Becchetti del “huq”, Strasburgu rrëzon padinë e biznesmentit italian ndaj Shqipërisë
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka refuzuar përfundimisht padinë e ngritur nga biznesmeni italian Francesco Becchetti, ku pretendonte se deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama kishin shkelur prezumimin e tij të pafajsisë. Padia e ngritur nga Becchetti u depozitua në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg më 21 tetor 2015 […] The post Becchetti del “huq”, Strasburgu rrëzon padinë e biznesmentit italian ndaj Shqipërisë appeared first on Newsbomb Albania.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka refuzuar përfundimisht padinë e ngritur nga biznesmeni italian Francesco Becchetti, ku pretendonte se deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama kishin shkelur prezumimin e tij të pafajsisë.
Padia e ngritur nga Becchetti u depozitua në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg më 21 tetor 2015 dhe iu komunikua qeverisë shqiptare në 12 janar.
Menjëherë pas ngritjes së padisë, kryeministri Rama reagoi në rrjetet e tij sociale duke iu përgjigjur akuzave, “Dekriminalizimi, gjethe fiku që bie e nxjerr cullak PD-në kur goditet krimi! Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel, një sukses,” shkruante Rama.
I shtyrë më tej nga postimet e tij në Twitter, Edi Rama dha një intervistë gjatë së cilës tha së postimet e tij nuk kishin lidhje me Agon Channel, por me një skemë më të madhe pastrimi parash të hetuar për një kohë të gjatë.
Ndërkaq, padia në Strasburg kishte si aplikantë përveç Becchettit edhe të ëmën e tij Liliana Condomitti, ortakun e tij Mauro de Renzis, si dhe financieren e kompanisë Agon Set, Erjona Troplini.
Sot, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg hodhi poshtë padinë e Becchettit duke deklaruar se ai nuk i kishte ezauruar proceset gjyqësore në Shqipëri dhe nuk kishte bërë padi në Shqipëri.
Kujtojmë se Beccheti është dënuar për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh përmes një skeme mashtrimi me TVSH me vlerë rreth 38 milion euro. Për ortakun italian të Becchetit, Mauro de Renzis gjykata ka dhënë 16 vite burg. Me 8 vite burg është dënuar Liliana Condomitti, nëna e biznesmenit Beccheti dhe 8 vite burg për financieren Erjona Troplini. Ndërsa Stavri Peçi dhe Fetah Dervishi janë dënuar me nga 2 dhe 3 vite burg përkatësisht, i konvertuar në shërbim prove.
Biznesmeni italian fitoi gjyqin në Strasburg që e detyron Shqipërinë t’i paguaj atij 110 milion euro dëmshpërblim për prishjen e kontratës për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit. Qeveria vendosi mbylljen e televizionit “Agon Channel” në pronësi te Becchetit në vitin 2015, pasi ngriti akuzat ndaj tij për mashtrim me TVSH përmes disa kompanive fiktive, pjesë e së cilës ishte edhe nëna e tij.
PJESË NGA VENDIMI I GJEDNJ:
Kërkuesit, aksionerë në kompani të ndryshme tregtare, ndër të cilët pronari i “Agon Channel”, një kanal televiziv privat në Shqipëri dhe Itali përballen me akuza penale për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash, për të cilat u dënuan më 23 shkurt 2022 në shkallën e parë dhe bënë ankesa të cilat janë ende në pritje.
Ankesa 1: Prangosja
Një nga kërkuesit u ankua se prangosja gjatë seancës gjyqësore të datës 9 qershor 2015 ishte në shkelje të të drejtave të njeriut. Gjykata shprehu se, edhe nëse ky trajtim ishte i rëndë, nuk sillte ndjekje penale për personat përgjegjës. Një padi civile për dëmshpërblim do të kishte mjaftuar, por kërkuesja nuk e kishte ndjekur një procedurë të tillë ose nuk e kishte sjellë çështjen në vëmendjen e autoriteteve. Prandaj, kjo ankesë u refuzua për shkak të mos shterimit të mjeteve juridike të brendshme, që kërkuesja kishin në dispozicion në Shqipëri.
Ankesa 2: Prezumimi i pafajësisë:
Kërkuesit pretenduan se deklaratat e Kryeministrit (referuar postimeve në Twitter për “paratë e pista” të kompanisë së kërkuesve dhe daljes së tij në programe televizive duke komentuar hetimin e pastrimit të parave në Shqipëri) i bënë ata të dukeshin fajtorë, përpara se të vërtetoheshin si të tillë nga gjykata, gjë që sipas tyre shkelte të drejtën për t’u prezumuar të pafajshëm.
Gjykata theksoi se prezumimi i pafajësisë është pjesë e rëndësishme e një gjykimi të drejtë dhe ligjet e Shqipërisë e mbrojnë këtë të drejtë. Nga ana tjetër, Gjykata shprehu se kërkuesit mund ta kishin adresuar këtë pretendim në çështjen e tyre penale, ose përmes një ankimi në Gjykatën Kushtetuese. Kërkuesit nuk kishin ndërmarrë asnjë nga këto veprime, me argumentin se se “Shqipëria nuk kishte mjete juridike efektive në dispozicion”.
Sipas Gjykatës, dyshimet e tyre për efektivitetin e mjeteve juridike vendase ishin të pambështetura në prova bindëse, prandaj ata nuk kishin motiv për t’i injoruar këto mjete. Duke qenë se kërkuesit nuk shteruan të gjitha mjetet ligjore të disponueshme në Shqipëri, kjo ankesë u refuzua nga GJEDNJ si e parakohshme.
Konkluzioni:
Gjykata vendosi unanimisht se nuk mund të pranojë ankesat e kërkuesve, pasi ata nuk kishin shteruar të gjitha mjetet e brendshme ligjore. Duke qenë se ata nuk e ndoqën çështjen me të gjitha mënyrat që ofron sistemi ligjor shqiptar, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk mund ta shqyrtojë çështjen e tyre, duke e shpallur atë të papranueshme.
The post Becchetti del “huq”, Strasburgu rrëzon padinë e biznesmentit italian ndaj Shqipërisë appeared first on Newsbomb Albania.