- a) Ndjek hartimin dhe realizimin e zbatimit të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore;
- b) Bashkërendon punën për propozimin, përmirësimin dhe hartimin e projektakteve ligjore e nënligjore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore, si dhe jep mendim për projektaktet që kanë të bëjnë me çështje të lidhura me njësitë e vetëqeverisjes vendore;
- c) Mbikëqyr punën për monitorimin e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Vetëqeverisjen Vendore, si dhe planit të veprimit përkatës;
- ç) Përfaqëson politikat e qeverisë në fushën e vetëqeverisjes vendore dhe koordinon punën me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështesin zhvillimin e njësive të vetëqeverisjes vendore;
- d) Drejton dhe bashkërendon punën ndërmjet strukturave të ngritura në kuadrin e marrëdhënieve ndërinstitucionale me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë;
- dh) Kujdeset për përmbushjen e detyrimeve, si dhe monitoron e koordinon masat, që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, për sa ato kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore;
- e) Siguron krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik, me synim monitorimin dhe zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore;
- ë) Bashkërërendon dhe mbështet punën e organeve përgjegjëse në funksion të zbatimit të politikave shtetërore në fushën e zhvillimit rajonal dhe kohezionit, në përputhje me legjislacionin përkatës;
- f) Kryen edhe funksione e veprimtari të tjera brenda fushës së përgjegjësisë, që i ngarkohen në përputhje me ligjin, marrëveshjet ndërkombëtare, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe urdhrat e Kryeministrit apo që nuk i janë ngarkuar specifikisht një organi apo institucioni tjetër shtetëror, por kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave janë përcaktuar qartë dhe kompetencat e Ministrisë së reformuar të Sipërmarrjes. Institucioni që drejtohet nga ish-ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka për mision mbështetjen e sipërmarrjes private, vendase dhe të huaj, që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu, ajo ka përgjegjësi për bashkërendimin e proceseve të brendshme të institucioneve shtetërore, hartimin e politikave për lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e klimës së biznesit, nëpërmjet ndërmjetësimit dhe nismave të integruara qeveritare në këtë fushë.
Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit e ushtron veprimtarinë në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës:
- a) Për krijimin dhe zhvillimin e Startup-eve;
- b) Për mbështetjen e veprimtarisë së punonjësve lëvizës digjitalë;
- c) Për garantimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet administratës shtetërore dhe sektorit privat mbi zhvillimin e politikave ekonomike të dialogut, këshillimit dhe zgjidhjes paraprake të mosmarrëveshjeve.
- Me qëllim realizimin e veprimtarisë së tij, ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit:
- a) zhvillon politikën shtetërore në fushën e mbështetjes së startup-eve;
- b) koordinon zbatimin e politikave të zhvillimit të startup-eve, në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm të sipërmarrjes në vend;
- c) koordinon me ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë për planifikimin buxhetor të startup-eve, lehtësuesve dhe palëve të treta;
ç) propozon miratimin e fondeve buxhetore për grantet dhe format e tjera të mbështetjes së biznesit dhe palëve të treta, si dhe i miraton ato për mbështetjen e startup-eve dhe lehtësuesve;
- d) vepron si organ mbështetës për startup-et, lehtësuesit dhe palët e treta, duke bërë të mundur tërheqjen dhe duke mbështetur alokimin e fondeve ose të granteve të donatorëve të huaj për ekosistemin në Shqipëri;
- dh) bashkëpunon me institucionet vendase, organizatat ndërkombëtare dhe me organizatat jofitimprurëse, vendase e të huaja, për rritjen e ndërgjegjësimit publik në fushën dhe veprimtarinë e startup-eve, si dhe për përmbushjen e detyrimeve që lindin nga ligji për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve;
- e) kryen të gjitha detyrat e tjera të përcaktuara në ligjin për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve;
ë) bashkërendon prioritetet e politikave shtetërore dhe politikëbërjen në fushën e:
- lehtësimit të procedurave dhe përmirësimin e klimës së biznesit;
- nxitjes dhe lehtësimit të investimeve vendase dhe të huaja;
iii. veprimtarisë së institucioneve të infrastrukturës së cilësisë;
- mbështetjes të zhvillimit të biznesit shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
- f) promovon transparencën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për përmirësimin e shërbimeve dhe procedurave publike, si dhe mbështet sipërmarrjen e biznesin në mbrojtjen e të drejtave ligjore të lidhura me aktivitetet sipërmarrëse, kundrejt institucioneve publike;
- g) bashkërendon punën me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera shtetërore për rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetin e biznesve si dhe mbështet sipërmarrjet në masat e nevojshme për integrimin në tregun e përbashkët evropian;
- gj) promovon zhvillimin e politikave në favor të sipërmarrjes dhe biznesit, në përputhje me politikën evropiane në bashkëpunim me dhomat e tregtisë, shoqatat e biznesit dhe shoqërinë civile;
- h) bashkërendon instrumentet qeveritare për krijimin e një klime dhe mjedisi mbështetës për sipërmarrjen dhe biznesin, me qëllim nxitjen e biznesit dhe liberalizimin e tregut, nëpërmjet identifikimit të pengesave në sektorët e ekonomisë dhe formulimit të strategjive të ndërhyrjes për reduktimin e barrierave administrative dhe kostove të biznesit;
- i) promovon shmangien e praktikave të mundshme burokratike dhe arbitrare të institucioneve publike në klimën e biznesit;
- j) bashkërendon punën për harmonizimin e legjislacionit në fushën e ofrimit të shërbimeve dhe procedurave në zbatim të plotë të parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit.
- k) ndërmjetëson komunikimin e sipërmarrjes dhe biznesit me institucionet publike për zbatimin e kontratave, si dhe zhvillon mekanizma të zgjidhjes paraprake të mosmarrëveshjeve midis tyre, duke u mbështetur në partneritetin e vazhdueshëm publik privat;
- l) inkurajon zhvillimin e partneritetit dhe të komunikimit ndërmjet institucioneve publike dhe sipërmarrjeve, si dhe organizatave përfaqësuese të tyre;
- ll) bashkërendon proceset për hartimin dhe zbatimin e programit për informimin e sipërmarrjeve e të biznesit.
- m) angazhohet në monitorimin e indikatorëve sasiorë dhe cilësorë të raporteve ndërkombëtare që lidhen me sipërmarrjen dhe klimën e biznesit;
- n) propozon mekanizma institucionalë dhe ndërinstitucionalë, në funksion të raporteve ndërkombëtare që lidhen me sipërmarrjen dhe klimën e biznesit;
- nj) inkurajon përmbushjen e parimeve të qeverisjes së mirë;
- o) përmbush çështje të tjera me ndikim në zhvillimin e sipërmarrjes dhe klimën e biznesit.
- Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ka një rol të përgjithshëm këshillues dhe koordinues në interes të politikave qeveritare për efektshmërinë, performancën e lartë dhe mirëqeverisjen në të gjithë sektorin publik dhe institucionet qeveritare, në kuadër të zhvillimit të sipërmarrjes dhe klimës së biznesit.
- Vendimi nr.610, datë 20.10.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes”, shfuqizohet.
The post Qeveria cakton përgjegjësitë e Arbi Maznikut dhe Delina Ibrahimaj: Ja çfarë do të kenë në dorë ministrat e rinj appeared first on Newsbomb Albania.