Ali Ahmeti i nervozuar: Pse të tërhiqem unë, le të tërhiqet shoqata humbëse e Gazimestanit – VLEN

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe udhëheqësi i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Ali Ahmeti, sot për herë të parë pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale është prononcuar për mediat, pas mbledhjes së kryesisë së BDI-së. Gjatë pyetjeve të gazetarëve, ai u përgjigj i nervozuar rreth pyetjes nëse do të japë […]

Ali Ahmeti i nervozuar: Pse të tërhiqem unë, le të tërhiqet shoqata humbëse e Gazimestanit – VLEN
Ali Ahmeti, foto printscreen nga video e BDI-së

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe udhëheqësi i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Ali Ahmeti, sot për herë të parë pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale është prononcuar për mediat, pas mbledhjes së kryesisë së BDI-së. Gjatë pyetjeve të gazetarëve, ai u përgjigj i nervozuar rreth pyetjes nëse do të japë dorëheqje nga politika, transmeton Portalb.mk.

“Pse të tërhiqem unë? A dëgjoni, a keni vesh apo s’keni? Kush ka fituar, humbësi duhet të tërhiqet. Shkoni në KQZ dhe verifikoni”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti koalicionin VLEN e quajti “Shoqatë të Gazimestanit”, për të cilën tha se nga humbës del fitues.

“AKI në këto zgjedhje ka fituar 114 760 vota me gjithsejtë këshilltar 159. Shoqata e Gazimestanit, VLEN ka fituar 91 849 me gjithsejtë këshilltar 122. Të ndërtuar a është fitues 114 760 vota apo 91 849 vota. Mirëpo kjo është kjo, për çdo ditë merren se kanë fituar zgjedhjet, jo vetëm këta zgjedhje por edhe ata që i kemi lënë pas, janë humbës të mëdhenj”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së dhe ripërsëriti qëndrimin e AKI-së për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Paraprakisht, Arbër Ademi nga kjo parti mohoi thashethemet se kryetari i partisë, Ali Ahmeti, do të tërhiqet nga skena politike pas rezultateve të pafavorshme të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, të cilat u mbajtën më 19 tetor.

“Ky është lajm i rremë”, tha nënkryetari i partisë, Arbër Ademi, në deklaratë për disa media.

Në mes të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, lajmi u publikua nga media në gjuhën shqipe “Fol“, e cila thoshte se Ahmeti po e shqyrtonte seriozisht tërheqjen nga politika aktive pas zgjedhjeve. Media, duke cituar burime të partisë, deklaronte se Ahmeti e ka diskutuar tashmë këtë vendim me disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, si dhe me partnerët politikë nga Shqipëria dhe Kosova.

Por sipas Ademit, kjo është dezinformim.

“Njoftimi se kryetari ynë, Ali Ahmeti, do të tërhiqet nga skena politike është lajm i rremë. Një gjë e tillë nuk do të diskutohet fare në seancën e sotme të kryesisë së partisë”, tha zëdhënësi i BDI-së opozitare për gazetën “Veçer”.

Qëllimi i një dezinformimi të tillë, sipas Ademit, është demoralizimi i votuesve të tyre në pritje të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale më 2 nëntor.

“Tërheqja e Ali Ahmetit është plotësisht jashtë diskutimit. Përkundrazi, ne ndihemi si partia fituese në zgjedhjet lokale. Ne fituam 23,000 vota më shumë se “VLEN”, gjithashtu e rritëm numrin e këshilltarëve në 120. Me kaq shumë vota në zgjedhjet parlamentare, ne do ta rrisnim numrin e deputetëve në 20, ndërsa “VLEN” do të fitonte vetëm 15”, thotë Ademi.

Në një deklaratë për TV 24, ai njoftoi se anëtarët më të lartë të partisë të Kryesisë Qendrore të BDI-së do të analizojnë rezultatet dhe do të zhvillohet një strategji për raundin e dytë. Partia njoftoi gjithashtu mobilizimin e votuesve për raundin e dytë, në mënyrë që të dalin sa më shumë njerëz në qendrat e votimit.