Lekaj për deklaratën e Macronit për viza: Kurti të na tregojë se çka i premtoi dhe nuk e mbajti fjalën
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj në një intervistë për Front Online ka folur edhe për deklaratën e presidentit francez Emanuel Macron për çështjen e liberalizimit të vizave. Macron tha se ata e kanë mbajtur fjalën për vizat por se të tjerët nuk po e mbajnë. Lekaj, thotë se liberalizimi i vizave nuk duhet të lidhet […]


Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj në një intervistë për Front Online ka folur edhe për deklaratën e presidentit francez Emanuel Macron për çështjen e liberalizimit të vizave.
Macron tha se ata e kanë mbajtur fjalën për vizat por se të tjerët nuk po e mbajnë.
Lekaj, thotë se liberalizimi i vizave nuk duhet të lidhet me dialogun dhe me presionin ndaj Kosovës.
“Prandaj ajo që më ka bërë përshtypje nga deklarata e presidentit Macron është që ai mes rreshtave ka treguar që Qeveria e Kosovës, kryeministri i Kosovës nuk po i mban premtimet dhe lind pyetja, çfarë premtimi i ka dhënë presidentit të Francës se cilat çështje janë premtuar dhe ky nuk iu ka përmbajtur dhe është për të ardhur keq, dhe është goditje e madhe e diplomacisë dhe asaj që Kosova është shquar që premtimet i mban si shtet dhe tani vjen një alarm nga një shtet i fuqishëm që ka një vlerësim të tillë për qeverinë Kurti duhet të merren seriozisht sepse kjo e dëmton rëndë edhe procesin e dialogut edhe imazhin e Kosovës dhe duhet të jemi të shqetësuar në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, i pyetur se a mund të pezullohen vizat, Lekaj ka dhënë këtë përgjigje.
“Unë nuk mendoj që mund të rikthehet në zero, por më tepër është qëndrim politik dhe vërejtje serioze ndaj Qeverisë së Kosovës që po mendohet që të vihet në tavolinë edhe pezullimi i vizave. Kjo është shqetësuese dhe kryeministri duhet të iu tregojë qytetarëve dhe neve se çka ka premtuar dhe pse nuk iu ka përmbajt premtimit”, ka shtuar deputeti Lekaj.