Lokalet në RMV, ministri i Brendshëm: Janë arrestuar 11 persona
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për media, deklaroi se zgjedhjet kanë kaluar kryesisht në një atmosferë të qetë, të rregullt, dhe demokratike. Ai njoftoi se gjatë ditës janë arrestuar 11 persona, ndërsa janë verifikuar edhe 19 publikime në rrjetet sociale dhe internet në lidhje me procesin zgjedhor, transmeton Portalb.mk. “Procesi […]


Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për media, deklaroi se zgjedhjet kanë kaluar kryesisht në një atmosferë të qetë, të rregullt, dhe demokratike. Ai njoftoi se gjatë ditës janë arrestuar 11 persona, ndërsa janë verifikuar edhe 19 publikime në rrjetet sociale dhe internet në lidhje me procesin zgjedhor, transmeton Portalb.mk.
“Procesi zgjedhor filloi në orën 7 të mëngjesit, përveç në 84 vendvotime ku pati vonesa deri në dy orë, kryesisht për shkak të problemeve teknike me pajisjet për identifikim”, tha Toshkovski.
Toshkovski theksoi se, në territorin e gjithë vendi janë raportuar 91 raste, disa prej tyre lidhen me agjitacion dhe dyshime për ryshfet, disa për fotografim të fletëve të votimit, ngjitje afishesh, dhe kërcënime. Ai tha se pas masave të ndërmarra, për 42 raste procedurat janë përmbyllur, dhe në pjesën më të madhe nuk janë konstatuar parregullsi.
“Janë privuar nga liria 11 persona për shkak të ryshfetit, fotografimit apo shkatërrimit të fletëvotimit. Janë liruar katër persona, ndërsa shtatë janë ndaluar për procedurë të mëtejshme. Janë raportuar shtatë raste me përfshirje të dyshuar të zyrtarëve policorë, nga të cilat në gjashtë nuk janë konstatuar parregullsi. Janë regjistruar 19 publikime në rrjetet sociale dhe internet që janë objekt i verifikimeve të mëtejshme. Të gjitha këto të dhëna dëshmojnë se procesi zgjedhor kaloi në atmosferë të drejtë, të qetë dhe demokratike, pa shkelje serioze të rendit dhe qetësisë publike”, deklaroi Toshkovski.
Ai shtoi, se gjatë ditës së sotme është ndaluar edhe një person i punësuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, por në momentin e ndalimit nuk ka qenë në kryerje të detyrave të punës.
Gjithashtu, Toshkovski informoi, se janë paraqitur shtatë raste ku kanë qenë të përfshirë pjesëtarë të policisë, por për gjashtë prej tyre është konstatuar se nuk ka pasur parregullsi, ndërsa një rast ende është në fazë sqarimi.
Sektori për krim kompjuterik ka regjistruar edhe 19 postime në rrjetet sociale që lidhen me zgjedhjet, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimit shtesë.
“Dua t’u falënderohem të gjithë punonjësve policorë që e kryen profesionalisht detyrën e tyre dhe mundësuan që qytetarët pa probleme të realizojnë të drejtën e votës. Po ashtu, i falënderoj edhe qytetarët për qasjen e tyre korrekte dhe demokratike”, përfundoi Toshkovski.
- LEXO: Gjithçka që duhet të dini, në kohë reale: Maqedonia e Veriut voton, u mbajt rrethi i parë i zgjedhjeve lokale
- LEXO: Numri i votuesve të regjistruar në të gjitha zgjedhjet lokale të RMV-së 1996-2025 (Infografik)
- LEXO: Dalja e votuesve në të gjitha zgjedhjet lokale të RMV-së 1996-2021 (Infografik)2