RMV-ja ka dështuar në reformat e vetëqeverisjes lokale, decentralizimi ka ngecur

Dy ditë pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, Komisioni Evropian e publikoi Raportin e progresit, ku mes tjerash për të disatën herë ia përsëriti RMV-së problemet që duhet t’i zgjidhë edhe në fushën e vetëqeverisjes lokale, raporton Portalb.mk. Pavarësisht njëfarë progresi, KE-ja thekson se urgjentisht nevojitet reformë gjithëpërfshirëse e vetëqeverisjes lokale. Komisioni e porositi vendin që […]

RMV-ja ka dështuar në reformat e vetëqeverisjes lokale, decentralizimi ka ngecur
Raporti i KE-së. Foto ilustrim, e edituar nga Portalb.mk

Dy ditë pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, Komisioni Evropian e publikoi Raportin e progresit, ku mes tjerash për të disatën herë ia përsëriti RMV-së problemet që duhet t’i zgjidhë edhe në fushën e vetëqeverisjes lokale, raporton Portalb.mk.

Pavarësisht njëfarë progresi, KE-ja thekson se urgjentisht nevojitet reformë gjithëpërfshirëse e vetëqeverisjes lokale.

Komisioni e porositi vendin që periudhën e ardhshme të:

  • Përshpejtojë procesin e decentralizimit duke vendosur kornizë të besueshme financimi për komunat dhe duke forcuar dialogun politik mbi zhvillimin rajonal; kjo përfshin miratimin e një plani të ri për të zbatuar Strategjinë e Zhvillimit Rajonal për periudhën 2025-2027.

Raporti thekson se është bërë përparim i kufizuar në zhvillimin komunal.

“Ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisjen lokale, që synojnë përmirësimin e kuadrit rregullator dhe financiar në përputhje me programin 2021 – 2026 për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe decentralizim, ende nuk janë miratuar nga Parlamenti”, thekson KE-ja.

Raporti mes tjerash hedh dritë edhe në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale, ku thotë se zgjedhjet u zhvilluan në mjedis politik shumë të polarizuar dhe me disa mangësi procedurale. 

Problem tjetër mbetet menaxhimi i mbeturinave nga ana e vetëqeverisjet lokale.

“Strukturat rajonale të menaxhimit të mbetjeve nuk janë funksionale dhe ndërmarrjet komunale të shërbimeve nuk funksionojnë në mënyrë efikase… Procesi është ende i prekur nga mungesa e angazhimit nga autoritetet lokale”, thotë raporti.

BE-ja ritheksoi se kapaciteti për menaxhimin e proceseve të prokurimit publik, veçanërisht në nivel lokal, kërkon përmirësim të mëtejshëm për të siguruar qasje koherente gjatë gjithë ciklit të prokurimit.

“Zbatimi efikas i llogaridhënies menaxheriale është ende sfidë për përdoruesit e buxhetit në nivel qendror dhe lokal”, tha KE.

Mes tjerash KE thekson se pushteti lokal duhet të përfshijë OJQ-të urgjentisht në hartimin e politikave.

Përndryshe, më 4 nëntor u publikua Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në.