Protestë në Shkup: Mos hesht ndaj masakrës në Palestinë
Me moton “Mos hesht ndaj masakrës në Palestinë”, sot pas faljes së namazit të xhumasë, në ora 13:45, para Xhamisë Murat Pasha në Shkup do të mbahet protestë në mbështetje të popullit palestinez, civilët e të cilit po vuajnë si pasojë e konfliktit mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit, njofton Portalb.mk. Protesta organizohet nga “Platforma […]


Me moton “Mos hesht ndaj masakrës në Palestinë”, sot pas faljes së namazit të xhumasë, në ora 13:45, para Xhamisë Murat Pasha në Shkup do të mbahet protestë në mbështetje të popullit palestinez, civilët e të cilit po vuajnë si pasojë e konfliktit mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit, njofton Portalb.mk.
Protesta organizohet nga “Platforma për mbështetje të Palestinës”, e cila përbëhet nga organizata të cilët operojnë në vend, ndërkaq sipas verifikimeve të Portalbit, ajo është paraqitur në MPB nga “Shoqata Kulturore Vizioni M”.
“Ftojmë të gjithë qytetarët që t’i bashkohen që së bashku të ngrisim zërin ndaj masakrës që po ju ndodhë popullit Palestinez”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.
Prej 7 tetorit, sipas autoriteteve palestineze, nga sulmet izraelite janë vrarë 3.785 persona, në mesin e të cilëve 1.524 fëmijë dhe 1.000 gra, ndërkaq janë plagosur mbi 12.000 persona.
Të martën më 17 tetor, është goditur me raketë Spitali al-Ahli në Gaza, si pasojë e të cilit janë vrarë mbi 500 persona. Sulmi është ngjarja më dramatike prej fillimit të konfliktit dhe është dënuar nga OKB, dhe veç e veç nga shtetet, si ato të bllokut lindor, por edhe të atij perëndimor. Palestina dhe një sërë vendesh arabe kanë fajësuar Izraelin se ajo është përgjegjëse për sulmin, ndërkaq Izraeli ka mohuar se ajo ka goditur Spitalin, duke hedhur akuza se Hamasi ka goditur me raketë në oborrin e Spitalit ku kanë qenë të magazinuara rezerva të gazit. SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe një sërë vendesh të bllokut perëndimor, kanë mbështetur Izraelin, duke theksuar se sulmi ka ardhur nga Hamasi.
Në ndërkohë, Gaza ndodhet në një rrethim të plotë nga forcat izraelite, të cilat kanë ndërprerë furnizimet me energji elektrike, ndërkaq nuk lejojnë që të futen ndihmat me ujë, ushqim dhe preparate mjekësore, pa u liruar mbi 200 pengjet që i mbajnë militantët e Hamasit. Gaza, ndodhet në një katastrofë humanitare.
Konflikti në Gaza shpërtheu më 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin me një sërë raketash dhe infiltrime në Izrael nga toka, deti dhe ajri, nën arsyetimin për bastisjet dhe dhunën izraelite në Xhaminë Al-Aksa.
Sulmi, nga bota perëndimore u vlerësua si terrorist, ndërkaq Izraeli si kundërpërgjigje ka nisur një sërë operacionesh kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.
Sipas autoriteteve izraelite, nga sulmet e Hamasit, deri më tani janë vrarë mbi 1.400 izraelitë.