Në Klinikën e Neurokirurgjisë në Shkup për herë të parë u krye operacion në tru me ndihmën e sistemit të stereotaksisë

Gjatë javës së kaluar, në Klinikën e Neurokirurgjisë për herë të parë u krye operacion në tru me ndihmën e sistemit të stereotaksisë (biopsi cerebrale stereotaktike me kornizë), njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk. “Po shkruajmë një kapitull të ri në neurokirurgji. Është kënaqësi e madhe kur kemi zhvillim në institucionet publike shëndetësore, përmes […]

Në Klinikën e Neurokirurgjisë në Shkup për herë të parë u krye operacion në tru me ndihmën e sistemit të stereotaksisë
Në Klinikën e Neurokirurgjisë në Shkup për herë të parë u krye një operacion në tru me ndihmën e sistemit të stereotaksisë. Foto: Minsitria e Shëndetësisë

Gjatë javës së kaluar, në Klinikën e Neurokirurgjisë për herë të parë u krye operacion në tru me ndihmën e sistemit të stereotaksisë (biopsi cerebrale stereotaktike me kornizë), njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

“Po shkruajmë një kapitull të ri në neurokirurgji. Është kënaqësi e madhe kur kemi zhvillim në institucionet publike shëndetësore, përmes aplikimit të metodave të reja. Bëhet fjalë për një procedurë minimalisht invazive që kryhet me ndihmën e një kornize që vendoset mbi kokën e pacientit. Më pas, me anë të llogaritjeve të veçanta tredimensionale, planifikohet me saktësi vendi i ndërhyrjes brenda kokës dhe merret material për analizë”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Aliu.

Për të arritur këtë rezultat, thuhet në njoftim, i paraprinë përgatitje me një ekip ekspertësh nga Brazili, të udhëhequr nga prof. Manoel Jakobsen Teisheira nga Universiteti i Sao Paulos, si dhe inxhinieri Antonio Martos Kalvo.

Ekipi i punës që realizoi këtë ndërhyrje të rëndësishme përbëhet nga dr. Robert Shumkovski, dr. Ivica Kocevski, dr. Lulzim Agai (neurokirurg) dhe dr. Radmilla Pangovska (anesteziologe).

“Një falënderim i veçantë për ekipin e sallave neurokirurgjikale dhe për departamentin për mbështetjen e vazhdueshme gjatë procesit të punës, si dhe për Klinikën e Radiologjisë për mbështetjen e pakushtëzuar në organizimin e procesit të punës. Kjo procedurë në të ardhmen ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e neurokirurgjisë funksionale dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme neurodegjenerative, për të cilat pacientët tanë deri më tani janë dërguar për trajtim jashtë vendit”, sqaroi drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, dhe njëherit pjesë e ekipit, Lulzim Agai.