Për shkak të mbeturinave, minjtë janë kërcënim për Shkupin, çfarë sëmundjesh transmetojnë ata?

Grumbujt e mbeturinave në Shkup, që janë mbledhur në rrugët e kryeqytetit për ditë të tëra janë “fole” ideale për shumimin e brejtësve. Minjtë janë bartës të njohur të sëmundjeve të rënda infektive: leptospirozës, hantavirusit dhe madje edhe murtajës bubonike. Këto sëmundje transmetohen përmes urinës, jashtëqitjes, pështymës dhe pleshtave të brejtësve, paralajmërojnë epidemiologët, shkruan Dojçe […]

Për shkak të mbeturinave, minjtë janë kërcënim për Shkupin, çfarë sëmundjesh transmetojnë ata?
Mbeturina në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (tetor 2025)

Grumbujt e mbeturinave në Shkup, që janë mbledhur në rrugët e kryeqytetit për ditë të tëra janë “fole” ideale për shumimin e brejtësve. Minjtë janë bartës të njohur të sëmundjeve të rënda infektive: leptospirozës, hantavirusit dhe madje edhe murtajës bubonike. Këto sëmundje transmetohen përmes urinës, jashtëqitjes, pështymës dhe pleshtave të brejtësve, paralajmërojnë epidemiologët, shkruan Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

“Minjtë riprodhohen sipas një progresioni eksponencial: në një periudhë prej vetëm 18 muajsh, një çift mund të prodhojë më shumë se një milion pasardhës. Ky është një fakt biologjik. Modeli eksponencial supozon burime të pakufizuara si ushqimi, uji dhe hapësira. Ky supozim përmbushet në Shkup! Pyetja që lind është se sa larg kanë arritur, kur kushtet janë optimale, dhe mbeturinat janë grumbulluar për muaj (dhe vite)?” pyet epidemiologu Dragan Danillovski.

Shkupi është mbytur në mbeturina për ditë të tëra, për shkak të kontejnerëve të papastër, gjë që po e shndërron atë në një bombë me sahat për një epidemi. Mikrobiologët paralajmërojnë se situata është alarmante.

Sipas Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, minjtë janë përgjegjës për transmetimin e mbi 35 sëmundjeve në të gjithë botën. Ka shumë sëmundje të rrezikshme që lidhen me brejtësit që mund të prekin njerëzit, të tilla si: hantavirusi, ethet e kafshimit të miut, murtaja, tifoja e miut, leptospiroza, sëmundja Lyme, dizenteria e derrit dhe salmonela.

“Simptomë e kolapsit sistemik”

Ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” nuk ka mbledhur mbeturina për ditë të tëra, duke shkaktuar derdhjen e grumbujve të mbeturinave nga kontejnerët. Disa komuna kanë njoftuar se do të përpiqen ta trajtojnë vetë problemin.

“Kjo pamje nuk është më vetëm çështje estetike apo rend urban – por çështje e shëndetit publik. Situata kulmoi në një ngjarje të pafat: një fëmijë u kafshua nga një mi në oborrin e një shkolle, në afërsi të së cilës kishte një grumbull mbeturinash”, tha Danilovski në një postim në mediat sociale.

Sipas tij, ky nuk është më një incident, por një simptomë e kolapsit sistemik. “Është vetëm çështje kohe para se një neglizhencë e tillë të çojë në transmetimin e infeksionit”, thekson epidemiologu.

Vija e kuqe

Përhapja e pakontrolluar e brejtësve mund të ketë pasoja katastrofike. Në Mesjetë, midis viteve 1347 dhe 1352, murtaja bubonike (“Vdekja e Zezë”) mori 75 deri në 200 milionë jetë – pothuajse gjysma e popullsisë së Evropës.

“Sot kemi mjekësi shkencore, sisteme shëndetësore publike dhe antibiotikë, por do të ishte e papërgjegjshme të lejonim që një rezervuar biologjik infeksioni të krijohej në zemër të kryeqytetit. Një fëmijë që kafshohet nga një mi në oborrin e një shkolle është një vijë e kuqe që nuk duhej të ishte kaluar”, shprehet mjeku.

Epidemiologët tregojnë se nevojitet ndërhyrja urgjente dhe e koordinuar nga të gjitha institucionet kompetente – nëse është e nevojshme, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa pjesë të territorit të qytetit – kryesisht me qëllim dezinfektimin, dezininsektimin, deratizimin dhe eliminimin e rrezikut për shëndetin publik.

“Sapo të neutralizohet rreziku, duhet të pasojë përgjegjësia e qartë institucionale. Sepse e drejta për shëndet është një e drejtë e garantuar kushtetuese e çdo qytetari”, thotë Danilovski.

Problemi i kushteve johigjienike në qytet u përshkallëzua në mes të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, kur, ndër të tjera, zgjidhet pasardhësja e kryetares së Qytetit Danela Arsovska, e cila në periudhën e ardhshme do të duhet të merret me problemet më urgjente në Qytetin e Shkupit – ndër to është edhe mbeturinat.

Lidhur me problemin me mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave komunale në territorin e Qytetit të Shkupit,  Qeveria i ngarkoi inspektoratet kompetente, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), të fillojnë inspektim të jashtëzakonshëm të koordinuar për të përcaktuar situatën me mbeturinat komunale, dhe me qëllim të ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve përkatëse.