Ramadani: Ata (LVV) tashmë s’po e fshehin që janë bllokuesit

Nënkryetari i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e Kuvendit dhe të institucioneve të vendit.
Nga foltorja e Kuvendit, Ramadani tha se pushtetarët “as nuk po e fshehin” që po e bllokojnë funksionimin e rregullt të institucioneve.
“Ata tashmë as nuk po e fshehin që janë bllokuesit. Ata s’po tentojnë as të arsyetohen pse po e bëjnë bllokadën e Kuvendit edhe të shtetit të Kosovës. Ne jemi këtu në sallën e Kuvendit edhe sot, ata nuk janë. Një pjesë e deputetëve të Vetëvendosjes sot janë në bregdet. Një pjesë e tyre janë duke u marrë me biznes. Një pjesë e tyre janë në kolltukë qeveritarë, kurse një pjesë e tyre nuk guxojnë me dalë nga shtëpia apo rrinë në shtëpi për shkak të kërkesave dhe pyetjeve të qytetarëve që i bëjnë”, tha ai.
Ramadani tha se qëndrimi i AAK-së dhe PDK-së nuk lidhet me interesa partiake, por me funksionalizimin e shtetit dhe institucionet e tij.
“Zonja dhe zotërinj, qytetarë të Kosovës, kjo që po ndodh sot në Kosovë, për ne nuk është betejë partiake. Kjo që po ndodh sot në Kosovë, për ne nuk është as kërkesë partiake, as synim partiak. Kjo që po e bëjmë ne sot së bashku nuk është as për partinë, as për individin, e as për qeverinë. Ne po flasim për shtetin. Këta po flasin e po bëjnë gjithçka veç për pushtetin. Ne po flasim për jetën e qytetarëve, ata veç për poste. Me javë e muaj të tërë po flasin vetëm për poste. E keni dallimin thelbësor mes nesh edhe këtyre: Ne e pranojmë vullnetin e votuesve; Ata po e sakatojnë shpresën e popullit të Kosovës”, tha ai.
Deputeti i Aleancës tha se qytetarët nuk janë të interesuar për përplasjet partiake, por për funksionimin e shtetit.
Ramadani tha se jashtë Kuvendit qytetarët përballen me pasiguri në fusha të ndryshme të jetës dhe se kjo, sipas tij, nuk mund të zgjidhet përmes bllokadës institucionale.
“Sido që të jetë, jashtë mureve të kësaj salle të Kuvendit është një realitet tjetër. Qytetarët e Kosovës sot kanë pasiguri të madhe. E kjo pasiguri nuk zgjidhet me bllokadë. Pasiguri në rrugë, statistikat tregojnë për një situatë jashtëzakonisht të rëndë; Pasiguri në shkollë; Pasiguri në shtet; Pasiguri në treg”, shtoi Ramadani.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



