Tetovarët sërish me restriksione dhe ujë të turbullt, NPK Sharri: Uji të mos përdoret për pije
Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) “Sharri” Tetovë ka njoftuar se ka reduktuar furnizimin me ujë të pijshëm për shkak të ndotjes në disa burime. Ndërsa për shkak të pamundësisë së trajtimit te stacioni i filtrimit në Lisec, është ndaluar linja e Leshnicës. Në ndërkohë, ndërmarrja njoftoi se uji do të lëshohet sonte gjatë natës, megjithatë apelojnë […]

Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) “Sharri” Tetovë ka njoftuar se ka reduktuar furnizimin me ujë të pijshëm për shkak të ndotjes në disa burime. Ndërsa për shkak të pamundësisë së trajtimit te stacioni i filtrimit në Lisec, është ndaluar linja e Leshnicës. Në ndërkohë, ndërmarrja njoftoi se uji do të lëshohet sonte gjatë natës, megjithatë apelojnë që përdoret për nevoja elementare, raporton Portalb.mk.
“Brenda një ore do të fillojë lëshimi i ujit në rrjetin e furnizimit në gjithë qytetin. Megjithatë, për shkak të reshjeve të dendura që vazhdojnë edhe sonte në rajonin e Kodrës së Diellit, ka ndodhur turbullim i ujit në burimet e Sharrit, dhe uji vazhdon të jetë i turbullt dhe i papërshtatshëm për pije. Qytetarët luten që ujin ta përdorin vetëm për nevoja elementare (si higjienë dhe pastrim), derisa të përfundojnë analizat e reja laboratorike. Analizat e radhës do të kryhen nesër, pas së cilës qytetarët do të informohen menjëherë për rezultatet dhe cilësinë e ujit”, informoi NPK Sharri në ora 21:50 minuta.
Më heret gjatë ditës, NPK “Shari” ka theksuar se për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rezervuarët e ujit ka depërtuar ujë i ndotur nga disa burime.
“Si masë parandaluese, furnizimi me ujë të pijshëm po mbahet nën restriksion deri në orën 21:00, kur pritet të arrijnë rezultatet laboratorike mjekësore që do të tregojnë nëse uji është i sigurt për konsum”, thuhet në bnjoftimin e NPK Sharri.
Ndërmarrja paralajmëroi se restriksionet (kufizimet) e ujit do të jenë më të shpeshta derisa të përmirësohet gjendja aktuale.
Nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasë kjo gjendje, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje për mirëkuptim dhe përdorim racional të ujit.
Defektet janë bërë përditshmëri dhe tetovarët shpesh vuajnë për ujë.

Kujtojmë se në shtator defekti në lagjen A.J. Zhurçin e la qytetin pa ujë. Defekt në këtë lagje pati edhe në qershor dhe qytetarët mbetën pa ujë dy ditë.
- LEXO: Tetova përsëri pa ujë, shkak defekt në lagjen A.J. Zhurçin
- LEXO: Tetova mbeti dy ditë pa ujë në pikën e të nxehtit, u sanua defekti që riktheu makthin e verës për qytetarët
Viteve të fundit, qyteti është përballur vazhdimisht me restrikcione të ujit, sidomos gjatë verës dhe dimrit, të cilat kanë shkaktuar revoltë te qytetarët.
Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.
Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.
Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.
Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.
Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.
Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
