Filmi “Pasaporta”, një rrëfim realist mbi plagën e emigrimit

Intervistë me regjisorin e filmit Eduard Grishaj, filmi i të cilit "Pasaporta" është shfaqur së fundi në kinematë zvicerane The post Filmi “Pasaporta”, një rrëfim realist mbi plagën e emigrimit appeared first on Albinfo.

Filmi “Pasaporta”, një rrëfim realist mbi plagën e emigrimit

Filmi në gjuhën shqipe dhe me titra anglisht “Pasaporta” i regjisorit Eduard Grishaj, ftoi në kinematë zvicerane jo vetëm shqipfolës por edhe njerëz të ndryshëm të interesuar për kinemanë. Në shfaqjet premierë të filmit në 4 kantone, ishte i pranishëm edhe regjisori i filmit Eduard Grishaj së bashku me gruan e tij, gazetaren e njohur Arbana Osmani si edhe 1 anëtare e stafit të filmit.

Më 12. shkurt 2025 ishte dita  e fundit në Zvicër dhe shfaqja e fundit e filmit në kinemanë Pathe  në Bernë.

Gazetarja, Brikela Andrea-Nune, regjisori Eduard Grishaj dhe Monika Zguro, Këshilltare në Ambasadën e Shqipërisë, në Bernë

Gazetarja Brikela Andrea-Nune ishte e pranishme në këtë eveniment dhe na solli këtë intervistë interesante  me regjisorin e filmit Eduard Grishaj.

Si ju lindi ideja për të bërë këtë film?

E. Grishaj: Ideja për këtë film ka lindur nga familja ime që ka patur njerëz të cilët kanë ikur në emigracion, por edhe nga farefisi që kanë emigruar më herët. Kështu që mendova kishte ardhur koha që të bëja diçka për të gjithë ata njerëz që janë larguar nga Shqipëria por edhe për t`ju dhënë një mesazh të gjithë të tjerëve sepse ka akoma shumë të rinj në Shqipëri që mendojnë  të largohen ilegalisht nga Shqipëria. Me këtë film doja nëpërmjet artit  tim t`ju tregoj se sa e vështirë dhe e mundimshme është një rrugë e tillë sepse duke ikur në atë mënyrë ilegale , kontribuojnë në krimin e organizuar që  vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite.

Të rrimë pak tek arti shqiptar, ju si regjisor ku mendoni se është niveli  i artit shqiptar sot?

E. Grishaj: Besoj se arti në Shqipëri ka shumë nevojë për mbështetje dhe kjo është një gjë që i mungon prej vitesh. Shqipëria ka njerëz të talentuar, të rinj të shkolluar që mund të punojnë shumë mirë por mbështetja për  të ecur përpara mungon jashtëzakonisht shumë.

Unë e di që Shqipëria ka edhe probleme të tjera, por arti është një pikë kyce për të rinjtë shqiptarë për të jetuar aty, për të punuar dhe për të vazhduar përpara.

Nëse do të thoshim që filmi ka shumë pjesë dhe ngjarje reale, sa për qind do të ishte kjo pjesë?

E. Grishaj: Filmi është i ndërtuar mbi bazën e realitetit, mbi bazën e asaj që unë kam parë me sytë  e mi dhe kam dëgjuar, të rrëfyera nga historitë e shumë të rinjve. Filmi vetë hapet me rrëfime reale nga njerëz që kanë ikur ilegalisht dhe  90% e filmit, është histori reale.

Është pak rrënqethëse për vitin 2025, të dëgjosh që ekzistojnë akoma mundësi të tilla emigrimi?

E. Grishaj: Po ta provoni dhe të dilni pak jashtë Tiranës sepse brenda Tiranës Shqipëria duket ndryshe. Po të futeni pak në zonat më rurale dhe të takoni të rinj, do të habiteni kur t`i dëgjoni që mendojnë edhe sot e kësaj dite për tu larguar nga Shqipëria në vende si Anglia, Kanadaja dhe Amerika.

E kuptova drejt, ju po thoni që bëhet fjalë për vendet e zonave rurale që kërkojnë të largohen nga Shqipëria, do të thotë kjo që në zonat urbane është më pak i ndjeshëm ky fenomen?

E. Grishaj: Unë flas për Tiranën sepse ka vende të tjera, që në zonat rurale të rinjtë ju numërohen me gishtat e dorës. Kjo jo vetëm sot, por shumë vite përpara, duke  e parë si shpëtim të vetëm largimin nga Shqipëria.

Nëpërmjet filmit, përcillni një mesazh tek të rinjtë sot për të kuptuar se sa e vështirë është rruga për të dalë jashtë Shqipërisë? Duke parë edhe njëherë me sytë e tyre këtë vështirësi?

E. Grishaj: Tek shqiptarët ka dy lloj problemesh: problemi i parë është niveli i të rinjve të cilët nuk kanë dalë asnjëherë jashtë dhe vetëm nga të dëgjuarit ose çfarë ju është premtuar nga bashkëatdhetarët e tyre që jetojnë jashtë, mendojnë që për të shkuar në Amerikë është një ëndërr e madhe dhe një parajsë. Por fakti është që unë njoh edhe të rinj të cilët kanë paguar shumë lekë për tu larguar ilegalisht dhe rrezikuar dhe kur kanë shkuar atje pastaj e kanë parë që realiteti është ndryshe nga ai që kanë dëgjuar.

Por janë edhe ata të cilet nuk kthehen më në Shqipëri sepse ju vjen turp për tu kthyer përsëri në Shqipëri dhe e dyta  ata që nuk kthehen sepse kanë shumë borxhe dhe duhet të rrinë atje për t`i shlyer ato. Ka akoma shumë të rinj që mashtrohen dhe krijohet një ide ndryshe sesi është në vendet ku ata duan të ikin ilegalisht si psh Anglia, Kandaja dhe Amerika.

Do të thotë që vendet e afërta, vendet fqinje si Italia, Greqia etj nuk janë më vende të kërkuara për emigracionin shqiptar? Bëhet fjalë vetëm për perëndimin dhe vendet e largëta?

E. Grishaj: Po sepse në vitet  e fundit, Shqipëria është hapur dhe shqiptarët e kanë pasur mundësinë për të parë Italinë, Greqinë, Gjermaninë etj. por vendet më të kërkuara janë ato vende që janë gati të pamundura për të ikur.

Filmi është shumë i mirëkuptueshëm jashtë shtetit, sepse secili nga ne që jetojmë jashtë e di cfarë do të thotë të jetosh jashtë. Si u mirëprit filmi në Shqipëri, nga ata që nuk e dinë tamam realitetin jashtë Shqipërisë?

E. Grishaj: Ka  një diferencë të madhe midis shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqiperisë sepse ata i ndjejnë nën lëkurë të gjitha skenat. Një pjesë e tyre dalin nga kinemaja dhe thonë që unë kam parë veten aty në film, kështu që është një perceptim ndryshe.

Kurse në Shqipëri merret pak më lehtë kjo pjesë. Por edhe shqiptarët që janë atje mbase edhe pse nuk kanë emigruar, kanë parë në film vëllain, motrën, kushëririn, komshiun etj .pra gjejnë njerëzit e tyre të afërm të cilët janë larguar. Shqiptarët janë një popull që kanë  emigruar shumë, një pjesë e madhe e tyre kanë ikur ilegalisht ashtu si vëllai im që është larguar nga Shqipëria me gomone si dhe shumë shqiptarë të tjerë që kanë ikur me dokumenta fallco, nga mali dhe në mënyrë ilegale. Ne shqiptarët e gjejmë veten aty, kur bëhet fjalë për emigracion.

Kur keni ardhur në Zvicër për të shfaqur filmin?

E. Grishaj: Ne kemi ardhur në datën 8 shkurt në Zvicër. Filmi u shfaq së pari në Basel, pastaj në Gjeneve, në Lousanne dhe më 12 shkurt, në Bernë. Nga aty, ekipi është nisur për në Berlin duke filluar kështu tourin e Gjermanisë, duke vazhduar më pas në Hamburg, në Düsseldorf, Frankfurt dhe e mbyllim në Ausgburg. Pas Gjermanisë do të shkojmë në Bruksel. Ne jemi përpjekur që të shkojmë në vende ku ka sa më shumë shqiptarë duke ju shkuar sa më afër dhe ata të bëhen pjesë e filmit dhe e historisë.

Është Austria në programin tuaj?

E. Grishaj: Pas këtij tourit në Evropë, ne do te shkojmë në Amerikë dhe Kanada dhe pastaj do rikthehemi në disa vende të Evropës si Vjena dhe Stockholmi, si edhe rikthim në Itali dhe Greqi.

Si duken planet e së ardhmes, keni ndonjë plan për një pjesë të dytë të filmit apo ndonjë film të ri  apo dicka të re?

E. Grishaj: Unë mundohem ta alternoj filmin me televizionin. Une me Arbanen jemi duke bërë një emision që quhet “Mirëmbrëma yje” dhe mbahet në veri të Shqipërisë. Versioni i  parë ka mbaruar dhe menjëherë pas tourit të filmit, do fillojmë përsëri me sezonin  e dytë dhe pastaj me shume gjasa, do fillojmë të shkruajmë një film të ri.

Si frymëzohet një regjisor për një skenar të ri flimi?

E. Grishaj: Nga histori te rastësishme dhe pa plan, nga histori që unë i dëgjoj dhe më frymëzojnë dhe pastaj filloj punoj me to.

Edhe shkrimtarët pak a shumë të njëjtën përgjigje japin kur i pyet për librat  e tyre.

Është gati e njëjta gjë, sepse me te shkruarën fillon e gjitha, vetëm se tek shkrimtari mbaron aty, kurse ne e marrim shkrimin dhe e vizualizojmë.

Ndoshta mund te ndodhë edhe e kundërta, që filmi juaj mund të bëhet libër?

E. Grishaj: Nëse dikush mendon që mund të bëhet libër und do të isha shumë i lumtur, por unë vetë nuk  bëj libra. Unë mund ta bëj librin film, por jo filmin libër kështu që duhet dikush tjetër ta bëjë një gjë të tillë.

Sa kohë ju  është dashur për të realizaur filmin “Pasaporta” ?

E. Grishaj: 2 vite që nga dita që kam filluar të punoj për të. Ka shumë punë dhe investigime sepse vetë tema është e tillë që më duhej të mësoja dhe njihja gjithë procesin e krimit të organizuar në Shqipëri. Të njhja personat, ti pyesja dhe të flisja me ata që kanë shkuar si edhe ata që e organizojnë  një gjë të tillë.. Deri në pikën që kam  cdo informacion dhe e di si funksionon strukura e marrjes dhe bërjes  së pasaportave fallco dhe lidhja  e shqiptarëve dhe të huajve. Kur vjen puna  tek krimi, shqiptarët merren vesh shumë mirë me te huajt dhe me njëri tjetrin dhe më pas nuk është më punë kombësie.

Ju ka lidhur bërja  e filmit me politikën?

E. Grishaj: Patjetër, sepse kam pasur të bëj dhe të lidhem me insitucionet shtetërore, me policinë, me krimin për të pasur sa më shumë informacion dhe te jem sa më  i qartë me veten dhe filmin.

Si xhirohet në një vend të huaj? E mendoni vendin ku do të shkoni sipas skenarit dhe filloni menjëherë xhirimet kur jeni atje apo duhet ndonjë lejë e veçantë?

E. Grishaj:  Asnjëherë më parë një film shqiptar nuk është xhiruar aq larg si në Meksikë, por historia e vërtetë  është ashtu si në film dhe unë doja që patjetër ta bëja të dukej aq reale sa historia. Unë kam shkuar edhe në Itali edhe në Meksikë për të xhiruar. Por në Meksike ka qenë shumë  e vështirë sepse nuk kemi asnëj lidhje institucionale ose ambasadë për të kërkuar diku leje atje. Unë e mora përsipër personalisht  bashkë me stafin  dhe u nisëm për atje duke xhiruar pa marrë leje askund.

Por kemi  patur shumë probleme me policinë sepse insititucionet atje  ishin të korruptuara dhe vetëm me lek mund tja dilje të mbaroje punën edhe me policinë meksikane. Kjo më ndhmoi shumë per ta treguar filmin jo vetëm si film, por edhe si dokumentar sepse cdo gjë në film është reale, që nga ikja nëpër aeroporte, ikja në Meksikë dhe me tutje. Cdo gjë është e vërtetë.

 

 

 

 

 

The post Filmi “Pasaporta”, një rrëfim realist mbi plagën e emigrimit appeared first on Albinfo.