Ish-drejtori i Policisë: Kurti po “hesht” në Kuvend, në veri mund të ndodhin incidente tjera
Krimineli Millan Radoiçiq u lirua të mërkurën nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua. Ai është përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku. Radoiçiq e pranoi se ishte organizator i këtij sulmi. E arrestimi i […]


Krimineli Millan Radoiçiq u lirua të mërkurën nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua.
Ai është përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku.
Radoiçiq e pranoi se ishte organizator i këtij sulmi.
E arrestimi i tij po vlerësohet farsë.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, njëherit deputet nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj thotë se Radoiçiqi është i zhytur në krim.
Sipas tij, krimineli Radoiçiqi përkrahet nga shteti i Serbisë.
“Asgjë për t’u çuditur meqenëse Radoiçiqi është thellë i zhytur në krim në Kosovë, mirëpo i përkrahur shumë nga shteti i Serbisë dhe të gjitha strukturat, mos të harrojmë se Radoiçiqi është edhe në marrëdhënie biznesore me familjen e presidentit të Serbisë dhe nuk kam pritur që drejtësia serbe do të bëjnë diçka në lidhje me Radoiçiqin. Ai është një farsë, një skenar i cili janë duke u munduar ta zbatojnë ata”, u shpreh ai.
Shtimi i numrit të pjestarëve të KFOR-it/ Qalaj: E nevojshme, mundësitë për incidente janë të mëdha
Pas sulmit terrorist që ndodhi në veri të Kosovvës, KFOR-i ka nisur të shtojë numrin e pjestarëve në Kosovë.
Britania, Gjermani e Rumania do të dërgojnë përforcime shtesë të trupave të KFOR-it.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj në një intervistë për Front Online ka thënë se janë të nevojshme përforcimet.
“Është mirë që është rrit numri i pjesëtarëve të KFOR-it, sidomos në pjesën kufitare veriore, atje ka nevojë që të kemi forca të KFOR-it sa më shumë në brezin kufitar me Serbinë për shkak që e kanë përgjegjësi atë brez kufitar”, u shpreh ai.
Kjo për shkak se mundësia për incidente është e madhe.
“Mundësia e ndonjë incidenti në veri është mjaft e madhe, për shkak që atje ka individë dhe grupe të organizuara të cilët bëjnë përpjekje që të destabilizojnë edhe më tutje situatën, pra unë nuk e përjashtojë mundësinë edhe të ndonjë sulmi individual ndaj Policisë së Kosovës”, ka thënë ai për Front Online.
Deklarata e Ramës/ Qalaj: Nuk ka mundësi që KFOR ta marrë nën kontroll veriun, Policia është përgjegjëse
Deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama i cili tha që veriun duhet ta marrë nën kontroll KFOR-i, e ka komentuar deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
Ai në një intervistë për Front Online ka thënë se thirrja e Ramës ishte për shtim prezence të NATO-s në kufi.
Sipas tij, vetëm Policia e Kosovës është përgjegjëse për menaxhimin e kufijve.
“Unë më shumë e kam parë këtë deklaratë të kryeministrit të Shqipërisë si thirrje për NATO-n që të shtojë prezencën përgjatë kufirit me Serbinë, për shkak se nuk ka mundësi ndryshe, nuk ka mundësi që KFOR-it ta marr kontrollin për krejt pjesën veriore, për shkak se asaj i duhet edhe një mision civil dhe askush nuk ka mandat që të menaxhojë me pjesën veriore përveç Policisë së Kosovës, ndërsa pjesëtarët e KFOR-it ende e kanë përgjegjësinë për vijën kufitare me Serbinë. Pra i gjithë rendi dhe ligji duhet gjithsesi të menaxhohen vetëm nga Policia e Kosovës”, u shpreh ai.
Qalaj thotë se KFOR-i nuk ka mundësi ta marrë nën kontroll veriun.
“Nuk ka mundësi dhe nuk do të ndodh”, thekson ai.
Deputeti i PDK-së: BE-ja është duke u vonuar me masat ndaj Serbisë
Për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Serbia ende nuk është sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj për Front Online thotë se janë duke u vonuar për të marrë masa kundrejt Serbisë.
Ai thotë se Serbia ka bërë agresion në Kosovës.
“Ende janë duke u mbledhur informatat sipas mendimit tim në lidhje me ngjarjen e 24 shtatorit, jo vetëm se ne e kualifikojmë si sulm terrorist por edhe çështja e agresionit e Serbisë në Kosovë, meqenëse Serbia ka bërë agresion në Kosovë, ka bërë shkelje e integriteti territorial të Kosovës, dhe pastaj me anën e një sulmi terrorist ka bërë përpjekje që të vrasë sa më shumë policë që është e mundur dhe të krijoj një lloj kaosi sa i përket sigurisë në pjesën veriore. Unë mendoj që Bashkimi Evropian është duke u vonuar të marr hapa konkret në raport me Serbinë”, u shpreh ai.
Derisa foli për sulmin, Qalaj kritikon edhe Qeverinë e Kosovës që nuk po raporton në Parlament për këtë çështje.
Ai thotë se Kurti po merret me çështjen e armëve, e jo me punë që sipas tij i takojnë.
“Ende nuk ka ndonjë qëndrim nga Qeveria e vendit, e kemi parë që kryeministri Kurti në Parlament nuk flet absolutisht për asgjë, se çfarë do të bëjë Qeveria e Kosovës në rrafshin politik, por ai po merret me çështjen e armëve, me çështje që nuk janë punë fortë të kryeministrit të vendit dhe Qeverisë. Shpresoj që Kosova duhet të bëjë një përgatitje të mirë tash ta shfrytëzojë dhe ta materializojë gjithë këtë që ka ndodhë me 24 shtator”, u shpreh ai për Front Online.
Qalaj: Kurti dikur policinë e quante të vdekur, sot bëhet kinse po e mbështet
Rezoluta e PDK-së për mbështetjen e Policisë së Kosovës, pensionimin e parakohshëm, shtesat për rrezikshmëri e sigurimi shëndetësorë, nuk u votua nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka kritikuar shumicën parlamentare e pushtetin për injorim.
Ai tha se Qeveria po mundohet t’i marrë sukseset e Policisë së Kosovës.
“Qeveria e vendit nuk është korrekte, ajo është duke tentuar vetëm t’i kapitalizojë të gjitha sukseset e Policisë së Kosovës t’i atribuojë kryeministri Kurti. Praktika ka treguar që me rastin e prurjes së ligjit për pensionim të parakohshëm nga PDK në Parlamentin e Kosovës dhe mosvotimi i saj nga asnjë deputetë i partisë në pushtet tregon që tregon që qasja e Qeverisë ndaj Policisë është e gabuar dhe është vetëm injoruese”, u shpreh ai.
Qalaj thotë që Kurti në të kaluarën e ka quajtur Policinë e Kosovës të vdekur, ndërsa sot pretendohet si mbështetës i madh.
“Në fakt, kryeministri Kurti as nuk dëshiron të dëgjojë për Policinë e Kosovës e gjitha ka qenë një farsë, ju e dini që ai në të kaluarën e ka quajtur policinë të vdekur, mirëpo meqenëse tani është kryeministër i nevojitet përkrahja edhe e policëve, pretendon që ai është mbështetës i Policisë së Kosovës por kjo nuk qëndron”, deklaroi ai.
Nga 93 deputetë, 53 prej tyre kanë abstenuar, ndërsa vetëm 36 deputetë kanë votuar për.