Studimi: Asnjë sasi alkooli nuk është e sigurt, të paktën për rrezikun nga demenca
Edhe një apo dy pije në ditë nuk janë pa rrezik, sipas kërkimeve të publikuara në BMJ Evidence-Based Medicine. Për vite të tëra besohej se pak alkool mund të ishte madje i dobishëm për shëndetin. Por studimi më i fundit, i bazuar në të dhënat e mbi 550 mijë të rriturve të moshës 56–72 vjeç […] The post Studimi: Asnjë sasi alkooli nuk është e sigurt, të paktën për rrezikun nga demenca appeared first on Sinjali.

Edhe një apo dy pije në ditë nuk janë pa rrezik, sipas kërkimeve të publikuara në BMJ Evidence-Based Medicine.
Për vite të tëra besohej se pak alkool mund të ishte madje i dobishëm për shëndetin. Por studimi më i fundit, i bazuar në të dhënat e mbi 550 mijë të rriturve të moshës 56–72 vjeç dhe në analizat gjenetike të 2.4 milionë pjesëmarrësve, tregon të kundërtën: edhe konsumimi i lehtë i alkoolit mund të rrisë rrezikun për demencë, ka shkruar The Washington Post.
“Për një kohë të gjatë kemi menduar se mënyra më e shëndetshme për trurin ishte një gotë në ditë. Por provat e reja tregojnë se edhe sasi të vogla mund të kenë efekte negative në kujtesë dhe funksionet njohëse. Nëse kujtesa është e rëndësishme për ju, duhet ta rimendoni edhe konsumimin e paktë të alkoolit”, ka thënë profesori Joel Gelernter, nga Yale University School of Medicine dhe autor kryesor i studimit
Ka kohë që dihet se alkooli dëmton trurin në rastet e konsumit të lartë, më shumë se 12 pije në javë, apo te personat me varësi. Por deri tani mendohej se një gotë verë apo birrë herë pas here nuk ishte problem, madje mund të kishte përfitime. Një studim i vitit 2003 madje kishte sugjeruar se personat që pinin një gotë në ditë kishin më pak gjasa të zhvillonin demencë sesa ata që nuk pinin fare.
Megjithatë, studimi i ri kundërshton plotësisht këtë ide. Duke analizuar të dhënat gjenetike, studiuesit zbuluan se çdo trefishim i konsumit të alkoolit, për shembull, nga një në tre pije në javë, rrit rrezikun për demencë me 15 për qind.
Ata po ashtu treguan se personat që ndalojnë së piri shpesh janë ata që kanë filluar të përjetojnë rënie të aftësive njohëse. Kjo do të thotë se alkooli mund të ndikojë në zhvillimin e demencës, por edhe demenca mund të ndikojë në uljen e konsumit të alkoolit.
Profesoresha Anya Topiwala, nga University of Oxford, thekson se gjithçka varet nga sasia.
“Nëse e zvogëlon marrjen e alkoolit, edhe pa e ndërprerë krejtësisht, kjo ndoshta do të të sjellë përfitime. Në rastin e trurit, çdo reduktim ka rëndësi”, ka thënë ajo.
Ndërsa Natalie Zahr, profesoreshë e psikiatrisë në Stanford University, shton se njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga alkooli vetë, por nga mënyra dhe sasia e përdorimit.
“Ai duhet shijuar në vendin dhe momentin e duhur”, ka thënë ajo.
Sipas studiuesve, alkooli ndikon në trurin tonë duke ulur “rezervën cerebrale”, pra aftësinë e trurit për t’u përballur me dëme apo sëmundje të tjera. Ai kalon shpejt në tru dhe ndikon në neurotransmetuesit, duke e bërë trurin më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve si Alzheimer apo Parkinson.
Studimet e imazherisë së trurit kanë treguar se edhe një ose dy pije në ditë, të konsumuara rregullisht, lidhen me zvogëlim të lëndës ngjyrë hiri në tru dhe me rritje të hekurit në tru, që shoqërohet me sëmundje neurodegjenerative.
Përveç kësaj, alkooli dëmton edhe lëndën e bardhë të trurit, “izolimin” që lidh qelizat nervore mes tyre, dhe mund të pengojë rigjenerimin e saj.
Zahr ka theksuar se ndryshe nga Alzheimeri, demencat e shkaktuara nga alkooli mund të përmirësohen nëse personi ndalon së konsumuari alkool.
“Nëse heq dorë nga alkooli, truri mund të rikuperojë pjesërisht vëllimin dhe kujtesën. Kjo nuk ndodh me sëmundje të tjera si Alzheimeri”, ka thënë Zahr.
Sa i përket mënyrave për ta kufizuar konsumimin, ekspertët sugjerojnë pjesëmarrjen në sfida si ‘Sober October’ apo ‘Dry January’, si dhe përdorimin e pijeve pa alkool që ndihmojnë në shmangien e presionit social për të pirë.
Nëse dikush pi shumë, ndalimi i menjëhershëm mund të jetë i rrezikshëm dhe duhet bërë nën mbikëqyrje mjekësore.
Topiwala ka shtuar se është e rëndësishme të shmanget “pija me sasi të larta për një herë”, sepse truri përjeton një “mini-krizë” të ngjashme me tërheqjen nga alkooli, që është shumë toksike për qelizat nervore.
Ajo ka këshilluar që ta “shpërndani konsumimin gjatë javës, zgjidhni pije me përqindje më të ulët alkooli, alternoni me pije të buta dhe kufizoni sasinë”.
Profesori Gelernter ka thënë se nëse dikush bën diçka që mund të jetë e dëmshme për shëndetin, le ta bëjë me vetëdije për rrezikun që merr përsipër.
“Ndoshta do ta bëni prapë, por të paktën do ta bëni me sy hapur”, ka thënë ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Studimi: Asnjë sasi alkooli nuk është e sigurt, të paktën për rrezikun nga demenca appeared first on Sinjali.