Bullgaria i kërkoi ndihmë Hungarisë që të bindë Maqedoninë e Veriut t’i bëjë ndryshimet kushtetuese

Presidenti bullgar Rumen Radev i bëri thirrje Hungarisë që ta bindë Maqedoninë të bëjë ndryshime kushtetuese, të cilat, sipas tij, janë të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton BGNES, transmeton Portalb.mk. Radev tha se diskutoi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e BE-së me presidentin hungarez Tamas Suljok. “Bullgaria mbetet motori i këtyre proceseve […]

Bullgaria i kërkoi ndihmë Hungarisë që të bindë Maqedoninë e Veriut t’i bëjë ndryshimet kushtetuese
Presidenti hungarez Tamas Suljok dhe presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev. Foto nga profili i Radevit në Facebook

Presidenti bullgar Rumen Radev i bëri thirrje Hungarisë që ta bindë Maqedoninë të bëjë ndryshime kushtetuese, të cilat, sipas tij, janë të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton BGNES, transmeton Portalb.mk.

Radev tha se diskutoi situatën në Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e BE-së me presidentin hungarez Tamas Suljok.

“Bullgaria mbetet motori i këtyre proceseve dhe ne i mbështesim fqinjët tanë në rrugën evropiane. I bëra thirrje palës hungareze, e cila ka marrëdhënie miqësore në rritje me Maqedoninë, të bindë vëllezërit tanë se ndryshimi i Kushtetutës dhe konsensusi evropian janë një kusht i domosdoshëm për anëtarësim në BE”, tha Radev.

Sipas Radevit, kjo është një mundësi e shkëlqyer për të vazhduar dialogun konstruktiv. Nuk ka informacion se çfarë përgjigjeje dha Suljok, por Radev aludoi në marrëdhëniet e mira të qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE me kryeministrin hungarez Orban në kërkesën e tij. Sipas qëndrimit të fundit të kryeministrit Mickoski, dialogu për çështjet me Bullgarinë mund të intensifikohet pas vitit të ri.

Pas takimit me Mickoskin, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, tha se topi është në fushën e palës maqedonase dhe se duhen bërë ndryshime kushtetuese për të zhbllokuar negociatat me BE-në.

Nga ana tjetër edhe eurodeputeti austriak Thomas Weitz shpreson se pas zgjedhjeve lokale, “do të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të përfshirë komunitetin bullgar në Kushtetutë si pakicë”.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. 

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.