Policia, e Shtetit apo e Krimit? Bandat bashkëpunojnë deri në kupolën e lartë, a po e pastrojnë sa duhet arrestimet e fundit?

Policia e Shtetit ka qenë një nga “pikat e dobëta” të qeverisjes së Edi Ramës gjatë më shumë se 10 viteve, për shkak të skandaleve të shumta dhe shkarkimeve apo dorëheqjeve të disa ministrave të Brendshëm. Kryeministri Rama e nisi mandatin e parë me Saimir Tahirin si Ministër i Brendshëm, të cilin e kishte një […] The post Policia, e Shtetit apo e Krimit? Bandat bashkëpunojnë deri në kupolën e lartë, a po e pastrojnë sa duhet arrestimet e fundit? appeared first on Ditar.al.

Policia, e Shtetit apo e Krimit? Bandat bashkëpunojnë deri në kupolën e lartë, a po e pastrojnë sa duhet arrestimet e fundit?

Policia e Shtetit ka qenë një nga “pikat e dobëta” të qeverisjes së Edi Ramës gjatë më shumë se 10 viteve, për shkak të skandaleve të shumta dhe shkarkimeve apo dorëheqjeve të disa ministrave të Brendshëm.

Kryeministri Rama e nisi mandatin e parë me Saimir Tahirin si Ministër i Brendshëm, të cilin e kishte një nga njerëzit më të besuar, ndaj i caktoi një nga postet më të rëndësishëm të kabinetit. Puna e Tahirit me reformimin e Policisë ishte një nga më të mirat, pasi ish-ministri thuajse e ndryshoi tërësisht mendimin e qytetarëve për Policinë e Shtetit.

Efektivë të rinj që zëvendësuan policët që duhet të dilnin në pension, uniforma më të denja dhe korrektësia në shërbim e efektivëve bënë që Rama ta cilësonte Tahirin si “ministri kampion”, por magjia zgjati shumë pak. Policia filloi t’i shërbente krimit, dhe krimi kishte në përbërjen e tij edhe vetë ministrin Tahiri.

Kanabizimi i vendit në nivele si kurrë më parë dhe provat e prokurorisë italiane për lidhjen e Saimir Tahirit me vëllezërit Habilajnë trafikun e lëndëve narkotike e kthyen sërish Policinë e Shtetit në pikën 0. Në pranga bashkë me Tahirin ranë edhe disa drejtues policie dhe efektivë, të cilët bashkëpunonin për trafikimin e lëndës narkotike jashtë vendit tonë.

Ardhja e Fatmir Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme nuk u prit aspak mirë nga opozita dhe jo vetëm, pasi Xhafaj akuzohej se kishte qenë një hetues i Sigurimit të Shtetit në komunizëm, ndaj nuk mund të venddosej në një post aq të rëndësishëm. Por akuza si hetues nuk do të ishte e vetmja, pasi Xhafaj do të dorëhiqej pas vetëm 2 muajsh në detyrë, për shkak të akuzave për vëllanë e tij, i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Edhe në këtë rast, akuzta ranë edhe mbi Policinë e Shtetit, që dyshohej se kishte lidhje me trafikun e narkotikëve.

Xhafaj do të zëvendësohej nga një figurë ushtarake siç ishte Sandër Lleshaj, tek i cili Rama pati besim se përmes njohurive ushtarake, do të arrinte të bënte “zap” edhe Policinë e Shtetit. Por nuk ndodhi kështu, pasi Policia e Shtetit vijoi të ishte një nga institucionet që ngjallte më pak besim te qytetarët. Fatkeqësisht, për të provuar që qytetarët kishin të drejtë, një nga efektivët e Policisë vrau djaloshin Klodian Rasha, teksa ky i fundit ishte duke ecur në afërsi të lagjes së tij.

Protestat e qytetarëve për disa ditë detyruan Ramën ta shkarkonte Lleshjan, pavarësisht se ministri tha se dha dorëheqjen. Por ky nuk ishte i vetmi skandal, pasi tenderi i uniformave të Policisë do të njolloste edhe më shumë punën e Lleshajt si ministër.

Lleshaj do të zëvendësohej nga Bledi Çuçi, i cili ishte një emër surprizë i vendosur nga Rama. Edhe ardhja e Bledi Çuçit në krye të ministrisë nuk ndryshoi asgjë, pasi Policia e Shtetit vijoi me skandalet, teksa efektivë apo drejtues të lartë vijonin të arrestoheshin nga drejtësia e re për shkak të lidhjeve me krimin. Madje, Policia e shtetit ishte vënë “kokë e këmbë” në shërbim të pushtetit, çfarë u vërtetua më së miri nga ngjarja e Krujës, ku familjarët e ish-deputetit Rrahman Rraja dhunuan me sende të forta dy qytetarë, por Policia nuk denjoi as t’i arrestonte.

Në 8 Korrik 2023 Edi Rama do të emëronte në krye të Ministrisë së Brendshme Taulant Ballën, një emër mjaft i pushtetshëm në Partinë Socialiste, por që do të ulej për herë të parë në një karrige ministri, pavarësisht shërbimit ndaj PS-së prej vitesh.

Deri më sot, puna e Taulant Ballës duket të jetë serioze dhe e një niveli shumë më të lartë se paraardhësit e tij në atë post. Operacioni “Metamorfoza” tregoi sesa shumë ishin të lidhura bandat kriminale me drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Arrestimi i ish-shefit të Operacionales Oltion Bistri dhe i disa drejtuesve të tjerë, përfshirë edhe biznesmenë të fuqishëm pranë PS-së falë përgjimeve të Prokurorisë së Francës, Gjermanisë dhe Belgjikës, bëri që Policia e Shtetit të “pastrohej” sadopak, pork jo dosje nuk sihte e evetmja.

Shefi i Komisariatit të Laçit, Dritan Metaj, u arrestua vetëm pak ditë më parë për shkak të lidhjeve me “baronin e drogës” Gëzim Çela. Ky i fundit, edhe pse i shpallur në kërkim ndëkrombëtar, lëvizte i pashqetësuar me Metajn rrugëve të Laçit.

Por këto arrestime nuk kanë qenë të vetmet. Lidhja e efektivëve me kultivuesit e kanabisit ishte e shpërndarë në të gjithë vendin, ndaj edhe arrestimi i punonjësve të Policisë u bë thuajse një rutinë ditore për Agjencinë e Mbikqyrjes Policore dhe Policinë e Shtetit. Janë me qindra efektivë që ndodhen në burg për shkak të lidhjeve me krimin, por kjo nuk mjafton.

Bandat kriminale vijojnë të kenë lidhje edhe në kupolat më të larta drejtuese të institucioneve, ndërkohë që përgjimet e “Sky” dhe “EncroChat”, të zbërthyera nga vendet aleate, duket të jenë mënyra më efikase për goditjen e krimit në Polici, për ta kthyer këtë institucion në shërbim të shtetit dhe jo të krimit.

“Pastrimi” i Policisë është një proces që nuk ka mbarim, pasi tentakulat e krimit do të vijojnë të tundojnë oficerët e keqpaguar e keqtrajtuar nga shteti, që shohin si zgjidhje të vetme bashkëpunimin me krimin për t’i krijuar kushte më të mira familjeve të tyre.

Arrestimet e fudnit nuk mjaftojnë, ndaj Ministria e Brendshme, AMP dhe Prokuroria kanë një punë të madhe për të brëë sa më të besueshëm institucionin e Policisë së Shtetit, tek i cili duhet të kthehet besimi i të gjithë qytetarëve.

The post Policia, e Shtetit apo e Krimit? Bandat bashkëpunojnë deri në kupolën e lartë, a po e pastrojnë sa duhet arrestimet e fundit? appeared first on Ditar.al.