Italia dhe Zvicra vazhdojnë të kontestojnë faturën për viktimat e zjarrit në Crans-Montana

Më shumë se nëntë muaj pas tragjedisë së zjarrit në Crans Montana, qeveria zvicerane ende nuk e di se si ta shlyejë faturën për kujdesin mjekësor të ofruar për viktimat italiane, e cila arrin në 1.5 milionë franga zvicerane, sipas transmetuesit publik zviceran RTS.
Italia vazhdon të refuzojë pagesën e kësaj shume, në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare për këtë çështje.
Më 1 janar, djali i Umberto Marcucci-t, Manfredi, i cili kishte pësuar djegie të rënda në shpinë, duar dhe krahë, u shtrua fillimisht në njësinë e kujdesit intensiv në spitalin e Sionit. Ai qëndroi aty për 15 orë para se të transportohej me helikopter në Milano.
Në prill, shtetasi italian mori një kopje të faturës prej 66,800 frangash, të cilën Zvicra ia kishte dërguar sistemit italian të sigurimeve shoqërore. Kjo shumë e tronditi Marcucci-n.
“Nëse e thyej këmbën në pistën e skijimit, është e drejtë që sistemi italian të më rimbursojë; por nëse lëndohem në një lokal për shkak të neglizhencës së dikujt dhe ndoshta dikujt nga bashkia apo kantoni, atëherë gjëja më e vogël që mund të bënte Zvicra do të ishte pezullimi i kërkesës për rimbursim derisa të përcaktohet përgjegjësia,” tha ai.
Premtim për zgjidhje
Në total, 12 viktima italiane u trajtuan në spitalet zvicerane pas zjarrit, për periudha të ndryshme kohore dhe kostoja totale e kujdesit për ta është rreth 1.5 milionë franga zvicerane.
Kjo faturë ka shkaktuar polemika. Qeveria italiane deklaroi që në muajin prill se nuk do t’i mbulonte këto kosto. Megjithatë, një marrëveshje midis vendeve evropiane përcakton se, kur dikush merr trajtim mjekësor jashtë vendit, kostot mbulohen nga shteti ku banon pacienti, transmeton albinfo.ch.
Në fillim të majit, presidenti zviceran Guy Parmelin premtoi një zgjidhje pas një takimi me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Megjithatë, nëntë muaj pas tragjedisë, Këshilli Federal duket se ende nuk ka gjetur një mënyrë për ta zgjidhur çështjen.
Çështja është delikate. Zvicra ka vënë tashmë në dispozicion 35 milionë franga zvicerane për viktimat e zjarrit që mori 41 jetë dhe la të lënduar 115 persona. Kantoni i Valais ka vënë në dispozicion më shumë se 2.3 milionë franga zvicerane. Fondacioni “Beloved”, i financuar pjesërisht nga kantoni i Valais-it, disponon tashmë një buxhet prej 24 milionë frangash zvicerane.
Mendime të ndara
Deputetja zvicerane e partisë së Gjelbër Liberale, Céline Weber, i bën thirrje Këshillit Federal që të mbajë një qëndrim të vendosur. “Këto marrëveshje nuk vlejnë vetëm në kohë të mira, por edhe kur, për fat të keq, shfaqen probleme. Dhe unë pres që Italia t’i respektojë marrëveshjet e nënshkruara me Zvicrën,” tha ajo.
Megjithatë, deputetja socialdemokrate Laurence Fehlmann Rielle e inkurajon qeverinë që të tregohet falëse dhe ta kalojë këtë çështje. “Zvicra duhet të bëjë një gjest dhe të marrë përgjegjësinë për viktimat, duke pasur parasysh se situata ishte veçanërisht e rëndë,” tha ajo. Pritet që Këshilli Federal të marrë një vendim së shpejti.
Manfredi do të festojë ditëlindjen e tij të 17-të pas pak ditësh. Së shpejti ai do t’i nënshtrohet një tjetër operacioni në dorë, në përpjekje për të rifituar më shumë fleksibilitet. Por tashmë dihet se i riu nuk do të mund të luajë më në kitarë, një nga pasionet e tij para aksidentit.
The post Italia dhe Zvicra vazhdojnë të kontestojnë faturën për viktimat e zjarrit në Crans-Montana appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



