S’NA DUAN, APO NUK DUAM NJËRI – TJETRIN?

Ndeshja e djeshme me Çekinë tregoi edhe njëherë tjetër dashurinë e pakufijshme që kanë shqiptarët kudo që ndodhen për Atdheun e tyre, Shqipërinë. Qytetarë nga të gjitha trevat ishin mbledhur në Tiranë që në mëngjes, për të nisur një ditë feste që do të kulmonte me fitoren spektakolare të kuqezinjve. Në stadium nuk mund të […] The post S’NA DUAN, APO NUK DUAM NJËRI – TJETRIN? appeared first on Ditar.al.

S’NA DUAN, APO NUK DUAM NJËRI – TJETRIN?

Ndeshja e djeshme me Çekinë tregoi edhe njëherë tjetër dashurinë e pakufijshme që kanë shqiptarët kudo që ndodhen për Atdheun e tyre, Shqipërinë. Qytetarë nga të gjitha trevat ishin mbledhur në Tiranë që në mëngjes, për të nisur një ditë feste që do të kulmonte me fitoren spektakolare të kuqezinjve.

Në stadium nuk mund të mungonin tifogrupet e organizuara, si Tifozat Kuq e Zi dhe Plisat, të ardhur nga Kosova për të mbështetur Kombëtaren e tyre. Flamuj kuq e zi, stema e UÇK-së, plisat dhe qeleshet, ndërthurur me koreografitë mahnitëse i dhanë edhe më shumë atmosferën dhe ngjyra një nate magjike.

Për ta bërë edhe më emocionuese të gjithë këtë atmosferë menduan pikërisht “PLISAT”, të cilën shpalosën në fillim të ndeshjes edhe një nga banderolat më domethënëse: “Mallkue qoftë kush s’na do bashkë”. Një thirrje për bashkim, në një kohë kur bashkimi duhet më shumë se kurrë.

Për ironi të fatit, përballë kësaj banderole qëndronin dy kryeministrat, Edi Rama i Shqipërisë dhe Albin Kurti i Kosovës. Ky i fundit erdhi nga Kosova për të mbështetur Kombëtaren, por fatkeqësisht nuk mori mikpritjen që meritonte nga homologu i tij.

Ndasitë në politikë nuk mundi t’i lërë mënjanë as kombëtarja e futbollit, pasi kryeministri Rama vendosi që t’i lërë Kurtit afër zv.kryeministren Belinda Balluku, ndërsa vetë qëndroi me familjen dhe Presidentin e FSHF-së Armand Duka.

Marrëdhëniet mes Kurtit dhe Ramës dihet si janë, por mos ndoshta ky i fundit, duke qenë se ishte edhe “i zoti i shtëpisë”, duhet të zgjaste dorën për pajtim qoftë edhe vetëm për këtë ndeshje dhe ta shikonte sfidën së bashku me Kurtin?

Në këtë rast gjen kuptim më së miri shprehja e At Zef Pllumit: “E keqja neve na vjen prej vetvedit, prej njani tjetrit, prej shqiptarëve. Na s`kemi dashuni njani me tjetrin, kemi inate, e mllef e kurgja tjetër…Kjo asht e keqja e madhe që na vjen…që na ka ardhë historikisht”.

Nuk na duan apo nuk duam njëri tjetrin? Mesa duket, kjo e dyta po triumfon, por ky triumf është një këmbanë alarmi që duhet të na zgjojë përpara se të jetë shumë vonë.

Shqipëri, Kosovë, gjithë trevat shqiptare kudo që janë! Kur bëhet fjalë për çështje kombëtare, ndasitë duhet të lihen mënjanë! Kemi vuajtur shumë ndër vite, s’mund të vazhdojë njësoj. JEMI NJË!

The post S’NA DUAN, APO NUK DUAM NJËRI – TJETRIN? appeared first on Ditar.al.