Pse zviceranët e refuzuan iniciativën për kufizimin e popullsisë në 10 milionë?

Pse zviceranët e refuzuan iniciativën për kufizimin e popullsisë në 10 milionë?

Një analizë e re ka hedhur dritë mbi arsyet pse votuesit zviceranë refuzuan iniciativën e Partisë Popullore Zvicerane (SVP), e cila synonte kufizimin e popullsisë së përhershme të Zvicrës në më pak se 10 milionë banorë deri në vitin 2050.

Në referendumin federal të 14 qershorit 2026, rreth 55 për qind e votuesve votuan kundër iniciativës “Jo një Zvicre me 10 milionë banorë”, ndërsa rreth 45 për qind e mbështetën atë.

Sipas një analize të institutit VOX, të cituar nga The Local, motivet e dy kampeve ishin dukshëm të ndryshme, transmeton albinfo.ch.

Për mbështetësit e iniciativës, një ndër shqetësimet kryesore ishte presioni që rritja e popullsisë dhe emigracioni mund të ushtronin mbi infrastrukturën e vendit. Mungesa e banesave, mbingarkesa e transportit publik dhe trafikut, sistemi shëndetësor dhe shkollat ishin ndër çështjet që ndikuan në votën e tyre. Sipas analizës, çështja e mbingarkesës së infrastrukturës ishte relevante për 62 për qind të votuesve.

Megjithatë, argumenti që duket se ndikoi vendimtar në refuzimin e iniciativës ishte frika se kufiri prej 10 milionë banorësh do të ishte tepër i ngurtë.

Shumë votues vlerësuan se kufizimi i fortë i emigracionit mund të kishte pasoja negative për tregun e punës dhe ekonominë zvicerane, të cilat varen në masë të konsiderueshme nga fuqia punëtore e ardhur nga jashtë.

Në fund të vitit 2025, Zvicra kishte rreth 9.1 milionë banorë. Qeveria federale kishte theksuar para votimit se kompanitë, por edhe institucionet publike, si spitalet dhe shtëpitë e kujdesit, rekrutojnë punonjës të kualifikuar nga vendet e Bashkimit Evropian kur nuk arrijnë të gjejnë staf të mjaftueshëm në tregun vendas.

Iniciativa e SVP-së parashihte që popullsia e përhershme të mos kalonte 10 milionë banorë para vitit 2050. Në rast të afrimit me këtë kufi, autoritetet do të duhej të ndërmerrnin masa për frenimin e rritjes së popullsisë dhe emigracionit.

Rezultati përfundimtar tregoi se 54.79 për qind e votuesve e refuzuan iniciativën, kundrejt 45.21 për qind që votuan në favor të saj.

Analiza e fundit tregon se, megjithëse shqetësimet për rritjen e popullsisë, banesat dhe infrastrukturën gjetën mbështetje të konsiderueshme, shumica e votuesve nuk ishin të gatshëm të pranonin një kufi të ngurtë që mund të rrezikonte tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të Zvicrës.

The post Pse zviceranët e refuzuan iniciativën për kufizimin e popullsisë në 10 milionë? appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.