Qëndrimi i Janevskës ndaj shqipes, VLEN: Qasja e ministres nuk përputhet me bashkëjetesën

VLEN reagoi duke shprehur keqardhje për pakënaqësinë e shfaqur nga ministrja Janevska ndaj përdorimit të gjuhës shqipe gjatë një paraqitjeje publike. Sipas VLEN-it, është e papranueshme që një ministre e Arsimit të mos dijë asnjë fjalë shqip dhe të reagojë negativisht ndaj komunikimit në gjuhën e bashkëqytetarëve të saj në një shoqëri multigjuhësore. Ata theksuan […]

Qëndrimi i Janevskës ndaj shqipes, VLEN: Qasja e ministres nuk përputhet me bashkëjetesën
Vesna Janevska, Foto: MASH

VLEN reagoi duke shprehur keqardhje për pakënaqësinë e shfaqur nga ministrja Janevska ndaj përdorimit të gjuhës shqipe gjatë një paraqitjeje publike. Sipas VLEN-it, është e papranueshme që një ministre e Arsimit të mos dijë asnjë fjalë shqip dhe të reagojë negativisht ndaj komunikimit në gjuhën e bashkëqytetarëve të saj në një shoqëri multigjuhësore. Ata theksuan se një qëndrim i tillë bie ndesh me parimet e respektit dhe bashkëjetesës që duhet të mishërojnë institucionet. VLEN rikujtoi se edhe diplomatët e huaj mësojnë fjalë shqip, ndërsa mosnjohja totale e gjuhës nga një ministre është e pashpjegueshme. Ata nënvizuan se respekti për gjuhët e vendit është respekt për qytetarët dhe për vetë shtetin, transmeton Portalb.mk.

“Dje, gjatë një paraqitjeje publike, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, në dy-tri raste shfaqi pakënaqësi nga komunikimi në gjuhën shqipe i kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, me gazetarët e mediave në gjuhën shqipe. Në vend që të ndjehet keq që z. Kasami flet edhe maqedonisht njësoj si në gjuhën shqipe, ndërsa ajo – ndonëse jeton në një mjedis multigjuhësor – nuk di asnjë fjalë në gjuhën shqipe, ministrja Janevska reagoi për shkak se nuk e kuptonte gjuhën shqipe.

Për këtë arsye VLEN shpreh keqardhje për këtë qasje të ministres Janevska ndaj gjuhës shqipe dhe me këtë rast theksojmë se një qëndrim i tillë bie ndesh me frymën e respektit dhe bashkëjetesës që duhet ta mishërojë çdo përfaqësues i institucioneve shtetërore”, thonë nga VLEN.

Ata shtojnë se në një shoqëri demokratike dhe multietnike, kur edhe diplomatët e huaj, që qëndrojnë në vendin tonë dy-tri vite, i mësojnë disa fjalë edhe në gjuhën shqipe, “të jesh ministër, madje ministër i Arsimit, e të mos dish asnjë fjalë të gjuhës së bashkëqytetarëve shqiptarë e të reagosh ndaj përdorimit të gjuhës shqipe, kjo është vështirë e përkthyeshme në terma të bashkëjetesës, qytetarisë dhe respektimit të tjetrit në një shoqëri multigjuhësore”.

“Ndërkaq respekti ndaj gjuhëve që fliten në këtë vend është respekt ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë shtetit që i bashkon ata. Siqodoftë, VLEN-i angazhohet për një kulturë institucionale që promovon bashkëjetesën përmes respektit ndërgjuhësor. Vetëm aty ku çdo gjuhë respektohet si vlerë e përbashkët, ndërtohet besimi në institucione dhe në barazinë që ato duhet ta mishërojnë”, thonë nga ky koalicion.

Në në ngjarje mbi arsimin, teksa kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në shqip, ministrja disa herë e ndërpreu për të kërkuar që komunikimi të ishte “më i shkurtër” ose të bëheshin “përkthime në maqedonisht”, pasi siç tha, duhet ta kuptojnë edhe ata që “nuk e dinë shqipen”.