Arben Taravari: Nuk ka arsye për shqetësim në Kosovë – Shqipëria duhet të luajë rolin e stabilizuesit rajonal

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka komentuar zhvillimet politike në rajon pas zgjedhjeve në Kosovë dhe sfidat e formimit të qeverisë së The post Arben Taravari: Nuk ka arsye për shqetësim në Kosovë – Shqipëria duhet të luajë rolin e stabilizuesit rajonal appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Arben Taravari: Nuk ka arsye për shqetësim në Kosovë – Shqipëria duhet të luajë rolin e stabilizuesit rajonal

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka komentuar zhvillimet politike në rajon pas zgjedhjeve në Kosovë dhe sfidat e formimit të qeverisë së re. Ai tha se është i bindur se Kosova do të mbetet shembull i stabilitetit dhe i respektimit të institucioneve demokratike.

Në Prishtinë nuk mendoj se mund të ketë shqetësime, pavarësisht se si do të rrjedh puna e formimit të qeverisë, apo se kush e bën qeverinë.

Shqiptarët çdoherë kanë ditur t’i tejkalojnë situatat e vështira. Sidomos në Kosovë, më befason pozitivisht demokracia dhe respektimi i institucioneve shtetërore, kështu që nuk mendoj se do të ketë ndonjë shqetësim apo ndonjë rëmujë, pavarësisht se kush do ta krijojë qeverinë e ardhshme.

Për mua më shqetësuese janë zhvillimet që ndodhin në Serbi dhe reflektimi i tyre në Kosovë, Maqedoni dhe Bosnje.

Mendoj që Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama duhet të luajnë rolin e një stabilizuesi rajonal dhe amortizues mes shqiptarëve, si edhe të një sinkronizuesi mes tyre.

Taravari theksoi se stabiliteti i rajonit varet nga bashkërendimi politik dhe institucional i faktorit shqiptar, ndërsa roli i Shqipërisë mbetet vendimtar për ruajtjen e paqes dhe orientimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

Arben Taravari: Tirana është bërë epiqendra e Ballkanit – Shqipëria duhet ta luaj rolin e liderit të shqiptarëve në vitet e ardhshme

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka folur për raportet mes shqiptarëve në rajon dhe për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që po merr Shqipëria në zhvillimet politike dhe strategjike të Ballkanit Perëndimor.

Nuk mendoj që shqiptarët, kudo që jetojnë – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës e gjetiu – kanë dallime të mëdha mes veti.

Mund të ketë gara mes personave, por në përgjithësi raportet mes shqiptarëve janë korrekte, me dallime të papërfillshme.

Mua më gëzon fakti që dy kryeministrat shqiptarë mund të kenë qëndrime të ndryshme, por në momente të caktuara dinë të ulen bashkë.

Në këtë periudhë, kryeministri shqiptar Edi Rama, si lojtari kryesor në Ballkanin Perëndimor, po dëshmon se Tirana është bërë epiqendra e Ballkanit.

Shqipëria po ecën më mirë se të gjitha vendet e tjera në rajon në rrugën drejt Bashkimit Evropian, dhe në periudhën e ardhshme duhet ta luaj rolin e liderit të shqiptarëve për 4-5 vitet e ardhshme.

Taravari nënvizoi se uniteti politik dhe strategjik mes shqiptarëve në rajon është kushti kryesor për stabilitetin dhe përparimin e përbashkët drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar Shqipërinë si shtyllën orientuese të këtij procesi.

Arben Taravari: Ndikimi i “Botës Serbe” në Maqedoni është fakt i pakontestueshëm – pas Vuçiçit qëndron Rusia

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka folur hapur për rrezikun e ndikimit serb dhe rus në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ky fenomen tashmë është i dokumentuar edhe në raportet zyrtare të Bashkimit Evropian.

Infiltrimi i ‘Botës Serbe’ në Maqedoni është i pakontestueshëm. Ishin tema që fliteshin në qarqe politike, por tashmë qëndron edhe në rezolutën e Bashkimit Evropian.

Ndodh që një person nga Republika Serpska, që është në listën e zezë amerikane, të vijë në qendër të Shkupit dhe aty të pritet nga kryeministri dhe eksponentë të tjerë të qeverisë. Rastet e tilla janë të shumta dhe përmes tyre shihet qartë ndikimi serb në Maqedoni.

Gjithsesi që Serbia ka ndikim edhe në Kosovë, posaçërisht tek partitë që përfaqësojnë komunitetin serb, i cili nuk përbën më shumë se 4-5% të popullatës atje.

Sa i përket pyetjes se kush qëndron pas Serbisë, është e qartë – pas Aleksandar Vuçiçit qëndron Rusia.

Dhe ky lajm nuk është i mirë, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për maqedonasit, për kombësitë e tjera në rajon dhe për faktorin ndërkombëtar.

Sipas Taravarit, këto zhvillime kërkojnë vëmendje të shtuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim që Maqedonia e Veriut të mos shndërrohet në terren ndikimi për interesa të huaja që bien ndesh me rrugën euroatlantike të vendit.

Arben Taravari: Maqedonia po largohet nga rruga evropiane – raporti i BE-së është më i keqi në 15 vitet e fundit

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka folur për rezultatin e zgjedhjeve lokale, por edhe për sfidat politike dhe nacionale me të cilat përballet vendi. Ai theksoi se, përveç temave lokale, fushata zgjedhore është dominuar nga shqetësimet për stagnimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

“Kandidatët tanë për kryetarë komunash kanë pasur programet e tyre zgjedhore dhe zotohen t’i realizojnë të gjitha premtimet e dhëna përpara qytetarëve, por ne si liderë politikë e kemi për obligim të trajtojmë edhe tema nacionale.

Zgjedhjet ishin administrative, por u diskutua edhe për tema nacionale. Ishte e pashmangshme të mos diskutohet humbja e rrugës së kësaj qeverie drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë gjithë fushatës, ky ka qenë edhe fjalori kryesor që e kam përdorur unë personalisht, por edhe partnerët e koalicionit në Aleancën Kombëtare.

Seriozisht jemi të brengosur, pasi që shohim se në të gjitha zhvillimet rajonale dhe strategjike, është e rëndësishme që Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut bashkërisht të përfundojnë bisedimet dhe të bëhen anëtare të plotfuqishme të BE-së deri në vitin 2030.

Në qoftë se e lexoni raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Maqedoninë, do ta shihni që raporti është zhgënjyes dhe është më i keqi që e kemi marrë në 15 vitet e fundit.

Aty përmendet edhe ndikimi i ‘Botës Serbe’ në qeverisjen e Maqedonisë, dhe këtu nuk mendoj për partitë shqiptare, por për partitë maqedonase që udhëheqin me qeverinë – dhe kjo vërtetë është shumë, shumë shqetësuese.

Maqedonia nuk duhet ta humbasë hapin me Shqipërinë dhe Malin e Zi, por është e domosdoshme realizimi i ndryshimeve kushtetuese si kusht për fillimin e negociatave me BE-në. Për fat të keq, jo vetëm që nuk ka gatishmëri, por ne në fakt po largohemi nga rruga evropiane.

Taravari theksoi se prioriteti strategjik i Aleancës Kombëtare mbetet rikthimi i fokusit të vendit në integrimin evropian, si proces që garanton stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe barazi të plotë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Arben Taravari: Fitorja në Çashkë është historike – për herë të parë kryetar shqiptar në komunë me shumicë shqiptare

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka komentuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar fitoren në komunën e Çashkës si një moment historik për shqiptarët.

“Në raundin e parë është fituar një komunë që ishte me rëndësi për të gjithë shqiptarët – kjo është komuna e Çashkës. Për fat të mirë, aty zgjidhet për herë të parë kryetar komune një shqiptar, pasi që mbi 50% e popullatës atje janë shqiptarë. Kandidati ishte i Aleancës Kombëtare, por pati përkrahje edhe prej të gjithë shqiptarëve, besoj edhe prej atyre që janë përkrahës të VLEN-it. Ka qenë kandidatura e vetme dhe për së pari herë fiton një kandidat shqiptar. Tash në raundin e dytë, do të shihen edhe rezultatet në Bervenicë dhe Kërçovë, ku shumica e banorëve janë shqiptarë, kurse në garë janë një kandidat shqiptar dhe një maqedonas. Komunat e tjera udhëhiqen prej shqiptarëve.”

Sipas Taravarit, kjo fitore shënon një kapitull të ri në përfaqësimin e shqiptarëve në komunat me shumicë shqiptare, duke treguar se bashkimi për kauza të përbashkëta politike dhe kombëtare sjell rezultate konkrete.

Arben Taravari: Opozita shqiptare ka marrë mbi 25% më shumë vota sesa koalicioni qeverisës

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për A2 CNN në Shqipëri, ka komentuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se opozita shqiptare ka dalë dukshëm më e fortë se kampi qeverisës.

“Pa dyshim se nëse i mbledhim votat e listave për këshilltarë komunalë, për ansambleistë komunalë, Aleanca Kombëtare për Integrim – AKI ka 25% më shumë vota sesa koalicioni qeverisës, VLEN. Nëse analizohet edhe numri i votave që morën kandidatët për kryetarë komunash nga Aleanca Kombëtare, edhe aty jemi mbi 20% me më shumë vota se VLEN-i, edhe pse VLEN-i qeveritar në raundin e parë për kryetarë komunash ka marrë vota edhe nga partitë maqedonase që janë pjesë e qeverisë, sidomos nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM. Kështu që, pa dyshim, opozita shqiptare ka marrë mbi 25% më shumë vota sesa koalicioni qeverisës shqiptar. Edhe pse, realisht, pritshmëritë e Aleancës Kombëtare, por edhe sondazhet, tregonin që raporti do të ishte 1.8 me 1 dhe jo 1.25 me 1, madje disa anketa edhe 2 me 1. Por ky është rezultati. Pasi kemi edhe një raund të dytë, do të bëhen analiza më të thella, por mendoj se ka pasur një inxhiniering të jashtëzakonshëm nga partitë qeveritare, qoftë maqedonase apo shqiptare.”

Sipas Taravarit, rezultati i raundit të parë tregon qartë se forca opozitare shqiptare po fiton terren dhe besim te qytetarët, ndërsa pritet që raundi i dytë të konfirmojë këtë prirje. Gazeta Flaka

The post Arben Taravari: Nuk ka arsye për shqetësim në Kosovë – Shqipëria duhet të luajë rolin e stabilizuesit rajonal appeared first on Flaka, në çdo lajm... .