Pse një pushtim i Gazës dhe të menduarit “një herë e përgjithmonë” janë të gabuara për Izraelin
Përktheu: Ema Meçaj Kur korrespondentja e “The Times” në Izrael, Isabel Kershner, pyeti së fundmi një shofer tanku të ushtrisë izraelite, Shai Levy, 37 vjeç, të përshkruante qëllimin e pushtimit kanosës të Izraelit ndaj Gazës, ai tha diçka që më tërhoqi vëmendjen. Ishte për të kthyer “nderin” e Izraelit. “Qytetarët po i mbajnë shpresat tek […] The post Pse një pushtim i Gazës dhe të menduarit “një herë e përgjithmonë” janë të gabuara për Izraelin appeared first on Ditar.al.

Përktheu: Ema Meçaj
Kur korrespondentja e “The Times” në Izrael, Isabel Kershner, pyeti së fundmi një shofer tanku të ushtrisë izraelite, Shai Levy, 37 vjeç, të përshkruante qëllimin e pushtimit kanosës të Izraelit ndaj Gazës, ai tha diçka që më tërhoqi vëmendjen.
Ishte për të kthyer “nderin” e Izraelit. “Qytetarët po i mbajnë shpresat tek ne për të mposhtur Hamasin dhe për të eleminuar kërcënimin nga Gaza, një herë dhe përgjithmonë”, – tha ai.
Më tërhoqi vëmendjen sepse, përgjatë viteve, kam mësuar se katër fjalët më të rrezikshme në Lindjen e Mesme janë “një herë dhe përgjithmonë”.
Të gjitha lëvizjet islamike/xhihadiste – Talibanët, Hamasi, ISIS, Al Qaeda, Xhihadi Islamik Palestinez, Hezbollahu dhe Houthis – kanë rrënjë të thella kulturore, sociale, fetare dhe politike në shoqëritë e tyre. Dhe ato kanë kontroll në pajisjen e pafundme me djem të rinj të poshtëruar, shumë prej të cilëve, nuk kanë patur kurrë një punë, fuqi apo marrëdhënie romantike, një kombinim ky vdekjeprurës, që i bën ata lehtësisht të rekrutueshëm për kaos.
Dhe kjo është arsyeja pse, deri më sot, asnjë nga këto lëvizje nuk është eleminuar një herë e përgjithmonë. Ato mundet, gjithsesi, të izolohen, zvogëlohen, delegjitimohen ose t’u pritet koka – ashtu si Amerika ka vepruar me ISIS dhe Al Qaeda. Por kjo kërkon durim, saktësi, shumë aleatë dhe alternativa që kanë legjitimitet përbrenda shoqërive nga vijnë këta djem të rinj.
Ndaj më lejoni ta them qartë dhe me zë të lartë, atë çfarë kam thënë në heshtje, në disa nga shkrimet e mëparshme.
Unë jam me Presidentin Biden kur ai u shpreh për “60 Minutes” që do të ishte një “gabim i madh” nga ana e Izraelit të “pushtonte sërish Gazën”.
Unë besoj se një lëvizje e tillë do ta kthente humbjen poshtëruese taktike të Izraelit në duart e Hamasit, që përfshinte masakra të paimagjinueshme, në një krizë strategjike afatgjatë nga ana morale dhe ushtarake. Është ajo çfarë mund ta fus në kurth Izraelin në Gaza, të tërheq SHBA drejt një tjetër lufte në Lindjen e Mesme dhe të dëmtojë tre nga interesat më të rëndësishëm të politikës së jashtme që Amerika ka tani:
-Të ndihmojë Ukrainën të luftojë dhe fitojë lirinë nga Rusia, për t’ju bashkuar Perëndimit.
-Të kontrollojë Kinën.
-Të formojë një bllok pro-amerikan që përfshin Egjiptin, Izraelin, vendet e moderuara arabe dhe Arabinë Saudite, të cilat mund të kompensojnë Iranin si shtet dhe të luftojnë kërcënimin botëror që paraqet islami radikal.
Nëse Izraeli do të shkonte pas Gazës tani, do të hidheshin në erë marrëveshjet e Abrahamit, do të lëkundte më tej dy nga aleatët më të rëndësishëm të Amerikës (Egjiptin dhe Jordaninë) dhe do ta bënte të pamundur normalizimin e raportit me Arabinë Saudite – hapa të mëdhenj strategjikë të bërë pas. Do të lejonte gjithashtu Hamasin të ndizte gjakrat në Bregun Perëndimor dhe të iniciojë atje një luftë mes kolonëve hebrenj dhe palestinezëve. Mbledhur së bashku, do të luante një rol direkt në strategjinë e Iranit për të tërhequr Izraelin dhe për të dobësuar demokracinë e brendshme të hebrenjve.
Objektivi numër një strategjik i Iranit me Izraelin, ka qenë gjithmonë të garantojë që Izraeli të mbetet i përfshirë me Bregun Perëndimor, të tërhiqet në pushtimin e Libanit jugor dhe, në ëndrrat më të zjarrta të Iranit, të ripushtojë Gazën.
Një Izrael i tillë do të gjendej aq i dobësuar moralisht, ekonomikisht dhe nga ana ushtarake, sa nuk do të kërcënonte kurrë programin bërthamor të Iranit dhe ambiciet hegjemonike.
Çfarë duhet të bëjë Izraeli për të siguruar se një sulm i njëjtë si ai i orkestruar nga Hamasi të mos ndodhë më kurrë? Nuk di t’jua them tani. Por di se çfarëdo qoftë përgjigjja, nuk është mobilizimi i 360,000 izraelitëve të traumatizuar që të nisin një luftë urbane në një nga vendet më të populluara në botë. Kjo do të shkatërrojë ekonominë izraelite dhe pozitën ndërkombëtare që gëzon.
Të gjitha këto dilema, duhet ta shtyjnë Biden, të theksojë qëndrimin e tij ndaj krizës.
Biden duhet të kuptojë që Benjamin Netanyahu nuk është personi i duhur për ta menaxhuar këtë luftë, si një lojtar racional. Pas një disfate kaq të madhe, gjëja më e fuqishme dhe unifikuese që mund të kishte bërë Netanyahu, do të ishte shpallja e zgjedhjeve të reja në Izrael, pas gjashtë ose nëntë muajsh dhe njoftimi se ai nuk do të garonte. Karrierës së tij politike po i vjen fundi dhe në këtë mënyrë izraelitët, mund të besojnë se çfarëdolloj vendimi që ai merr tani në lidhje me Gazën dhe Hamasin, do të ketë për synim vetëm interesin kombëtar të Izraelit; ai nuk do të ketë si qëllim interesin e tij vetjak për të qëndruar jashtë burgut për akuzat e korrupsionit që i drejtohen, gjë që kërkon që ai të vazhdojë të mbështetet pas fanatikëve të djathtë në qeverinë e tij (të cilët realisht fantazojnë për një ripushtim të Gazës nga ana e Izraelit dhe rindërtimin e vendbanimeve izraelite atje).
Ashtu siç shkruajti të premten, një nga shkrimtarët më të mirë ushtarakë të Izraelit, Amos Harel: “Ka një kombinim të pazakontë të njerëzve që drejtojnë në krye Izraelin. Nga njëra anë, është një kryeministër i papërshtatshëm, një figurë gati shekspiriane, që po përballet me rrezikun personal të një fundi poshtërues, të një karriere që mund të quhet brilante. Përballë tij janë një orkestër tunxhi ushtarake, të goditur dhe të konsumuar me ndjenja faji (sikur Netanyahu të shqetësohej të shfaqte pak nga kjo e fundit). Kjo nuk është kurrsesi një recetë e përsosur për procesin e vendimmarrjes.”
Nëse Izraeli do të lajmëronte se ka vendosur tani për tani, të heq dorë nga një pushtim i Gazës dhe se do të kërkojë për më shumë “mjete kirurgjikale” për të eleminuar udhëheqjen e Hamasit, teksa përpiqet të ndërtojë një plan shkëmbimi për më shumë se 150 izraelitët dhe të tjerë njerëz që po mbahen peng nga Hamasi, jo vetëm do të parandalonte trauma të tjera për shoqërinë izraelite, si dhe për palestinezët që jetojnë në Gaza, por gjithashtu do t’i jepte kohë Izraelit dhe shteteve aleate të tij, të mendojnë se si mund të ndërtojnë në bashkëpunim me palestinezët, një plan alternativ legjitim për Hamasin.
Një lëvizje e tillë do t’i fitonte Izraelit një mbështetje të madhe botërore dhe do t’i lejonte botës ta shihte Hamasin për atë çfarë është në të vërtetë: ISIS i territoreve të Palestinës.
“Në botën e sotme, çfarëdo ndodh në fushën e betejës mund të përmbyset në fushën e informacionit, kështu që beteja e historisë ka po aq rëndësi sa beteja në terren”, – tha John Arquilla, një profesor në pension i strategjisë në Shkollën Pasuniversitare të Marinës. “Nëse Izraeli e tejkalon me reagimin në Gaza, do të zhdukë çdo ndjenjë të mirë të mbetur ndaj Izraelit dhe kjo është pikërisht çfarë Hamasi shpreson. Izraeli ka ndërtuar kaq shumë, gëzon kaq shumë dhe për më tepër kontribuon kaq shumë për botën dhe ka edhe shumë më shumë për të kontribuar. Të rrezikosh gjithë këto gjëra në një akt hakmarrjeje ose frustrimi që nuk do të sjellë ndryshim rrënjësor strategjik, është jashtëzakonisht një veprim i pamatur.”
Por, siç thashë, nëse Izraeli i qëndron vendimit për t’u futur në Gaza, për të kapur dhe vrarë udhëheqjen e Hamasit, duhet të veprojë vetëm nëse ekziston një udhëheqje legjitime palestineze për të zëvendësuar Hamasin. Në këtë mënyrë, Izraelit nuk i mbetet të qeverisë atje përgjithmonë.
Sepse nëse do të ndodhte kjo, çdo ditë që dielli nuk do të shndris në Gaza, uji nuk do të rrjedhë, kur nuk do të ketë elektricitet dhe kur uria apo sëmundja të përhapen masivisht, do të jetë faji i çdo izraeliti dhe made faji i çdo personi hebre në botë. A është gati Izraeli për këtë barrë?
Teksa Biden ka të drejtë të mbështesë Izraelin, ai duhet të marrë menjëherë përgjigjje të qarta nga Netanyahu, përpara se të jetë shumë vonë. Sapo Izraeli të rrëzojë Hamasin, kush do ta qeverisë Gazën? Nëse Izraeli tenton të qeverisë Gazën, a do të jetë i gatshëm të paguajë për rindërtimin e infrastrukturës që po shkatërron? Dhe nëse jo, kush do ta bëjë? Për sa kohë synon Izraeli ta lejojë krizën humanitare të shpaloset në jug të Gazës? A ka në plan Izraeli të ndërtojë vendbanime në Gaza? A i respekton Izraeli kufijtë e Gazës? A ka një plan konkret për të ndihmuar në rindërtimin e autoritetit palestinez në Bregun Perëndimor?
Autoriteti palestinez në Bregun Perëndimor, nën drejtimin e Presidentit Mahmoud Abbas, është i dobët, i korruptuar dhe sa vjen e bëhet më i paligjshëm; nuk mund të menaxhojë Bregun Perëndimor, e jo më Gazën. Këtë donte Netanyahu, në mënyrë që të kishte mundësi të thoshte se ai nuk pati ndonjë bashkëpunëtor për të vendosur paqen.
Por kjo nuk është e gjitha tek Netanyahu. Besojeni ose jo, njerëz, palestinezët kanë gjithashtu agjenci, dhe korrupsioni që ka toleruar autoriteti palestinez, plus faktin që Abbas dëboi udhëheqësin më efektiv që ata patën ndonjëherë, ish-Kryeministrin Salam Fayyad, është gjithashtu një faktor i madh, diçka që çdo mik i palestinezëve duhet ta thotë me zë të lartë, jo thjesht t’i hidhet faji Izraelit.
Por me gjithë çfarë u tha, Izraeli tashmë duhet të rimendojë totalisht se si do të ndikojë tek palestinezët në Bregun Perëndimor, e për rrjedhojë edhe me lëvizjen e gjithë popullsisë kolone, nëse dëshiron të zëvendësojë Hamasin në Gaza. Nëse lëvizja e popullsisë kolone do të vazhdojë të vendosi kushtet e asaj çfarë është e lejuar në politikën izraelite, një tjetër katastrofë po afrohet në Bregun Perëndimor.
Përfundimi im? Thjesht bëni këtë pyetje: Nëse Izraeli do të njoftonte sot se po heq dorë, tani për tani, nga një pushtim i plotë i Gazës, kush do të lumturohej, kush do të ndihej i çliruar dhe kush do të mërzitej? Irani do të tërbohej, Hezbollah do të zhgënjehej, Hamasi do të ndihej i shkatërruar, sepse i gjithë plani i luftës do të binte dhe Vladimir Putin do të goditej, sepse Izraeli nuk do të digjte më municione dhe armë, që SHBA duhet t’ja dërgonte Ukrainës. Kolonët në Bregun Perëndimor do të inatoseshin.
Ndërkohë, prindërit e çdo ushtari izraelit dhe të çdo izraeliti të mbajtur peng do të lehtësoheshin, çdo palestinez në Gaza i gjendur në mes të zjarrit do të lehtësohej dhe çdo mik apo aleat që Izraeli ka në botë – duke filluar me Joseph R. Biden – do të lehtësohej. Ky është mendimi im i plotë për këtë çështje.
Thomas L. Friedman është autor dhe opinionist për çështjet e jashtme në New York Times. Ai iu bashkua gazetës në 1981 dhe ka fituar tre çmime Pulitzer. Është autor i shtatë librave, përfshirë “Nga Beiruti në Jeruzalem”, i cili fitoi National Book Award.
The post Pse një pushtim i Gazës dhe të menduarit “një herë e përgjithmonë” janë të gabuara për Izraelin appeared first on Ditar.al.