Toshkovski: Dje janë konstatuar katër raste të shkeljes së heshtjes zgjedhore

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një deklaratë për mediat pasi realizoi të drejtën e tij për të votuar, tha se gjatë ditës së sotme janë aktivizuar mbi 90 për qind e forcave me të cilat disponon ministria dhe se ato janë përqendruar në zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë, transmeton Portalb.mk. […]

Toshkovski: Dje janë konstatuar katër raste të shkeljes së heshtjes zgjedhore
Foto printscreen nga videoja e MPB-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një deklaratë për mediat pasi realizoi të drejtën e tij për të votuar, tha se gjatë ditës së sotme janë aktivizuar mbi 90 për qind e forcave me të cilat disponon ministria dhe se ato janë përqendruar në zhvillimin e një procesi zgjedhor të qetë, transmeton Portalb.mk.

“Po ndërmarrim paraprakisht të gjitha veprimet që duhet të ndërmerren në kuadër të procesit zgjedhor. Jemi në terren rreth vendvotimeve, po kontrollojmë ‘pikat e nxehta’ ku pritet prani më e madhe e qytetarëve. Deri tani nuk kemi asnjë problem gjatë ditës së votimit,” tha Toshkovski.

Sipas tij, dje policia ka konstatuar katër raste ku ka pasur potencialisht shkelje të heshtjes zgjedhore me veprime të paligjshme nga qytetarë.

“Po veprojmë lidhur me ato ngjarje dhe pasi të përfundojë hetimi dhe të kemi një pasqyrë konkrete, opinioni do të njoftohet”, shtoi ai.

Toshkovski gjithashtu tha se në mëngjes nuk ishte hapur një vendvotim në territorin e Komunës së Prilepit, por sipas informacioneve të tij, pas orës 9:00 edhe atje ka filluar procesi zgjedhor.

Ndërkaq, MPB njoftoi se, gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore, nga ora 18.10.2025 deri në orën 07:00 të datës 19.10.2025, pra deri në hapjen e vendvotimeve, janë regjistruar gjithsej 20 raportime për shkelje të heshtjes zgjedhore — gjashtë në rajonin e SPB Shkup, katër në rajonin e SPB Kumanovë, tre në rajonin e SPB Veles, nga dy ngjarje në rajonet e SPB Ohër, SPB Shtip dhe SPB Manastir, si dhe një në rajonin e SPB Strumicë. Pas marrjes së masave përkatëse, nuk janë konfirmuar raportimet për 15 nga këto ngjarje.

“Përveç kësaj, janë regjistruar 47 postime në rrjetet sociale gjatë heshtjes zgjedhore, të cilat kishin të bëjnë me thirrje për të votuar për kandidatë të caktuar, si dhe me publikime videosh dhe fotografish nga aktivitete partiake nëpër shtabe. Në të gjitha rajonet, votimi për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe për të burgosurit, ka kaluar pa shkelje të procesit të votimit, dhe është regjistruar vetëm një ngjarje”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

MPB theksoi se do t’i sigurojnë vendvotimet pa ndërprerje gjatë kohëzgjatjes së votimit, si dhe pas mbylljes së vendvotimeve dhe gjatë përmbledhjes së rezultateve. Ata do t’i largojnë të gjitha personat e paautorizuar nga objekti dhe do ta sigurojnë Këshillin Zgjedhor deri në dorëzimin e materialit zgjedhor në komisionin zgjedhor komunal.