Maqedonci: Kosova po i përshtat strategjitë e sigurisë me zhvillimet globale

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një intervistë ka folur për zhvillimet aktuale të sigurisë në nivel global dhe ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit dhe në Kosovë. Maqedonci theksoi se bota po kalon një nga periudhat më të ndërlikuara të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, me ndryshime të mëdha

Maqedonci: Kosova po i përshtat strategjitë e sigurisë me zhvillimet globale
Maqedonci: Kosova po i përshtat strategjitë e sigurisë me zhvillimet globale

Maqedonci: Kosova po i përshtat strategjitë e sigurisë me zhvillimet globale

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një intervistë ka folur për zhvillimet aktuale të sigurisë në nivel global dhe ndikimin e tyre në rajonin e Ballkanit dhe në Kosovë.

Maqedonci theksoi se bota po kalon një nga periudhat më të ndërlikuara të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, me ndryshime të mëdha strategjike dhe shfaqjen e akterëve që po sfidojnë rendin global të sigurisë.

“Kemi parë invazionin rus në Ukrainë, tensionet dhe luftërat në Lindjen e Mesme, si dhe qasje gjithnjë e më agresive të disa shteteve anë e mbanë globit. Kjo ka krijuar një ambient të ri të pasigurisë, ku çdo shtet po përcakton qasjen dhe qëndrimet e veta ndaj këtyre ndryshimeve”, tha Maqedonci.

Ai foli edhe për rolin e Rusisë në rajonin e Ballkanit, duke vënë në pak përpjekjet e saj për të ndikuar përmes Serbisë në proceset integruese të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Serbia, përveç lidhjeve historike dhe kulturore me Federatën Ruse, ndan me të edhe interesa të përbashkëta për të minuar proceset e integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor. Kjo politikë prodhon tensione dhe rrezikon stabilitetin në gjithë rajonin”, shtoi ai.

Ministri në detyrë vlerësoi lart punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në zbulimin dhe neutralizimin e rrjeteve të spiunazhit që kanë tentuar të destabilizojnë Kosovën, duke nënvizuar profesionalizmin e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

“AKI-ja ka bërë një punë të shkëlqyer në goditjen e rrjeteve të spiunazhit që i shërbenin interesave të huaja. Kemi pasur arrestime të agjentëve që kanë tentuar të ndikojnë në çështje të ndjeshme për sigurinë e vendit”, theksoi tutje Maqedonci.

Duke folur për zhvillimin e kapaciteteve të Mbrojtjes së Kosovës, Maqedonci tha se shtimi i kapaciteteve me dronë luftarakë është rezultat i analizave strategjike për përshtatje me ndryshimet teknologjike globale.

“Kosova po ndërton kapacitete moderne për t’u përballur me sfidat e sigurisë.Shtimi i dronëve luftarakë është pjesë e kësaj strategjie”, u shpreh ai.

Ai rikujtoi gjithashtu se vitin e kaluar është miratuar koncepti i ri i “mbrojtjes gjithëpërfshirëse, i cili synon të përfshijë qytetarët në sistemin e mbrojtjes përmes angazhimit vullnetar.

“Ky koncept u jep qytetarëve mundësinë të kontribuojnë në mbrojtjen e vendit. Kështu përgatisim gjeneratat e reja për të qenë pjesë aktive e sistemit tonë mbrojtës”, nënvizoi Maqedonci.

Maqedonci theksoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur sot procesin e validimit për Regjimentin e Tretë Kombësor, duke shënuar kështu përfundimin e të gjitha fazave të validimit për regjimentet kombësore. Regjimenti i parë dhe i dyti u validuan gjatë dy viteve të kaluara.

Ai tha se termi validim në terminologjinë ushtarake nënkupton që njësi është e gatshme, e trajnuar, e pajisur dhe e përgatitur për të realizuar operacionet e fushës dhe misionet për të cilat i takon.

“Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për Ushtrinë e Kosovës, pasi konfirmon përgatitjen e njësive luftarake në nivele të kërkuara. Validimi i Regjimentit të Tretë konsiderohet hap kyç drejt kalimit në fazën tjetër të zhvillimit të FSK-së, ku do të ndërtohen kapacitete të mbështetjes luftarake, përfshirë artilerinë e rëndë, mbështetjen ajrore, sisteme antitank dhe sisteme të tjera mbështetëse”, tha Maqedonci.

Sipas tij, një pjesë e këtyre kapaciteteve kanë qenë të planifikuara të ndërtohen deri më 2028, por disa prej pajisjeve tashmë janë arritur.

Ai bëri të ditur se në janar të këtij viti delegacioni i FSK-së ka zhvilluar takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes dhe Departamentit të Shtetit. “Gjatë vizitës në kompaninë Lockheed Martin diskutuam mundësinë e blerjes së helikopterëve Black Hawk, helikopterë të njohur për efikasitetin e tyre në Forcat e Armatosura të SHBA-së”. Bisedimet, tha ai përfshinë detaje teknike dhe financiare; aktualisht kërkohen analiza dhe më pas do të kalojnë në fazën e blerjes.

Ai tha se gjatë muajve të fundit, FSK ka pranuar disa pajisje të reja: dronë (përfshirë dronët Puma nga SHBA, automjete të blinduara, si dhe sisteme të tjera që në disa raste janë bërë publike, dhe në disa raste mbeten të klasifikuara.

Maqedonci pohoi se gjatë këtij mandati janë bërë investime të konsiderueshme, rreth 400 milionë euro për blerje të armatimit dhe pajisjeve, shumica e të cilave janë realizuar shtet-me-shtet.

Ai foli edhe për krijimin e njësitit të përbashkët të ushtrive të Kosovës dhe Shqipërisë. “Ne në vazhdimësi jemi duke u angazhuar të punojmë më shumë vende të NATO-s , mirëpo me Republikën e Shqipërisë bashkëpunimi është shumë i veçantë. Me ministrin Piro Vengo kemi filluar shumë iniciativa të rëndësishme për dy vendet tona, duke përfshirë edhe marrëveshjen trilaterale që kemi bërë me Kroacinë dhe Shqipërinë. Jemi dakorduar për bashkëprodhim të sistemeve të armatimit dhe një njësie të përbashkët”, tha Maqedonci.

I pyetur për zhvillimet e fundit politike dhe formimin e Qeverisë së re, Maqedonci tha se nuk ka ende informacione të reja, por se sipas tij, përpjekjet për formimin e Qeverisë Kurti 3 do të vazhdojnë, në mënyrë që të finalizohen projektet e nisura gjatë mandatit të kaluar./RTK