Gjashtë persona vdiqën në aksidente trafiku për katër ditë në RMV, MPB me thirrje për vozitje të kujdesshme

Gjashtë persona humbën jetën në katër ditë në aksidente trafiku. Nga fillimi i këtij viti deri në tetor, janë regjistruar 115 viktima, dhe gjatë vitit të kaluar, 142 viktima janë regjistruar në aksidente trafiku, transmeton Portalb.mk. Ministria e Brendshme u bën thirrje shoferëve të jenë të kujdesshëm, të mos lejojnë që telefonat celularë t’i shpërqendrojnë, […]

Gjashtë persona vdiqën në aksidente trafiku për katër ditë në RMV, MPB me thirrje për vozitje të kujdesshme
Ilustrim: Aksident trafiku/ Foto: Artyom Kulakov from Pexels: https://www.pexels.com/photo/a-broken-windshield-of-a-car-2265634/

Gjashtë persona humbën jetën në katër ditë në aksidente trafiku. Nga fillimi i këtij viti deri në tetor, janë regjistruar 115 viktima, dhe gjatë vitit të kaluar, 142 viktima janë regjistruar në aksidente trafiku, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Brendshme u bën thirrje shoferëve të jenë të kujdesshëm, të mos lejojnë që telefonat celularë t’i shpërqendrojnë, të mos ngasin nën ndikimin e alkoolit dhe të mos e tejkalojnë shpejtësinë maksimale.

“Statistikat tregojnë se shkaqet më të zakonshme që çojnë në aksidente trafiku me pasoja fatale janë kryesisht mosrespektimi i rregullave të trafikut, gjegjësisht përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të automjetit, drejtimi me shpejtësi që tejkalon limitin e lejuar të shpejtësisë, drejtimi nën ndikimin e alkoolit, etj. U bëjmë thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe të mos e vënë në rrezik jetën e tyre dhe jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës”, thotë Ministria e Brendshme.

Ata gjithashtu u bëjnë apel prindërve të mos lejojnë fëmijët e tyre të ngasin asnjë mjet transporti pa trajnim dhe patentë.

Ndryshe,  raporti vjetor për vitin 2024 i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), tregon se në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje alarmante prej 116% në veprat penale “tentativë vrasjeje”, shumica me armë zjarri dhe të ndodhura në zonën e SPB Shkup. Krimet e dhunshme u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2024, me një rritje prej 13.6% krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 1,943 raste. Ndërkohë, vrasjet ranë me 13%, me gjithsej 20 raste, pesë prej të cilave lidhen me dhunën në familje. Edhe vetëvrasjet pësuan rënie prej 13.5%, me 83 raste, kryesisht te burrat mbi 30 vjeç. Në fushën e aksidenteve dhe lëndimeve në punë, u regjistruan 241 raste, ku 36 persona humbën jetën dhe 59 u plagosën rëndë, më së shumti në SPB Tetovë.