Tërhiqet Albin Kurti! LVV-ja propozon Glauk Konjufcën për kryeministër të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca për mandatar për kryeministër të Kosovës. “Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë”, tha kreu i LVV-së, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë. Ai iu referua postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, […] The post Tërhiqet Albin Kurti! LVV-ja propozon Glauk Konjufcën për kryeministër të Kosovës appeared first on Ditar.al.

Tërhiqet Albin Kurti! LVV-ja propozon Glauk Konjufcën për kryeministër të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca për mandatar për kryeministër të Kosovës.

“Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë”, tha kreu i LVV-së, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Ai iu referua postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, ku Konjufca ishte caktuar në ekzekutivin e propozuar nga Kurti më 26 tetor – por që nuk mori mbështetjen e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kurti tha po ashtu se në këtë mënyrë mund të shmangen dy palë zgjedhje dhe Kuvendi të miratojë buxhetin për vitin 2026.

Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje në dhjetor pa buxhet, do të rrezikohej shteti.

“Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku”, në mënyrë që të procedohet buxheti i shtetit nga një qeveri fuqiplotë, tha Kurti.

Konjufca: Opozita tani duhet ta bëjë kompromisin e vet

Në fjalën në Këshillin e Përgjithshëm, Konjufca tha se mosmandatimi i Kurtit për kryeministër është “kompromisi i madh” i LVV-së.

“Më shumë se kaq nuk ka mundësi sepse po e prezantojmë një Qeveri ku kryeministër nuk është Kurti dhe ky është kompromis i madh. Tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, tha Konjufca.

Ai argumentoi se partitë e tjera shqiptare u bënë bashkë që t’ia pamundësojnë Kurtit formimin e ekzekutivit të tretë.

“Populli shumë shpejt pret të rikthehesh më fuqishëm se në vitin 2021”, iu drejtua Konjufca Kurtit, duke iu referuar zgjedhjeve kur LVV-ja mori mbi 50 për qind të votave.

Sipas Konjufcës, interesi aktual publik, sipas partisë së tij është ndarë në dy shtylla.

“Së parti shmangia e dy zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh. Dhe së dyti votimi i buxhetit 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të shtetit, pagat e sektorit publik, pensionet, shtesat e projektet esenciale të shtetit tonë”, tha ai.

Çështje të tjera që janë me urgjencë për miratim tha se janë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, buxheti për transmetuesin publik të Kosovës dhe buxhetet për tri komuna: Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku.

“Partitë e tjera e kanë në dorë nëse duan të bëjmë zgjedhje tani. Por, mua më duket se shpata e gjykimit është më e mprehtë se më parë”, tha Konjufca.

Kurti tha se do t’ia dërgojë emrin e Konjufcës për mandatim te presidentja Vjosa Osmani.

Osmani ka afat deri nesër që të vendosë nëse do ta mandatojë Konjufcën apo dikë tjetër apo do të shpallë zgjedhjet e reja.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Presidencës së Kosovës lidhur me hapat e ardhshëm që do të ndërmarrë Osmani dhe është në pritje të përgjigjes.

Në rast se presidentja e mandaton Konjufcën, sipas Kushtetutës, ai do të ketë kohë 15 ditë që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të Qeverisë, e cila duhet të marrë të paktën 61 vota për.

Reagimet e partive për propozimin e Konjufcës për mandatar

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi si “shfaqje teatrale” mbledhjen e LVV-së, që i cilësoi si “mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”.

“Dua të besoj se presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se presidentja nuk ka mandat që ta mandatojë askënd për formimin e qeverisë “pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme”.

“Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga LVV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor për të diskutuar për çështjen e mandatarit dhe të zgjedhjeve.

Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.

Pas takimit, Osmani tha se Kurti i kishte kërkuar një takim para 5 nëntorit – kur përfundon periudha 10-ditore – për të parë nëse mund të formohet shumica.

Osmani tha se Kushtetuta e obligon që ajo të bëjë çmos që të shmangen zgjedhjet.

Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri.

Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë, por për mandatarin e dytë është në diskrecionin e presidentes se kë ta mandatojë.

Partia e tij ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.

Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera. REL

The post Tërhiqet Albin Kurti! LVV-ja propozon Glauk Konjufcën për kryeministër të Kosovës appeared first on Ditar.al.