Bartja e mjeteve buxhetore, Trafiku Urban: Presim transferimin e mjeteve nga niveli qendror
Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban” ka sqaruar opinionin publik se transporti me autobusë nuk do të rifillojë menjëherë, pavarësisht se Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi të premten bartjen e mjeteve buxhetore. Përmes një reagimi zyrtar, ndërmarrja ka bërë të ditur se vendimi i Kuvendit Komunal është vetëm hapi i parë. Që mjetet të jenë të përdorshme


Ndërmarrja Publike “Trafiku Urban” ka sqaruar opinionin publik se transporti me autobusë nuk do të rifillojë menjëherë, pavarësisht se Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi të premten bartjen e mjeteve buxhetore.
Përmes një reagimi zyrtar, ndërmarrja ka bërë të ditur se vendimi i Kuvendit Komunal është vetëm hapi i parë. Që mjetet të jenë të përdorshme për shlyerjen e borxheve ndaj furnitorëve, nevojitet transferimi fizik i tyre nga institucionet qendrore (Ministria e Financave).
“Në radhë të parë shprehim keqardhje të thellë për shqetësimet dhe vështirësitë që po ju shkaktohen nga pezullimi i transportit publik. E dimë sa i rëndësishëm është ky shërbim për lëvizjen tuaj të përditshme”, thuhej në reagimin e Trafikut Urban.
“Megjithëse sot Kuvendi Komunal ka votuar bartjen e mjeteve buxhetore nga viti 2024, duhet theksuar qartë se këto mjete mund të bëhen të përdorshme vetëm pas transferimit të tyre nga institucionet qendrore. Deri në realizimin e këtij hapi, N.P.K. “Trafiku Urban” SHA mbetet në pamundësi financiare për të shlyer obligimet ndaj furnitorëve, e rrjedhimisht edhe për të rifilluar operimin normal”, thuhej aty.

