Leximi në qendër të vëmendjes, sot fillon Panairi i Librit 2025 në Tiranë

Me moton “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”, Panairi i Librit në Tiranë do të zhvillohet nga 12 deri më 16 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Edicioni i 28-të synon të përcjellë mesazhin se leximi mbetet themeli i kulturës dhe i vetëdijes shoqërore. Gjatë pesë ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësi […]

Leximi në qendër të vëmendjes, sot fillon Panairi i Librit 2025 në Tiranë
Afishja e Panairit të Librit Tirana 2025. Foto: Shoqata e Botuesve Shqiptarë (Facebook)

Me moton “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”, Panairi i Librit në Tiranë do të zhvillohet nga 12 deri më 16 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Edicioni i 28-të synon të përcjellë mesazhin se leximi mbetet themeli i kulturës dhe i vetëdijes shoqërore. Gjatë pesë ditëve të panairit, vizitorët do të kenë mundësi të përjetojnë një javë të mbushur me emocione, takime me autorë, diskutime, intervista, nënshkrime librash dhe mbi të gjitha me shumë dashuri për librin, shkruan Portalb.mk.

Petrit Ymeri kreu i Shoqatës së Botuesve shqiptarë, në konferencë për media renditi problemet, duke folur për ulje të numrit të librave të rinj, biblioteka e librari bosh dhe buxhete të papërfillshme.

“Para disa ditësh ne i drejtuam shtëpive botuese një pyetësor ku i pyetëm se sa libra të rinj kanë në panair. Ka shtëpi botuese me asnjë libër të ri, që janë prej vitesh në panair, ka që kanë 1-2 tituj të rinj, ka me 5-6, ka edhe pak që botojnë 20-30-40 tituj, pra ka rënë numri i botimeve dhe cilësia e botimeve”, ka thënë Petrit Ymeri.

Elsa Skënderi Kryetare e jurisë së Panairit të Librit për Portalb.mk tha se ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat, sepse pa to ajo do të ishte një dhomë e errët pa dritare, ku njeriu do të humbiste aftësinë për të parë dhe për të kuptuar vetveten.

“Panairi i Librit në Tiranë është ngjarja më e rëndësishme kulturore në kryeqytet, por me gjasë edhe në të gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Ditët e panairit, ndër vite, janë përjetuar si ditë festive jo vetëm nga botuesit, shkrimtarët e studiuesit, por edhe nga lexuesit, të cilët u drejtohen mjediseve të panairit, si në një ritual kulturor. Ritualet kulturore, nuk i kemi aq të shpeshta, por i kemi të domosdoshme, jo vetëm për të pasur një komunikim më të drejtpërdrejtë shkrimtar-lexues, por edhe për të sjellë në vëmendjen publikut rëndësinë e leximit dhe dobinë e letërsisë. Siç mund ta dini, motoja e këtij Panairi të 28 të Librit është thënia e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare,: “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”. Vetë institucioni i Panairit të Librit i bën jehonë kësaj nevoje që kemi si qenie të pajisura me ndërgjegje”, tha Skënderi.

Ajo shtoi se letërsia që përfshin teknologjinë, shkencën dhe përjetimet bashkëkohore nuk është më luks, por domosdoshmëri sepse vetëm kështu ajo mund të pasqyrojë realisht njeriun e kohës sonë, këtë vit pritet të jenë rreth njëqind shtëpi botuese.

“Risi ka në aspektin përmbajtjesor të veprave të shkruara në gjuhën shqipe. Në prozë vërehet një rimarrje të motiveve të së shkuarës komuniste te autorët e Shqipërisë shtetërore, te autorët e Kosovës këto motive të së shkuarës lidhen me Luftën Çlirimtare të Kosovës; Sakaq një pjesë e veprave letrare po transfigurojnë edhe zhvillime më bashkëkohore të lidhura, për shembull, me lëvizjet demografike të shoqërisë (emigracioni), me zhvillimin e teknologjisë ose me pandeminë Covid-19.

Risi vihen re edhe në zgjerimin e tematikës letrare që nuk mbetet thjesht te rravgimi i çështjeve të identitetit apo i çështjeve historike-politike, por mëton të bëjë pjesë të universit letrar edhe diskursin e koncepte shkencore. Kjo risi është më se e mirëpritur në letërsinë tonë, pasi më herët kjo lloj përmase ka munguar. Shkrimtari amerikan Kurt Vonnegut, në veprën e tij “Njeriu pa atdhe” tek flet për përfaqësimin e jetës në letërsi, shkruan se “Romanet që e lënë jashtë teknologjinë e përfaqësojnë keq jetën, po aq sa shkrimtarët viktoriane e përfaqësonin keq jetën duke lënë jashtë seksin”. Veçanërisht, në dritën e zhvillimeve teknologjike e shkencore që shoqëria po përjeton, bëhet e nevojshme kjo lloj letërsie që t’i përfaqësojë artistikisht zhvillimet e tilla.

Ndërkaq, në lidhje me numrin e botuesve pjesëmarrës në Panair këtë vit, me aq sa informacion kam prej Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet të jenë rreth 100 Shtëpi Botuese”, tha Skënderi.

Ajo shtoi se në letërsi, si në çdo art tjetër, subjektiviteti është i pashmangshëm por kur një vepër ka vërtet vlerë, ajo i bashkon gjykimet dhe i bën të gjitha mendimet të takohen në të njëjtën dritë.

“Puna e jurisë është organizuar duke ndjekur fillimisht disa parime formale, që lidheshin me kriteret e pranimit të veprave apo të autorëve të caktuar në konkurrim. Në radhën e këtyre kritereve, p.sh., ishte kriteri sipas të cilit një autor i vlerësuar me çmim Panairi brenda tri viteve të fundit nuk mund të klasifikohej si pretendent për çmim këtë vit.

Parimet e tjera përmbajtjesore që kemi caktuar si Juri kanë pasur të bëjnë me risinë për zhanrin përkatës, përmbajtjen e spikatur letrare, me aspektin gjuhësor të veprave (gjuhë e pasur dhe vepra të redaktuara si duhet).

Po kështu, për Jurinë me rëndësi ka qenë të trajtojmë me përpikëri të gjithë lëndën letrare apo studimore të dorëzuar për konkurrim dhe të kemi në konsideratë botuesit e krijuesit si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut. Letërsinë shqipe, studimet e librat shqip i kemi bashkë, ndaj dhe vlerësimet, që padyshim parakusht kanë të qenët vlerësime meritore, duhet t’i kemi bashkë.

Caktimi paraprakisht i parimeve, që ju përmenda më lart, si dhe angazhimi i secilit prej nesh për ta shqyrtuar të gjithë gamën e veprave që u dorëzuan për konkurrim, na ka ndihmuar për të mos rënë në kurthe të subjektivitetit. Secili prej kolegëve të mi, anëtarë të jurisë, që drejtoj ka formimin, integritetin dhe njohjet e nevojshme për të gjykuar me objektivitet, gjë të cilën e dëshmon më së miri edhe larmia e kandidaturave që kemi përfshirë në listat finale të pretendentëve për secilën kategori. Ndonëse, në thelb, gjykimi i veprave letrare është gjykim estetik, që njihet për një dozë subjektiviteti, prapëseprapë, përsiatjet estetike të filozofëve e të estetëve, por edhe përvoja jonë empirike e ka treguar se kur në vepër është përnjëmend e vlerë dhe e arrirë gjykimet e secilit njëjtësohen dhe arrihet dakordësi për një verdikt të përbashkët”, tha Skënderi.

Skënderi tha se këtë vit ka shumë emra figurash publike apo njerëz të botës akademike që kanë sjellë veprat e tyre fiksionale dhe kanë veshur kësaj radhe rrobën e shkrimtarit.

“Sa i’u takon autorëve, pa dyshim, kemi më tepër rikthime të autorëve që e ruajnë periudhën e Panairit, si kohën e artë, për të nxjerrë librin e tyre më të ri. Ndërsa zërat e rinj, janë më të paktë si numër, por jo si talente. Kemi prurje syresh që bien në sy për nga teknikat e shkrimit. Edhe ndërsa flasim për “shkrimtarë të rinj”, të tillët jo përherë janë të rinj në moshë, por të rinj në shkrimtarinë artistike. Në këtë Panair kemi shumë emra figurash publike apo njerëz të botës akademike që kanë sjellë veprat e tyre fiksionale dhe kanë veshur kësaj radhe rrobën e shkrimtarit, tha Skënderi.

Ajo shtoi se letërsia e mirë nuk matet me guximin për të provokuar, por me aftësinë për të prekur të vërtetën dhe këtë mund ta bëjë vetëm talenti i vërtetë, jo ai i fabrikuar nga moda.

“Si lexuese e si studiuese nuk mund të them se kam ndjerë nevojë për letërsi shqipe “eksperimentale” apo “të guximshme”. Më tepër mund të ndihet nevoja e një letërsie që shkon përtej motiveve disi të konsumuara, që lidhen me zhvillimet politike të së shkuarës a të së tashmes. Kur eksperimenti letrar apo cekja e temave tabu bëhet qëllim në vetvete, sa për të provokuar, vepra letrare del një artificë kallpe, që vështirë të lexohet apo të pëlqehet. Në kohët që jetojmë, vështirë të thuash që shkrimtarëve tanë iu mungon guximi për të lëvruar tema apo motive të caktuara. Ata, të mirët e ata më pak të mirët, e kanë të fituar lirinë për të shkruar siç ua ka ënda. Për fatin tonë të lum’, më në fund lirinë e kemi, dhe domosdoja e letërsisë së mirë, mbetet talenti gjeniun, i pafabrikuar nga modelet ekzistuese, tha Skënderi.

Me gjithë krizën financiare dhe atë të lexuesve të munguar që ose kanë ikur nga vendi, ose nuk janë kultivuar si lexues për shkak të politikave të munguara, Panairi shpall të shtunën çmimet për më të mirët e këtij viti, autori, përkthyesi, libri më i mirë studimor dhe ai i librit më të mirë për fëmijë përfshirë dhe dy çmime nga ambasada franceze e polake.