Ambasadori i ri zviceran nis misionin në Shkup: Do të na paraqiten mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe
Ambasadori i sapoemëruar i Konfederatës Zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Christoph Sommer, ia dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentes Gordana Siljanovska Davkova më 06.11.2025. Së bashku riafirmuan marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe konfirmuan se ato do të vazhdojnë të forcohen, transmeton Portalb.mk. “Jam shumë krenar që jam emëruar Ambasador i Zvicrës në vendin tuaj dhe […]

Ambasadori i sapoemëruar i Konfederatës Zvicerane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Christoph Sommer, ia dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentes Gordana Siljanovska Davkova më 06.11.2025. Së bashku riafirmuan marrëdhëniet e mira dypalëshe dhe konfirmuan se ato do të vazhdojnë të forcohen, transmeton Portalb.mk.
“Jam shumë krenar që jam emëruar Ambasador i Zvicrës në vendin tuaj dhe i bindur se në vitet në vijim do të na paraqiten mundësi të reja për forcimin e marrëdhënieve tona”, deklaroi ambasadori Zommer gjatë takimit.
Ai theksoi se Zvicra i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut për të formësuar të ardhmen e përbashkët, në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po përjeton një epokë të re trazirash politike dhe ekonomike, ku Evropa gjendet në epiqendër të zhvillimeve, normat dhe institucionet ndërkombëtare të konsoliduara po përballen me sfida, ndërsa ndryshimet teknologjike kanë ndikim të thellë në të gjitha nivelet.
“Së bashku me përkushtimin për thellimin e mëtejshëm të shkëmbimeve politike, ekonomike, kulturore dhe shkencore, Programi i ri i Bashkëpunimit 2025–2028, i cili fokusohet në qeverisjen demokratike, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, si dhe ujin dhe mjedisin, mbetet një shtyllë themelore e marrëdhënieve dypalëshe, në prag të kryesimit të Zvicrës me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në vitin 2026. Zvicra është e pranishme në Maqedoninë e Veriut që nga viti 1992, ndërsa marrëdhëniet diplomatike u vendosën zyrtarisht në vitin 1994. Ambasada e Zvicrës në Shkup u hap në vitin 2000. Lidhjet ndërmjet dy vendeve forcohen edhe nga prania në Zvicër e një komuniteti të madh me prejardhje nga Maqedonia e Veriut. Ambasadori Zommer do të mbikëqyrë gjithashtu Programin Zviceran për Bashkëpunim, i cili zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe sektorin privat. Gjatë tre dekadave të fundit, Zvicra ka kontribuar rreth 370 milionë franga zvicerane në bashkëpunimin për zhvillim, duke e bërë atë një nga partnerët më të rëndësishëm dypalësh të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
