Gazetarja nxjerr faktet: Fryrja e faturës së punimeve në Tunelin e Llogarasë ishte planifikuar që nisje të procedurës
Gazetarja Ola Xama ka publikuar dokumente që sipas saj, tregojnë se fryrja e faturës së punimeve në Tunelin e Llogarasë ka qenë e planifikuar që në nisje të procedurës së tenderimit. Sipas dokumenteve të depozituara në Agjencinë e Prokurimit Publik (APP), gara e parë për ndërtimin e tunelit është hapur më 14 dhjetor 2020, me […] The post Gazetarja nxjerr faktet: Fryrja e faturës së punimeve në Tunelin e Llogarasë ishte planifikuar që nisje të procedurës appeared first on Ditar.al.
Gazetarja Ola Xama ka publikuar dokumente që sipas saj, tregojnë se fryrja e faturës së punimeve në Tunelin e Llogarasë ka qenë e planifikuar që në nisje të procedurës së tenderimit.
Sipas dokumenteve të depozituara në Agjencinë e Prokurimit Publik (APP), gara e parë për ndërtimin e tunelit është hapur më 14 dhjetor 2020, me fond limit 191 milionë euro pa TVSH. Por, në atë kohë, projekti teknik i tunelit nuk ishte dorëzuar ende.
Për hartimin e këtij projekti ishte kontraktuar një konsorcium kompanish me në krye austriaken IC Consulten, me një vlerë prej 7 milionë eurosh. Projekti teknik, sipas dokumenteve, është dorëzuar vetëm në mars 2021, pra tre muaj pas hapjes së garës.
Xama ngre pyetje mbi mënyrën se si është llogaritur fondi limit pa pasur projekt teknik dhe si janë miratuar këto vlera në buxhet nga Ministria e Financave, ndërkohë që Thesari i Shtetit dhe Agjencia e Prokurimit Publik kanë lejuar hapjen e garës.
Pas anulimit të procedurës së parë, me argumentin se asnjë kompani nuk plotësonte kriteret e kualifikimit, është hapur një tender i dytë, me fond limit 189 milionë euro pa TVSH, këtë herë duke përfshirë edhe projektin teknik të tunelit.
Në garën e parë, kompania “Gjoka Konstruksion” kishte paraqitur ofertën më të ulët, rreth 140 milionë euro, por procedura u anulua. Në tenderin e dytë, fituese u shpall bashkimi i kompanive turke “INTEKAR–ASL” me ofertë 170 milionë euro, ndërkohë që punimet në terren i ka kryer po Gjoka Konstruksion si nënkontraktor.
Sipas të dhënave që ka publikuar gazetarja, gjatë periudhës 2021–2024, konsorciumi turk INTEKAR–ASL ka rezultuar me 28 milionë euro fitim pas taksave, të cilat janë ndarë të gjitha si divident për pronarët – një shumë që, sipas saj, do të jetë e vështirë për t’u rikuperuar nëse nis një hetim nga SPAK.
“Tentativa për të grabitur 30 milionë euro ka qenë e paracaktuar dhe nuk ndryshoi pas takimeve në qershor me kompaninë turke,” shkruan Xama, duke shtuar se hapja e tenderave dhe koncesioneve pa projekte apo studime paraprake është kthyer në filozofi të qeverisjes vitet e fundit.
Gazetarja thotë se praktika të ngjashme janë ndjekur edhe në projekte të tjera të mëdha publike, si koncesioni i Portit të Vlorës, zgjerimi i autostradës Tiranë–Durrës apo projekti Thumanë–Kashar, ku gjithashtu janë nisur procedurat pa studime të miratuara.
Postimi i plotë:
Fryrja e faturës së punimeve në Tunelin e Llogarasë ishte planifikuar që nisje të procedurës!
Sipas dokumentave të depozituara në Agjencinë e Prokurimit Publik, gara e parë është hapur në datën 14 dhjetor 2020 me fond limit 191 milion euro pa tvsh.
Në këtë datë, Projekti Teknik i tunelit nuk ishte dorëzuar akoma. Për të hartuar Projektin Teknik ishte kontraktuar për vlerën 7 milion euro një konsorcium kompanish me në krye austriaken IC Consulten.
Por siç shihet nga dokumentat bashkëlidhur, projekti teknik është dorëzuar në mars të vitit 2021, ndërsa gara është hapur 3 muaj më parë. Si është llogaritur fondi limit në vlerën 191 milion euro pa patur projekt? Si është pranuar kjo vlerë të akomodohet në buxhet nga Ministria e Financave dhe si ka lejuar Thesari dhe Agjencia e Prokurimit Publik të hapet gara? Këto janë po ashtu përgjigje që duhet t’i nxjerrë hetimi i SPAK!
Pasi u anullua procedura e parë me arsyetimin se asnjë prej kompanive nuk përmbushte kriteret e kualifikimit, është hapur tenderi i dytë me fond limit 189 milion euro pa tvsh. Në këtë procedurë është hedhur dhe Projekti Teknik i tunelit.
Në garën e parë oferta më e ulët ishte e kompanisë Gjoka Konstruksion me 140 milion euro për të ndërtuar veprën , por procedura u anullua. Në tenderin e dytë oferta fituese ishte e bashkimit të kompanive INTEKAR-ASL me vlerë 170 milion euro.
Në realitet punimet i kryen kompania Gjoka Konstruksion si nënkontraktor, ndërsa për periudhën 2021-2024 turqit e INTEKAR-ASL rezultojnë me 28 milion euro fitim pas taksave. Të gjitha fitimet janë ndarë si divident për pronarët dhe këto para duket vështirë të rikuperohen nga gjurmimi i hetimit.
Ajo që kuptohet nga dokumentat është se tentativa për të grabitur 30 milion euro ka qënë e paracaktuar dhe nuk ndryshoi pas takimeve në qershor me kompaninë turke.
Hapja e tenderave për kontrata publike e koncesione pa patur studime dhe projekte është kthyer në filozofi të qeverisjes vitet e fundit.
Në procedurën për koncesionin e Portit të Vlorës nuk ka patur studim, as në zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës apo në kontratën e rishikuar të Thumanë-Kashar ku duhej bërë studim nga e para. Në disa raste rezistenca në buxhetimin e fondeve pa projekt teknik i ka kushtuar postin dhe ministrave të financave.





The post Gazetarja nxjerr faktet: Fryrja e faturës së punimeve në Tunelin e Llogarasë ishte planifikuar që nisje të procedurës appeared first on Ditar.al.
